Protesta qytetare për uljen e çmimeve të hidrokarbureve dhe produkteve të shportës u mbajt edhe dje për të pestën ditë radhazi. Pjesëmarrësit kërkuan uljen e çmimeve të produkteve bazë të shportës dhe akuzun qeverinë për papërgjegjshmëri.
Dita e dielë, edhe pse pushim, qytetarët gjetën kohën për tju bashkuar protestës të organizuar mesditën e djeshme para kryeministrisë. Me pankarta në duar dhe me megafonë ata kanë kërkuar uljen e çmimeve të cilat po ndihen në çdo produkt por edhe në shërbime e sidomos në trasportin publik. Ashtu si një ditë më parë, ku pjesëmarrja e qytetarëve ishte masive, protestuesit janë nisur nga sheshi “Skënderbej” për t’u pozicionuar përpara Kryeministrisë, ku shumë aktivistë dhe qytetarë mbajnë fjalimet e tyre. Deri tani protesta është mbajtur larg ndikimeve politike, madje dhe në raste kur qytetarë janë përpjekur të shprehin bindjet e tyre, nuk janë lejuar nga organizatorët. Protesta të ngjashme tashmë po zhvillohen në shumë qytete të Shqipërisë, ku qytetarët e pakënaqur kërkojnë reagimin e menjëhershëm të qeverisë për të ulur ndikimin e krizës. Në disa raste protestuesit kanë bllokuar kryqëzimet dhe rrugët kryesore të qyteteve, duke sjellë dhe reagimin e Policisë, e cila ka arrestuar shumë prej tyre. Shumë prej tyre kishin dalë familjarisht edhe me fëmijët e tyre, ndërsa fjalimet theksonin shtrenjtimet e lëndëve bazë të jetesës, ushqime dhe karburante, që kanë sjellë një rritje zinxhir të çmimeve. Në të njëjtën kohë me protestën qeveria ishte në një mbledhje ku miratoi Aktin Normativ, përmes të cilit vendos një normë dhe monitoron çmimet e shitjes së nënprodukteve të naftës për konsumatorët. Pedagogu Ervin Goci deklaroi se kryeministri Edi Rama po përdor luftën në Ukrainë për propagandë. Ai i bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës me fatura në duar. “Hedh foto nga Ukraina për të shfrytëzuar në mënyrë banale, për te justifikuar vendimmarrje të qelbura që merr, tallje kolosale e interesave e vullnetit te njerëzve, e pafalshme se emergjenca jonë është të zgjidhen çështjet e çmimeve. Maqedonia hoqi fare TVSH për çmimet. Nafta nuk hyn nga gypi i x5 dhe llambat e iphone, x5 i kane ata ne s’kemi gjë. Nëse e shikon botën nga gypi i X5 bota të duket mirë por kur e sheh nga perspektiva e atyre që u janë kalbur dyert e shtëpisë e s’kanë mundësi të shtyjnë ditën bota duket ndryshe. Kryeministri po përpiqet të ndërtojë një shoqëri me kasta. Te varfrit i kame unë ne xhep e me 30 mije lek…ju të tjerët çfarë kërkoni ju? Ju jeni mëkatarë se jeni miliarderë, pse kështu ndahet shoqëria? Nafta hyn në çdo qelizë të shoqërisë”, tha pedagogu. Një tjetër protestues i bëri thirrje kryeministrit Rama të reagojë duke theksuar se nuk është turp të protestosh, por turp është të thuash jemi në luftë dhe të shkosh në Dubai. “Jemi sërish në ditën e pestë të protestës, të dinjitetit të qytetarëve, të rezistencës. Shqiptarët nuk kanë turp të protestojnë, të bashkohen. Kryeministri i cili i vë gishtin e turpit qytetarëve të vet, duhet të kuptojë së shumica janë në shesh, duke izoluar në vetmi prapa dyerve të herkurave. Turp është të vjedhësh, turp është të lësh popullin të varfër, turp është të thuash jemi në luftë dhe të shkosh në Dubai. Turp është kur bombat bien në Ukrainë dhe viktimat janë në Shqipërui. Turp është të mbash një vend më të varfrin në rajon, turp është të mos i japësh shëndetësinë qytetarëve, turp është ti mbash më të varfër në rajon, një popull pasuria a së cilës është më e larta në rajon. Ne dolëm për dinjitetin tonë, qytetarët dalin për hallin e vet, as për hallin e kryetarit apo të politikanit të radhës,. Sot jemi mbledhur sërish për t’i thënë që nuk dorëzohemi. Kërkojmë një jetë ashtu siç e meritojmë.”, u shpreh ai. Fermerët e Devollit janë grumbulluar sërish në një nga akset kryesore rrugore, në protestën e dytë para Drejtorisë së Bujqësisë. Fermerët kërkojnë uljen e çmimit të naftës dhe inputeve bujqësore pasi kanë falimentuar në situatën që janë. Ata po protestojnë paqësisht duke qëndruar në njërin krah të rrugës.