Njëkohësisht me vizitën e tre senatorëve amerikanë në Shqipëri, mbërriti edhe ish-këshilltari i Trump dhe i dërguari për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Qëndrimet e ndryshme dhe ndarja Demokratë-Republikanë për çështjen Berisha. A do thellohen ndarjet në të ardhmen?
Tre senatorë u dhanë ditën e hënë në derën e selisë blu të shoqëruar edhe nga diplomatja amerikane e akredituar në Tiranë Yuri Kim. Lulzim Basha, kreu i PD ka dalë i lumtuar nga pritja e kësaj treshe duke marrrë edhe “bekimin” se do të jetë në mbështetje absolute nga SHBA dhe nga Kongresi. Por ku vjen puna tek “non grata” e Berishës, edhe Amerika ngjan se ndahet në dy mendime. Sipas Bashës, kongresmenët janë në mbështetje të tij duke e quajtur “nul” Berishën dhe veprimet për të marrë Partinë Demokratike. Nga ana tjetër Berisha ka folur për një prapaskenë që fshihet Xhorxh Soros dhe sipas tij, gjithçka është bërë për të fuqizuar Ramën dhe nuk harroi që në këtë qese të fuste edhe Lulzim Bashën. Berisha mendon se prapaskenat kanë filluar më herët dhe atë e lidh me lobin e Sorosit. Po në të njëjtin sinkron me Berishën është edhe Grenell, i cili flet përkërisht për Sorosin në lidhje me Berishën. Por Richard Grenell, ish- i dërguari i Amerikës për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, ka zbuluar prapaskenat e shpalljes “non grata” të liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Diplomati amerikan flet për ndalimin e Berishës për të shkelur në Amerikë, por pa e përmendur me emër. Ai tha se pas Berishës, vendime të ngjashme u morën në disa vende të Ballkanit, duke e bërë që të dilte në një përfundim: DASH po ndërhynte për të mos lejuar që të riktheheshin në pushtet duke përdorur gjyqësorin dhe mediat. Po ashtu ai shtoi se familja e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken ka një marrëdhënie të ngushte me George Soros, një nga personat që edhe vetë Berisha ka fajësuar për vendimin ndaj tij. “Kur vende të tjera përpiqen që të shkatërrojnë përfundimisht një person, ne në SHBA e dënojmë atë veprim. Ne çohemi dhe e theksojmë dhe themi që: Ju nuk e bëni dot dhe të pretendoni se jeni demokraci! Nëse përndiqni oponentët tuaj, nëse përdorni gjyqësorin, median, ne të thërrasim në DASH. Kemi një sekretar shteti që ka ‘përvetësuar’ sistemin e VISA-ve dhe të udhëtimit që kemi për të lejuar njerëzit që të vijnë në Amerikë. Ja t’ju jap një shembull; nga hiçi rreth dy muaj më parë, Blinken nxorri një deklaratë për shtyp duke ndaluar disa shqiptarë të caktuar, për të hyrë në SHBA. Se kuptova nga erdhi”, tha Grenell. Por sigurisht që edhe në amerikë ka ndasi politike dhe këtë e konfirmoi edhe vetë senatorja që ishte në takim me Bashën Joni Ernst. “Edhe ne kemi ndasitë tona politike, por në SHBA kemi gjetur rrugë për të bashkëpunuar e kapërcyer ndasitë dhe është e rëndësishme për të gjetur atë çka na bashkon si një komb, si parti politike, se sa të vazhdojmë përçarjen”, tha ajo.
Tubi i oksigjenit, Basha: Distancohem nga Berisha
Deklaratat e Lulzim Bashës se do i këpus tubin e oksigjenit Sali Berishës është kthyer në debat në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD. Edhe pse Basha është munduar që të diskutojë për rendin e ditës, ka qenë deputetja e Albana Vokshi që e ka nxjerrë nga “shinat” e diskutimit Bashën. Ajo i ka thënë Bashës se distancohet nga deklarata e tij sa i përket këputjes së tubit të oksigjenit Berishës. “Kam shumë çështje për të diskutuar, ngjarjet e ditëve të fundit, por nuk është forumi i duhur. Sot dua t’i referohem deklaratës suaj të djeshme në lidhje me Sali Berishën. Unë distancohem nga ajo deklaratë e juaja, s’keni folur në emrin tim e as të demokratëve. Nuk jeni ju që përcaktoni kur mbaron koha e Sali Berishës apo nëse i hiqni tubin e oksigjenit! Unë distancohem nga ajo deklaratë. Ajo nuk na përfaqëson ne demokratët. Distancohem”, tha Vokshi. Distancimi i Vokshit nuk ka përbërë asnjë shqetësim për numrin dy të partisë, Gazment Bardhin, i cili e ka nënvlerësuar deklaratën e deputetes. Në mesin e debateve ka hyrë edhe deputeti Spaho, i cili i kërkoi Bashës që të mos largohej nga mbledhja pasi kishte çështje për të diskutuar. Por kreu i opozitës e ftoi Spahon që të shkonte e të diskutonte me të në zyrë. Edhe në këtë rast ka ndërhyrë Gaz Bardhi, i cili po me tone të larta i ka kërkuar Spahos që të ulë tonin e zërit. Lulzim Basha i ndodhur përballë kësaj deklarate të Vokshit, duke u larguar nga mbledhja tha se: “Nuk kam kohë për të humbur me çështje që nuk janë rendi i ditës”. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se Berisha me turin e tij të Foltores po i shërben Edi Ramës. “Prej javësh, me zdërhalljet e tij Sali Berisha është kthyer në një tub oksigjeni për regjimin e Edi Ramës. Unë jam i vendosur t’ja këpus edhe këtë tub oksigjeni për regjimin Edi Ramës”, tha Basha. E sa i përket akuzave të ish-liderit historik se po uzurpon forumin e rinisë demokratike dhe lidhjen e gruas, Basha thotë se koha e tij ka mbaruar. “Koha e Sali Berishës ka mbaruar. Bashkë me të ka mbaruar edhe koha e mandateve të skaduara dhe përdorimit të PD-së dhe forumeve të saj për interesa personale. Asgjë dhe askush nuk do ta kthejë PD-në në një bunker për interesat personale të Sali Berishës”, tha ai. Kryedemokrati thotë se Partia Demokratike është shpresa e shqiptarëve për të zgjidhur hallet e tyre dhe sipas tij halli më i madh i tyre sot është regjimi i Edi Ramës.