Ndërsa Sali Berisha dhe mbështetësit e tij kanë shpallur datën 11 dhjetor për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, Basha i është kundërpërgjigjur me thirrjen e “Kuvendit të tij” një javë më vonë. PD futet në javët e ethshme ku secila palë kërkon të afrojë delegatët e kuvendit. Basha është shprehur para kryetarëve të degëve se janë vetëm dy mundësi: Të jemi parti e pranueshme për Perëndimin, ose të shpallemi non grata”.
Kryetari i PD Lulzim Basha thirri dje 71 kryetarët e degëve të PD-së, ku u ka kërkuar të jënë pjesëmarrës në “të vetmin kovend” të ligjshëm sipas tij, atë që do të mbahet më 18 dhjetor. Sipas tij, qëndrimet e Berishës janë anti-statutore dhe se ai nuk njeh asnjë institucion të PD, nuk njeh asnjë vendimarrje. Basha u shpreh i vendosur për të mos lejuar që kushtet e krijuara të çojnë PD-në në izolim, ta bunkerizojnë, apo ta kthejnë në një mburojë të interesave personale. Basha foli për situatën e krijuar brenda kësaj partie, si dhe marrëdhëniet me SHBA-të. Ai tha se PD-ja është para dy zgjedhjeve, ose të jetë e pranueshme për SHBA-të apo të shpallet non-grata. “Kemi përgjegjësinë historike, përpara demokratëve dhe shqiptarëve, që të mos lejojmë që partia që në 1992 erdhi në pushtet në partneritet të ngusht me Shtetet e Bashkuara, që ndërtoi lidhjet më të forta me partnerët perëndimorë, të mos përfundojë non grata. Ky është thelbi që disa përpiqen të fshehin nga gjithë kjo histori, si nga ata që e shfrytëzojnë këtë moment për interesa personale, por edhe nga ata që duan të dëmtojnë Partinë Demokratike. Prandaj të jetë e qartë për të gjithë, ose ne do të jemi një parti e pranueshme për Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara, mikun tonë të madh, ose do të jemi një parti non-grata. Nuk ka zgjidhje tjetër dhe kushdo me mend në kokë e kupton që është ekzaktësisht kështu.”- theksoi Basha.
Berisha dhe PD si “mburojë”
“Kjo histori e përdorimit të demokratëve si mburoje e interesave personale të kujtdo merr fund njëherë e përgjithmonë. Kryesia e Partisë Demokratike votoi për mbledhjen e Kuvendit legjitim. Sali Berisha thotë se prapë nuk e njeh. Ku qëndron morali i statutit që me forcë ngre Sali Berisha? Çfarë po kërkon ai? Sali Berisha nuk e ka hallin te statuti. Ai nuk njeh asnjë strukturë të Partisë, sepse qëllimi i tij është që partia të shndërrohet në një mburojë të tij përballë Shteteve të Bashkuara”, tha Basha. Nga ana tjetër Berisha me lëvizjen e tij pretendon se ka siguruar 4200 forma të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar, një shifër e mjaftueshme për thirrjen e Kuvendit dhe më pas marrjen e vendimeve. Nga ana tjetër Basha është shprehur i bindur se nisma e Berishës nuk është mbi bazën e statutit dhe normave partiake, por për interest ë tij, pasi ka dalë hapur kundër vendimit për shpalljen “non grata” nga SHBA dhe po përdor partinë si mburojë personale. “Pse nuk e përmend më Sali Berisha faktin me të cilin nisi foltoren, sepse nuk u votua në Kryesi? Sepse ky ishte një justifikim. Ja ku është vendimi i Kryesisë me 28 vota pro për mbledhjen e Kuvendit, dhe ai përsëri thotë s’e njoh. Është e qartë se sido që të merrej ai vendim, me çfarëdo votimi, Sali Berisha dëshmon se nuk do ta njihte. Sepse sot ai nuk njeh asnjë organ zyrtar te PD”, tha kreu i PD-së. ndërsa në lidhje me Kuvendin e thirrur nga Berisha, basha u shpreh se i ngjan një mitingu dhe jo një vendimarrje mbi bazën e statutit të partisë. “Do të bëjë Sali Berisha miting me 11 dhjetor? Apo mendon se do të ngrejë struktura paralele? Ka thënë që nuk e njeh Kuvendin e datës 18 si Kuvend legjitim. E kuptoj asgjë legjitime nuk njeh Sali Berisha. Sepse qëllimi është ilegaliteti, bunkerizimi, destabilizimi i PD. Por veprimet ilegjitime, tentativa për bunkerizim, dëmtim i interesave elektorale dhe politike të PD, e kanë përgjigjen në Statut. Dhe do të zbatoj Statutin ndaj kujtdo. Kush shkel vendimin e Kryesisë e partisë, fatin e ka të caktuar nga Statuti i partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën. Boll është boll. Asnjë anëtar nuk është mbi Statutin dhe nuk është mbi të tjerët”, u shpreh Basha.
Kuvendi i 18 dhjetorit
Në mbledhjen me 71 kryetaret e degëve të PD, kryetari i PD, Lulzim Basha theksoi si detyrë kryesore është që partia të dalë e bashkuar nga Kuvendi i 18 dhjetorit. Qëllimi kryesor është vazhdimi i betejës kundër Ramës, ka theksuar kryedemokrati në fjalën e tij. “Rama është kundërshtari ynë i përbashkët, pavarësisht çfarë mendojnë në këtë situatë që po kalojmë. Beteja me njëri-tjetrin nuk na çon askund. I shërben vetëm Ramës dhe patericave të tij, që i po i bëjnë gjithçka që beteja mes nesh të çojë në një ndarje të partisë. Ju jeni dëshmitarë të kësaj”, -tha Basha. Tashmë pritet edhe kundërpërgjigjja e Berishës, i cili shpreson se më datë 11 dhjetor të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar që nevojiten si koorum i nevojshëm për tu konsideruar legjitim vendimet e tij. Nga ana tjetër edhe nëse do të ketë më shumë se 50% të delegatëve, Basha dhe disa drejtues të tjerë të PD-së e konsiderojnë sit ë pavlefshëm çdo vendim, pasi sipas tyre nuk është ndjekur procedura për mbledhjen dhe verifikimin e firmave që kërkuan mbajtjen e Kuvendit Kombëtar.