Nga Lorenc Vangjeli
Zgjedhjet e 6 marsit në gjashtë njësi vendore prodhuan një rezultat katasrofik për PD-në zyrtare, e cila doli forcë e tretë, çka solli edhe reagimin e mbështetësve të Bashës në Grupin Parlamentar që i kërkuan të japë dorëheqje. A mendoni se Basha do të dorëhiqet dhe nëse jo, si mund të jetë sërish kryetar i një force politike që elektorati nuk e votoi, por as kupola drejtuese nuk e mbështet?
PD zyrtare do të kishte dalë e katërta në zgjedhje, nëse do të kishte dhe një tjetër parti në garë. Do të dilte e fundit edhe nëse do të kishte 11 parti në garë. Por nuk është ky problemi. PD tashmë është një humbëse seriale dhe do të humbasë çdo betejë elektorale apo edhe çdo kauzë që do të ndërmarë. Sepse është në një krizë të jashtëzakonshme, të cilën e shkaktoi jo thjesht ndarja e saj në dy pjesë, por humbja e dytë rresht në zgjedhjet e përgjithshme, në 2017-të dhe në prill 2021. Mbas atyre zgjedhjeve PD jo vetëm nuk e kuptoi krizën, jo vetëm nuk u bë gati të përballej me të, por duke e injoruar, mendoi se ajo do të zhdukej vetëvetiu, duke i dhënë kryetarit një mandat tjetër dhe të drejtën për të bërë premtimin epic: Beteja vazhdon!
Kjo është pika të cilën e kapërcejnë të gjithë. Nëse PD do të ishte shpallur fituese ne zgjedhje, nëse Basha do të ishte sot kryeministër, sot të gjithë ata që i gjuajnë me vare kokës, do t’i vinin kokën në tepsi, si dhuratë sulltani. Të gjithë ata që rendin mbas Berishës sot, me Bashën kryeministër do të rendnin t’i largoheshin ish-kryetarit si provë besnikërie për të.
Basha nuk ka asnjë udhë tjetër për të ndjekur. Biletën e ka në xhep dhe e ka vetëm ikje. Ai mund ta vazhdojë agoninë e tij politike edhe për muaj me rradhë, por ai nuk është më kryetar i partisë së tij. Tashmë ai ka humbur përfundimisht legjitimitetin moral. Për ta kuptuar më qartë një gjë të tillë, mund të bëhet një ushtrim i thjeshtë logjik: në çfarë rasti, në çfarë rrethanash, për çfarë rrethanash apo për çfarë motivesh ai, si kryetar opozite, do të kërkonte dorëheqjen e qeverisë. Çfarë gjëme duhet të bëjë Rama që kur Basha të bërtasë në shesh: Rama IK!, publiku ta ndjekë pas dhe t’i japë një të shtyrë ikjes së Ramës? Sa kohë që me sofizma, mbërthehet si macja në xham për të mos shkarrë deri në fund, Basha me gjasë do të jetë i fundit në PD që do të kuptojë se ka prekur fundin. Ishte djalë i mirë, por kësaj punës së drejtimit të një partie, i ka rënë kot në qafë. Çfarë mund të mbajë ende me vete, nuk është ndonjë suvenir nga zyra, por pak, fare pak dinjitet.
Krahas konfirmimit të PS-së si forcë e parë në pesë bashki, ndryshimin bëri vetëm Shkodra që zgjodhi Bardh Spahinë, kandidatin e Berishës. A vërtetuan këto zgjedhje që Berisha ka mbështetjen në elektoratin tradicional të PD-së?
Ka një keqkuptim të pafundëm në të gjithë këtë histori. Një votë pro Ramës apo pro Bashës është padyshim një votë kundër Berishës, por një votë që i numërohet Berishës në këto zgjedhje, nuk është votë pro tij. Ajo është kryesisht një votë proteste kundër Bashës. Eshtë një votë e qytetarëve të frustruar nga Basha dhe nga arroganca e Ramës, e cila nuk gjen dot adresë tjetër për të thënë se ekziston. Këto zgjedhje vërtetuan jo faktin që Berisha është i fortë, por që Basha është tmerrësisht i dobët. Roja i parkingut të PD-së, i dorëhequr në janar të këtij viti, po të konkuronte me Bashën, me siguri do ta mundte me votë. Në këto zgjedhje Berisha i vuri shkelmin në fyt Bashës, por bashkë me të, është me lak në fyt dhe i varur në trekëmbëshin politik të humbësit.
