Edhe sot nuk ka një përfundim të seancës në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Pas disa orësh shpalosje të argumenteve nga mbrojtja e Metës, Gjykata vendosi pranimin e kërkesës së tyre për 48 orë kohë për t’iu përgjigjur 70 pyetjeve që i janë bërë nga anëtarët e Kushtetueses. Seanca e radhës pritet ditën e hënë, ora 10:00.
Në seancën e sotme në Gjykatën Kushtetuese, Presidenca u paraqit për mbrojtje me një dosje voluminoze prej 140 faqesh. Mbrojtja u kujdes të nënvizonte se Meta në asnjë akt të vetëm nuk ka shkelur Kushtetutën dhe e kundërta nuk është arritur të vërtetohet.
Në parashtrimin e qëndrimit nga ana e Presidentit, përfaqësuesi i Metës Dervishaj tha në Kushtetuese se gjatë procesit Kuvendi me dashje shkeli parimin e ndarjes së pushteteve. Sipas tij Kuvendi tentoi të deligjitimojë dhe kufizojë veprimtarinë e Presidentit duke përçuar në publik se është Kuvendi që i ka rolet dhe ekskluzivitetin e së drejtës.
“Kjo mënyrë veprimi, pa objekt dhe lëndë, dhe pa arritur të identifikojë veprim apo akt të rëndë. Kjo evidenton qartë se procesi është iniciuar politikisht, duke u hakmarrë ndaj presidentit, duke kufizuar rolin e tij dhe shmangur vëmendjen nga të gjitha problematikat”, tha ai.
Sipas tij, Komisioni i Ligjeve, shkeli Kushtetutën duke mos respektuar asnjë afat. Ai deklaroi se vendimi për shkarkimin e Presidentit është realizuar në një periudhë tranzitore të Kuvendit, duke theksuar më tej se Komisioni Hetimor u ngrit në mungesë të një objekti në dispozicion dhe Kuvendi ka ndërhyrë në kompetencat e kreut të shtetit.
Dervishaj tha se të ngresh një kom hetimore për të vetmin institucion te pa kapur nga kjo mazhorancë është e papranueshme për shoqëritë demokratike.
“Nisma të tilla janë të papranueshme për shoqëritë demokratike. Konsiderohen kapje dhe puc institucional”. u shpreh ai.
Sipas përfaqësuesit ligjor të Metës Kuvendi ka tentuar disa herë të ndërhyjë në mënyrën se si Presidenti ka ushtruar funksionin e tij dhe për këtë arsye, sipas tij, Kuvendi ka shkelur parimin e ndarjes së pushteteve.
Më pas, Dervishaj, ka vijuar duke argumentuar sipas tij të gjithë situatën politike të gjithë këtyre viteve, duke radhitur ‘zgjedhjen e kryeprokurores me 69 vota, vjedhjen e zgjedhjeve sidomos në dosjen e Dibrës, lënien e mandateve, protestat e fuqishme, tentativat për marrje të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Metës nga ana e mazhorancës, mungesën e opozitës së mirëfilltë në Kuvend etj’.
Kujtojmë se gjatë diskutimeve të së martës, që në fillim të seancës gjyqësore, përmes një kërkese të depozituar Presidenca kërkoi përjashtimin e gjyqtarëve që sipas tyre nuk plotësojnë kushtet ligjore për të qenë pjesë e procesit, por kjo kërkesë iu hodh poshtë. Presidenca gjithashtu ka shtruar pretendimet se votimi i shkarkimit duhet të bëhet nga Kuvendi i ri pasi mandati i atij që e shkarkoi ka mbaruar, se Kuvendi i kaluar ishte jo legjitim etj. Përfaqësuesit Kuvendit e mazhorancës Klotilda Bushka dhe Taulant Balla janë shprehur se Presidenti po tenton të zbarritë procesin. E ndërsa Bushka, shtoi se edhe nëse do të hidhej në votim me Kuvendin e sotme, është e bindur se do të kishte marrë po aq ose edhe më shumë vota kundër tij.
Që Presidenti të shkarkohet, pro vendimit të Kuvendit duhet të votojnë të paktën 5 anëtarë dhe duhet patjetër të marrin pjesë në votim 6 anëtarë. Gjykata Kushtetuese ka aktualisht 7 anëtarë nga 9 që duhej të kishte gjithsej. Meta është shkarkuar nga Kuvendi më 9 qershor 2021 me argumente të tilla si shkelje të rënda të Kushtetutës, provokim të cenimit të marrëdhënieve me SHBA, shantazh ndaj drejtësisë, thirrje për veprime të dhunshme, nxitje urrejtje, cenim të sigurisë publike etj.
Deputetët e Partisë Socialiste në pushtet ngritën këtë Komision Hetimor parlamentar, i cili gjeti 17 shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit. Shkarkimin e Metës, Partia Socialiste e ka konsideruar si një nevojë për të “çliruar Presidencën nga një pengmarrje”. Kjo ishte nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta.