Nga Flutura Açka
Tek gdhihej 8 marsi… i vështirë i PD-së
Burra, burra, burra… ah më falni, se ju hëngra një grua. Qenka një grua nëpër gjithë këto panele, veç moderatoreve, sigurisht. Pjesa më e madhe e këtyre burrave – duke veçuar pak prej tyre vërtet të pavarur dhe ca që u ka mbetur ende një moral dhe faqe para shqiptarëve – kanë muaj e muaj që janë bërë foltoristët më të zjarrtë, nuk kanë lënë arsenal të plumbtë pa hedhur mbi lidershipin e PD-së.
Asnjë fjalë për marrëveshjen e pistë President-Berishë për të futur në përplasje pjesët e PD-së, përplasje që i dha buzëqeshje diabolike vetëm Ramës.
Asnjë fjalë për arsyet e kësaj përqindjeje të ulët votimi të shqiptarëve dhe neverinë e shqiptarëve ndaj politikës, madje edhe ndaj atyre vetë që përtypin çdo natë vetëm politikë në ekrane.
Ka shumë demokatë dhe qytetarë që anojnë nga e djathta që nuk votuan më 6 mars nga trishtimi ndaj gjendjes aktuae të PD-së, të tjerë që refuzuan të votojnë Berishën, të tjerë që nuk kanë besim te Lulzim Basha. Këta do të bëjnë të njëjtën gjë edhe në zgjedhjet e afërta që kemi vitin e ardhshëm.
Kam dëgjuar në këta muaj gjithfarë etiketimesh për atë pjesë të deputetëve dhe të tjerë përfaqësues politikë në PD, të cilët kanë bindjen se Kryenegociatori i foltores, nuk mund të jetë e ardhmja e PD-së.
Pati prej pales tjetër (meqenëse tani flasim per pale), edhe mes rithemeluesve që shpallën se ky grup kinse bashist, janë mafiozë e sherbëtorë të Edi Ramës.
Unë nuk marr përsipër këtu të flas për Lulzim Bashën (nëse i shërben Edi Ramës, sepse nuk kam aq njohje dhe as fakte për këtë, ata që flasin gjithë ditën për këtë, le të marrin guximin dhe ta bëjnë); unë flas për veten time se me mafian jam e lidhur sa ç’jam e lidhur me hënën dhe se në jetëshkrimin tim kam një betejë konsistente opozitare ndaj qeverisë aktuale dhe kreut të saj. E shkruar zezë mbi të bardhë.
Dita e djeshme është një ditë e trishtueshme për çdo demokrat dhe ai demokrat që mendon se ka fituar, nuk ështe veçse një i pacipë. Po, për fatin e mirë në Shkodër ka fituar një demokrat, dhe ka fituar ai për të mirën e Shkodrës dhe jo Sali Berisha, siç po e shesin.
Fakti që ne të gjithë bashkë, përfshirë edhe LSI-në, dhe ca të tjerë, nuk e tejkalojmë mavinë, do të thotë që jemi të gjithë humbës. Por ata, të cilët e sajuan këtë përplasje me kushtin e vetëm të asgjësojnë Lulzim Bashën, duken shumë të lumtur sot. Me, ose pa Lulzim Bashën, me ose pa Sali Berishën, PD është sot në ditën e saj më të zezë.
