Me 18 vota pro dhe katër abstenim, kaloi në Kuvend ndryshimi kushtetues që i hap rrugë zgjatjes së afateve të vetingut në sistemin e drejtësisë. Parlamentarët u “detyruan” të votojnë pro, nën ndikimin e faktorit ndërkombëtar. Basha dhe përkrahësit e tij bashkuar votat me mazhorancën, ndërsa Berisha atakoi procesin e vetingut.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 118 vota pro, asnjë kundër dhe 4 abstenim për zgjatjen e mandatit për organet e Vetingut deri në vitin 2024. Votave të mazhorancës i janë bashkuar edhe votat e Partisë Demokratike, ndërkohë që LSI me përjashtim të Agron Çelës kanë abstenuar. Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha ka bashkuar votat me mazhorancën për të bërë ndryshimet kushtetuese. Zgjatja e Vetingut për Partinë Demokratike duhet të ishte sëbashku me dy reformat e tjera dhe për këtë kërkesë ajo e mbajti peng votën e saj duke mos u shprehur. Pasi diplomatja amerikane ka bërë përgjegjëse politikën për mos miratimin e saj, PD ka ndryshuar në fund duke ju referuar besimit ndaj SHBA-së për të votuar Vettingun. Ditën e djeshme në seancën plenare u dëgjuan reagime pro dhe kundër zgjatjes së vetingut. Deputetët e LSI dhe ata të Berishës kanë shprehur mendimin e tyre duke dhënë votë “kundër” dhe “abstenim” për vetingun.
Basha voton “pro”
Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat, para se të futej në parlament, u shpreh se KLGJ-ja dhe KLP-ja janë të kapura nga socialistët. Ai u shpreh se të paktën te vetingu ka garanci nga ndërkombëtarët, duke nënkuptuar se do të votojë pro zgjatjes së afateve të vetingut në Kuvend. “Sot, nuk është drejtësia që duam, por do të ishte më keq nëse një proces i nisur me qëllim që të përfundojë me një drejtësi që ndëshkon politikanët e korruptuar, do të mbetej në mes dhe po kështu do të ndërpritej integrimi i vendit në BE. Prandaj, ne po bëjmë atë që kemi thënë. Për hir të integrimit, do t’i japim shansin një drejtësie që të korrigjohet dhe t’i hedhur prangat çdo qytetari shqiptar që shkel ligjin, duke e nisur nga më të pushtetshmit. KLGJ-ja dhe KLP-ja janë të kapura nga socialistët, të paktën te vetingu kemi garanci nga ndërkombëtarët”, tha Basha. Para nisjes së seancës, kreu demokrat zhvilloi mbledhje me anëtarët e grupit parlamentar të PD-së. Ai ju ka thënë deputetëve të grupit të vet parlamentar që të mbështesin zgjatjen e afateve të organeve të vetingut. Në një mbledhje para seancës plenare, nga zyra e shtypit të PD-së mësohet që Basha të ketë thënë: “PD-ja është kontribuuesja më e madhe e procesit të integrimit europian, dhe kurrë nuk do të ndërmarrë ndonjë vendim kundër apo që e dëmton këtë proces”. “PD-ja ka qenë që prej ditës së parë mbështetëse e reformës në drejtësi. Natyrisht, ndërhyrjet e mazhorancës për ta vënë në shërbim të saj e kanë dëmtuar atë dhe pasojat po i shohim dhe sot”, mësohet të ketë thënë kreu i PD-së. Nga ana tjetër, disa prej deputetëve të përjashtuar apo të pezulluar nga grupi parlamentar i PD-së, mbështetës të Sali Berishës, janë shprehur kundër votimit të zgjatjes së afateve, pasi sipas tyre, kjo ndihmon në kapjen e sistemit të drejtësisë nga kryeministri Edi Rama.
