Një ditë pas ngjarjes së ditës së djeshme, ku 39-vjeçari Genci Koreta vrau xhaxhanë e tij, Jorgji Koretën, në fshatin Mekat të Vlorës ka pllakosur zija. Në vendin e krimit vijojnë të jenë prezentë uniformat blu të Vlorës, epo ashtu edhe perimetri i rrethimit, ndërkohë që policia vijon të hetojë ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme.
Bëhet me dije se ngjarja e rëndë ndodhi pasi xhaxhai dhe nipi u konfliktuan për ndarjen e ullinjve që kishin shkuar të vilnin, por ende nuk ka detaje se përse agravoi debati, duke prodhuar edhe ngjarjen e rëndë.
Banorë të fshatit shprehen se janë të shokuar nga ndodhia, ndërsa flasin mirë për të dy personat, viktima të ngjarjes. Edhe pse mbetet enigmë shkaku i vrasjes së xhaxhait nga nipi, një prej banoreve kujton se vite më parë Jorgjit i ka vdekur një djalë gjatë punës në ndërtim në Greqi, ku Genci ishte bashkë me kushëririn. Këtë humbje 39-vjeçari duket se e kishte përjetuar shumë rëndë dhe se ishte kuruar edhe për depresion.