Në llogari matematikore por edhe fryme në këto zgjedhje, nëse mblidhen votat e PD-së zyrtare bashkimit politik Berisha-Meta, sërish opozita nuk arrin dot të mposhtë mazhorancës. Çfarë nevojitet që opozitarizmi të jetë më i madh në vlerë vote?
Zgjedhjet e 6 marsit patën një tris humbjeje. Më saktë, në zgjedhje humbën të gjithë ata që morrën pjesë. I pari humbës është Basha. Nuk do shumë koment për të sepse ai nuk di të bëjë gjë tjetër dhe humbja nuk i ngjet humbjes vetëm në përmasë sepse edhe justifikimet për to i ka njëlloj. Basha u vërtetua se është minorancë tronditëse jo vetëm në shoqërinë shqiptare, por edhe në partinë e tij që pretendonte pak muaj më parë se e kontrollonte në masën 94 apo 97 për qind. Për gjithë kënd ky do të ishte një epilog i mjaftueshëm për të mbyllur çdo hesap me zyrën, kurse Basha pretendoi që në të gdhirë të 7 marsit se “…nuk ka humbur asnjëherë asnjë garë!”. I humbur i madh i këtyre zgjedhjeve është ai që shpalli fitoren, Doktor Berisha. Shifrat e tij mbi Lulin dhe Shkodra që i dha Bardhit, janë shumë pak për një politikan të sërës së tij që ta numërojë të dielën e shkuar si fitore. Sepse ka humbur në mënyrë totale dhe i ka dhënë partisë së tij dhe gjithë demokratëve një humbje mizore. Ai ju tregoi, se falë edhe atij vetë, pushteti është një ëndërr të cilën ata nuk do ta shohin kurrë dhe se zgjimi mbas çdo palë zgjedhjesh, do të jetë makth. Nëse gëzohet se lagu të mbyturin, atëherë diçka serioze nuk shkon tek Doktori. I humburi i tretë është dramatik. Ndryshe nga sa mendojnë shifrash e Celibashit të KQZ-së që e nxjerrrin fitues në pesë bashki nga gjashtë, në një garë që ai vetë e bëri si shëtitje, Rama është i humburi tjetër i madh në këto zgjedhje. Krejt ndryshe nga sa i thonë servilët, ndryshe nga sa i shpjegojnë sondazhet, ndryshe nga sa i brohorasin mbështetësit, ai ka humbur mundësinë që edhe për një kohë të pacaktuar të ketë përballë për një opozitë reale. Rama ka nevojë pikërisht për këtë gjë: një opozitë të fortë që të mundë të balancojë pushtetin e tij. Budallenjtë e shumtë që përdorin fjalën publike në Tiranë, ata i japin shansin e fjalës edhe fundshinave të tyre, janë të bindur se opozita e dobët i jep shans qeverisjes që të jetë më e fortë. Në fakt është krejtësisht e kundërta. Maxhoranca dhe opozita janë dy enë paralele, që i japin forcë dhe dobësi njëra-tjetrës. Herët e vonë, dobësia e Lulopozitës, do të jetë tipar i qeverisjes së tij që ai e mban fort në këmbë me karizmën vetjake dhe fatin që e ndjek pas, pavarësisht se me gjasë, nuk i njeh dot emër për emër ministrat anonimë të kabinetit të tij.
Një tjetër e dhënë e rëndësishme ishte se morën pjesë në votime rreth 30% e zgjedhësve. Përse ky refuzim dhe si mund të lexohet pjesëmarrja e ulët?
Është krejt e kundërta. Kjo është një shifër që duhet shumëzuar me dy: pjesmarrja në votime është në nivelin e rreth 60 për qind të qytetarëve me të drejtë vote. Sepse gati gjysma e tyre, pavarësisht se janë në listat e votimit, nuk ndodhen fizikisht në Shqipëri. Ky është fakti që pakkush e nënvizon. Dhe 60 për qind e shqiptarëve që vendosën të dalin në zgjedhje të dielën, në një ditë ku dukej se po shihnin një film të parë shumë herë, me siguri dhanë provën se në Shqipëri vota, ky mjet i mrekullueshëm i demokracisë është gjallë dhe besohet nga publiku. Edhe pse gjithmonë e më pak atë po e meritojnë ata që gjallojnë në politikë. Të cilët, në këto kohë dramatike e të errëta që po kalon vendi dhe gjithë bota, shkëlqejnë pafund me provincialitetin e tyre komik.