Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, si drejtues i institucionit që shumë shpejt do të marrë drejtimin për garantimin e mbrojtjes kibernetike, gjatë një aktiviteti inovativ “Cyber Camp Albania” ftoi të rinjtë të orientojnë karrierën e tyre drejt kësaj fushe. Duke theksuar se siguria kibernetike është një fushë e cila kërkon punonjës të specializuar, ministri Peleshi vendosi në dukje rrezikun që u kanoset institucioneve publike dhe jo publike në Shqipëri nga ky fenomen. “Kjo do të thotë që ka nevojë për talente, ka nevojë për fuqi punëtore, për njerëz të kualifikuar. Sot në botë ka miliona vende pune bosh në fushën e zhvillimit të softëare-ve dhe aq më tepër në fushën e mbrojtjes kibernetike. Unë isha para disa ditësh në Izrael e vetëm në Tel Aviv kishte 17 mijë vende pune, të cilat nuk mbusheshin dot, sepse nuk i gjenin dot në treg. Janë miliona vende pune në botë të cilat presin talente dhe për këtë arsye këto fusha janë nga fushat më të paguara, profesionet më të paguara. Ministria e Mbrojtjes do të punojë bashkë me Agjencinë e Çertifikimit Elektronik të Mbrojtjes Kibernetike për të bërë politikat e mbrojtjes kibernetike, standardet, rregullat e zbatueshme nga të gjitha ato institucione të cilat janë pjesë e infrastrukturës kritike që domosdosmërisht duhet të kenë të zhvilluara kapacitet e mbrojtjes kibernetike”, tha Peleshi. Ai tha se gjithçka fillon nga edukimi dhe sot janë 16 studentë që fillojnë masterin e mbrojtjes kibernetike pranë akademisë së FA, ndërsa po punohet për të shtuar mundësitë e kualifikimeve, trajnimeve në këtë fushë. “Kështu që krahas bachelorit në sistemin e arsimit privat apo shtetëror do të shtojmë dhe do të mbështesim, do të subvencionojmë me një program të posaçëm qeveritar edukimin dhe trajnimin e shpejtë në fushat, për të cilat po flasim pra kodim, programim, mbrojtje kibernetike. Mundësitë janë të jashtëzakonshme. Ne kemi një fond për mbështetjen e 1 mijë apo 2 mijë koduesve ose të rinjve që duan të kualifikohen dhe të bëhen kodues apo të punojnë në të gjitha fushat e IT, këto si subvencion pra për të paguar bursat e tyre. Kemi disa kompani shumë të mira që janë në kontakt me qeverinë dhe do të jenë aplikues të këtij fondi”, shtoi ministri Peleshi. Ministri i Mbrojtjes u shpreh se Kryeministri ka dhënë dritën jeshile për të shtuar pagesën me bonuse për specialistët e kësaj fushe në administratën shtetërore, duke i barazuar këto paga me tregun privat.
Fjala është e lirë. Liria është fuqi!
E-mail : info@fjala.al
Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Fjala.al. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e FJALA.al, është shkelje e të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi.
FJALA MEDIA GROUP
NUIS/NIPT : L92423005H