Dhe fajin për këtë gjendje e kanë të dy liderët, madje, në syrin tim, fajin më të madh e ka Sali Berisha:
Sepse Lulzim Basha është produkt i tij, i cili, kur iu desh na e shiti për “burrë të mirë” dhe kur nuk iu desh për na e shiti për “burrë të keq”;
Sepse me kujdesin për kultin e individit të tijit dhe më pas të beniaminit të tij, nuk ka lënë gjë të njomë që të mbijë e të zhvillohet në PD, dhe sot të kishim mundësi të zgjidhnim një drejtues që ta donin të gjithë palët;
Sepse, për egon dhe inatin personal, i bëri me muaj të tërë skizmën më të rëndë PD-së, shqyerje që u pa dukshëm në zgjedhjet e 6 marsit;
Sepse, me dëshirën për kthimin e tij në krye të PD-së, do t’i bëjë rrotullimin e fundit të thikës në plagën që na ka ndodhur;
Sepse, nëse do ta drejtojë ai procesin e reformimit të PD-së, siç pretendon, do të vendosë një kukull tjetër të tij në krye dhe PD do të fillojë të riciklojë vetveten;
Sepse, me fjalorin e tij gjatë foltoreve, e ktheu sërish frymën e denigrimit, fyerjeve, dhunës verbale, të asgjësimit të atyre që mendojnë ndryshe, fjalor që u përkthye në bazë në formën më ekstreme të mundshme e duke mbjellur një animozitet vrasës mes demokratëve;
Sepse, në grupin iniciator për rithemelimin e PD-së, ka në përbërje figura të diskretituara, ish-ministra të njohur si hajdutë me damkë, për fajin e të cilëve dhe ca si shumë prej tyre, PD humbi thellë në vitin 2013, nga ende nuk e ka marrë veten;
Sepse, një pjesë e tyre dhe e ca të tjerëve rrotull, nisën një fushatë të hapur mediatike, një fushatë të shqyer në rrjetet sociale, dhe një fushatë të heshtur në të gjitha format duke fyer, kërcënuar, lënduar dhe keqtrajtuar figura të cilat nuk kishin besim te kjo lëvizje, një gjë fare normale në demokraci. Kështu, duke inicuar këtë frymë dhe duke e shtrirë atë deri në bazë, ata e thelluan hendekun e nisur.
Do të thoni ju me të drejtë: a ka faj Lulzim Basha në gjithë këtë? A duhet të japë dorëheqjen?
Po, gjysmën e tij të fajit për krizën në të cilën gjendet sot PD e ka Lulzim Basha. Kjo skizmë është edhe përgjegjësia e tij. Nuk kam qenë dakord që Lulzim Basha të jepte dorëheqjen menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit, sepse të gjithë e dimë se çfarë zgjedhjesh ishin. Vetëm në Elbasan u blenë mbi 45 mijë vota nga bashkëpunimi i bandës shtetërore me bandat e kriminelëve. Ne jemi me një qeverisje informale, me një parlament që në mazhorancë është informal. Shkaku i zgjedhjeve pjesore të 6 marsit është një arsye shumë qesharake për të dhënë dorëheqjen Lulzim Basha, për arsyet që të gjithë i dimë se ç’zgjedhje ishin dhe arsyet që shpjegova më lart.
Megjithatë, në kushtet e krijuara brenda PD-së dhe shkatërrimit të lidhjeve me bazën, të riformatimit të strukturave të PD-së në bazë, të cilat janë në lëngim e sipër dhe të humbjes së popullaritetit të tij mes demokratëve dhe shqiptarëve me vokacion të djathtë, ai duhet ta japë dorëheqjen. Vendimet janë të tijat dhe fare personale.
Por ka vetëm një kusht për ta bërë këtë: Të tërhiqen të dy, edhe Lulzim Basha, edhe Sali Berisha dhe PD-së t’i hapet rruga për zgjedhje të vërteta dhe rikthimin e saj në në forcë e përbashkuar opozitare.
A e bëjnë dot këta të dy këtë? A e duan ata PD-në më shumë se veten e tyre?
Kësaj pyetjeje le t’i japin përgjigje me koshiencën e tyre, pse jo edhe me akte të larta përgjëgjësie politike ata vetë. Fundja, këtu ndahen burrat nga burrecët e shtetit.
Nëse nuk ikën Sali Berisha, nuk ka asnjë arsye të ikë Lulzim Basha.
Unë do ta nis nga vetja, që të shpëtoj nga trishtimi që më ka zënë tek e shoh shtëpinë tonë të përbashkët – PD-në – në këtë gjendje:
Heq dorë nga postet e mia në parti (anëtare kryesie dhe Kryetare e Komisionit të Apelimit dhe Integritetit), pasi as i kam ushtruar kushedi se çfarë, as jam një njeri me një staturë të dukshme politike, por edhe dua që Opozita të vijë në binarët e reformimit të saj të shpejtë, për t’u kthyer në shpresa e vetme e shqiptarëve për të shpëtuar nga regjimi putinist ku po akaparohet me nxit Shqipëria.
Unë jam deputete që mezi më rri zhguni politik dhe do të shërbej në atë front ku fjala më bën vend e hija më bën peshë dhe nuk do të jem pjesë e pjesëve të PD-së, por deputete e PD-së së bashkuar.