Berisha atakon vetingun
Ish- kryeministri Sali Berisha atakoi vetingun kur tha se nuk u përdor i njëjtë standard për gjyqtarët e prokurorët. Berisha u ndal tek rasti i Sokol Sadushit duke e krahësuar ata me gjyqtarë të tjerë demokrat që nuk e kaluan vettingun. “U mbajt Sokol Sadushi që kishte blerë apartament në vitin 2006 nga një person që nuk dihet ku i kishte marrë paratë e blerjes dhe këtë apartament, ndonëse e linte të regjistruar mbi të edhe në 2012 e kishte vendosur kolateral banker, u mbajt Sokol Sadushi që deklarontë dhuratën 20 mijë euro të gjyshes për fëmijët, kurse të tjerëve u kërkohej, kur gjykatësja deklaronte se këto para mi dhuroi babai im dhe i kam dhënë çdo muaj nga rroga, nuk i besohej se ishte e djashtë. U përzu një tjetër se nuk kishte deklaruar një gazoniere. Shqipëria dhe qytetarët kanë humbur të drejtën për të pasur një proces gjyqësor të rregullt. Shqipëria u bllokua me integrimin. Një jo e prerë për shkak të mungësës së gjykatave. Janë me mijëra dosje në prokurori që nuk ka kush t’i hapë më”, tha Berisha. Ai ka ngritur shqetësimin se nga burgjet dalin vrasës, pasi nuk ka prokurorë për të shqyrtuar dosjet e tyre. Berisha foli me emra konkretë duke akuzuar bashkëshorten e ministrit të Brendshëm, se po shqyrton dosjet e qytetarëve shqiptarë, në një aferë korruptive. “Qytetarët shqiptarë kanë humbur të drejtën e të pasurit një proces të ndershëm. Asnjë nga ju nuk ka humbur asgjë. Shqipëria u bllokua me integrimin 3 vite, një JO e prerë për shkak të gjykatave. Shqipëria u shndërrua në portin kryesor të trafikut të drogave. Nga burgjet dalin vrasës se s’ka njerëz t’u hapin dosjet. Unë e kam të lehtë të them se ky apo ai deputet ndërhyn për lirimin e tij, por di që prokurorë nuk ka dhe janë mijëra dosje në prokurori që nuk ka kush t’i hapë më. Ju kërkoni këtë anije të mbytur, për të cilën shqiptarët janë shprehur. Vetëm 7% e shqiptarëve që marrin pjesë në votime e quajnë të vlefshme reformën. Vetëm 24% e shqiptarëve flasin. Po rasti i Delina Ficos si qëndron? Delina Fico merr disa miliona euro nga taksapaguesit amerikanë, për të dhënë ndihmesa për dosjet. Është një aferë e madhe korruptive. O demokratë, qytetarë që nuk jeni me socialistët, dosjet tuaja në gjykata i shqyrton ish-gruaja e Edi Rama dhe bashkëjetuesja e ministrit të Brendshëm”.
LSI përçahet
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka thënë se ka absetnuar sa i përket zgjatjeve të afateve të vettingut. Ajo theksoi para gazetarëve se LSI ka propozuar zgjatjen e afateve që në vitin 2018, por asokohe nuk u mor parasysh. Kryemadhi tregoi, se deputeti i LSI, Agron Çela ka votuar pro zgjatjeve të afateve, ndërsa shtoi se ndihet skeptike se si opozita ndryshoi për 1 orë qëndrim sa i përket votimit. “Po bëj të qartë qëndrimin e LSI sa i përket Vettingut, edhe pse në fjalën time në Parlament e kisha të qartë. Reforma në Drejtësi është një nga reformat më të rëndësishme, por që për hir të së vërtetës devijimi i saj duke krijuar problematika, ka lënë shumë për të dëshiruar. Dua t’ju ritheksoj se LSI ka marrë pjesë në Komisionin e Ligjeve në të gjitha mbledhjet, ka bërë oponencën në procesin e analizimit të afateve. në janar shkurt të 2018 LSI ka paraqitur një paketë ndryshimesh kushtetutës ku një pjesë kryesore përbënte kjo që u votua në parlament. Lë për të dëshiruar që PD nuk mori pjesë në asnjë mbledhje, përkundrazi e bojkotoi. Dyshues në këtë proces ndryshimi nga për një orë nga kundra në pro, bën enigmatik. Duhet të shkëputemi nga shitja e votave për interesa personale. Nëse ka probleme me drejtësinë, prokurorin belg, me drejtësinë amerikane, anti-mafian, nuk mendoj që vota e deputetëve nuk duhet të ndryshojë brenda një ore. Proceset që kanë të bëjnë me Kushtetutën e Shqipërisë duhet bërë me përgjegjshmëri. Shqiptarët po largohen nga Shqipëria, po ndihen më të varfër dhe të pa respektuar. Nuk mund të jetë e shenjë një godinë e tillë. Njerëzit nuk e kuptojnë se si mund të falsifikohet një dokument që shkon në Gjykatë Kushtetuese, e vettingu do të jetë peng i një ore për të ndryshuar mendjen sepse vazhdon drejtësia të kapet nga politika. Unë kam abstenuar, zoti Çela votoi pro. Por kur votoi pro PD, pse mos votojë Çela”, tha Kryemadhi.