Biznesmeni Lulëzim Masha nuk i ka qëndruar deklarimeve të fillimit pasi makina e tij ML u qëllua me pistoletë në afërsi të Liqenit të Thatë në Tiranë ditën e martë. I rimarrë sërish në pyetje nga hetuesit, 63-vjeçari është shprehur se prej disa kohësh kishte vërejtur një të ri që e vëzhgonte që në ambientet e shkollës “Wilson” ku ai vetë administron.
Sipas tij nuk i ka kushtuar shumë rëndësi pasi për shkak të mungesës së konflikteve, nuk e ka konsideruar si ndonjë problem. Masha ka dhënë detaje të pamjes së të riut para grupit hetimor, ndërsa sipas tij personi që ka qëlluar kur ai ishte në lëvizje me makinën e tij, kishte ngjashmëri me atë që e ka vëzhguar tek shkolla.
Aktualisht, personi që ka qëlluar me armë nuk është identifikuar akoma, ndërsa në fokus vijojnë të jenë kamerat e sigurisë rreth e përqark Liqenit Artificial, nga ku është larguar. Në dëshminë e fillimit, Lulëzim Masha pretendoi se ishin dy të rinj që po ziheshin me njëri-tjetrin dhe plumbat e kapën mjetin e tij rastësissht dhe nuk e njihte.
“Nuk e njihja autorin ishte i moshës 25-vjeç, qëlloi dhe u largua, ishte ezmer dhe me mjekër. Aty po ziheshin nja dy tre çuna të rinj, po kaloja aty se shkoj për punë. Kur dëgjoj armë bam-bam. Hap krahun unë dhe shoh se dy plumba kishin marrë dhe makinën time. S’isha unë objektivi”, tha Masha në një prononcim për Report Tv.