Nga Leonard Karaj
Në hetimin e dosjes së inceneratorëve SPAK dhe gjykata kanë arrestuar një ish-ministër të Ramës, Lefter Kokën dhe deputetin socialist, Alqi Bllako, ndërsa nuk dihet ende se deri ku mund të shkojë hetimi. A i lëkund kjo situatë pozitat e qeverisë? Rama është shprehur se përgjegjësia është individuale, por në gjykimin politik, a mban përgjegjësi për përfshirjen e këtyre individëve në listën e deputetëve të PS-së?
Afera e inceneratorëve është padyshimin më të vogël, vjedhja e shekullit. Në gjithë ekzistencën e këtij vendi, nuk arrij të gjej dot një skandal të të tilla përmasavenë dëm të xhepave të qytetarëve. Dhe më e keqja është se arrestimi i ish-ministrit Koka, i ish-deputetit Bllako dhe disa ish-drejtorëve dhe nëpunësve mund të jetë vetëm maja e ajsbergut. Mjafton të shikosh mënyrën sesi është bërë kjo procedurë që prej 2013-ës, me anashkalimin total të konkurencës; me stisjen e gjoja emergjencës së mbetjeve në disa bashki; me vënien në dispozicion të një kompanie të thuajse gjithë shtetit (ministri dhe pushtet vendor); të mënyrës së nënshkrimit të kontratës dhe më pas të zbatimit të saj; tek pagesat miliona euroshe ende pa bërë asnjë punë; te djegja e të çdo afati ligjor të mundshëm në dorëzimin e veprave; tek teknologjia e përdorur, e braktisur tashmë prej më shumë se 50 vitesh nga thuajse gjithë shtetet europiane dhe deri tek kostoja stratosferike që do duhet të paguajnë shqiptarët deri në vitin 2047-të. Në pak fjalë është një vjedhje me ligj, që me një Prokurori sadopak të aftë, sot do të kishim nën pranga kryebashkiakë, ministra, sekretarë dhe pse jo edhe deri Kryeministrin e vendit. Kaq e rëndë është kjo mega-aferë. Tani të thuash që Rama nuk ka ditur gjë, ose që nuk mban përgjegjësi për personat që ka emëruar si ministra, zv/ministra apo edhe drejtorë, kjo më e pakta është qesharake. Është tallje galopante ndaj mendjes edhe të një qytetari me “IQ” nën nivelin mesatar. Sigurisht që, në një vend normal (nuk po them në vende si ato skandinave, apo Gjermani, Francë, Luksemburg, etj), Kryeministri dhe qeveria e tij jo vetëm që nuk do mund të kishim mbijetuar asnjë sekodnë më shumë pas zbulimit të një skandali të tillë, por ca më pak, të rivotoheshin për të tretën herë në drejtim të vendit. Por, kur ke përballë, deri dje një opozitë totalisht të kapur si ajo që drejtonte Lulzim Basha, dhe sot, akoma nën letargji për shkak të përçarjes si kurrë më parë, atëherë, kuptohet që është e thjesht që edhe mega-sakndale të tilla, ti kalosh pa teklif fare. Madje, të kapardisesh edhe televizioneve dhe mediave, të tallesh me qytetarët e këtij vendi duke bërë sikur je shpëtimtari i këtij kombi dhe jo se ke vulosur vjedhjen e shekullit.
Brenda kampit të mazhorancës ka një përbërje ndryshe të Grupit Parlamentar, ku fillimisht ishte Mimi Kodheli që mori mandatin e deputetes, Fatmir Xhafaj që theu herësin duke marrë vota individuale dhe së fundmi Pandeli Majko që u bë deputet pasi mori mandatin e Bllakos. A është ky tregues që PS e “traditës” dhe koncepti i Rilindjes kanë një ndarje grupimesh, pavarësisht se i bashkon pushteti?
Shikoni, pavarësisht se në pamje të parë nuk duket, pasi të qenurit në pushtet të bën të ulësh kokën, të pranosh edhe të paparanueshmen, në PS vlon shumë herë më shumë sesa në PD. Historikisht Partia Socialiste ka pasur përplasje të bendshme, për shkak edhe të personazheve, deri diku edhe me më shumë karizëm sesa ka pasur PD-ja. Dhe pikërisht kjo gjë ka sjellë edhe më shumë qesëndira dhe andrralla për drejtuesit e kësaj force politike. Por kur je në pushtet, këto gjëra duken pak ose aspak, pasi në këtë vend njerëzit parimorë ose kanë vdekur politikisht, ose janë mbytur nga zëri i arrogancës dhe histerisë ndaj “1” të partisë. Ndaj nuk është çudi kur dëgjojmë histerizma të tilla si :”Skënderbeu im” apo “Zeusi im”. Në këtë këndvështrim, mos mendoni se në PS nuk ka grupime që çdo ditë i minojnë rrugën njëri-tjetrit. Është një luftë për mbijetesë dhe pushtet që kalon ndoshta edhe imagjinatën tonë, por që do të ravijizohen vetëm kur PS-ja të mos jetë më në drejtim të vendit. Atëherë keni për të parë sesa e brishtë është edhe kjo forcë politike, pavarësisht organizimit shumë herë më të mirë përkudrejt të gjitha partive të tjera.
Kongresi i Partisë Socialiste do të mblidhet pas pak ditësh. Kryeminstri vendosi që mandati i Kryetarit të Partisë është katër vjet dhe nëse humbet zgjedhjet duhet të japë menjëherë dorëheqjen, gjithashtu pritet të largohen edhe 61 kryetarët e PS-së në rrethe, përse kjo lëvizje?
Rama, më mirë se cilido po kupton se për të mbajtur pushtetin duhet me patjetër të rinovojë partinë. Dhe këtë gjë mund ta bëjë vetëm nëpërmjet lëvizjesh të tilla si në kongresin e radhës. Shkarkimi edhe i të gjithë kryetarëve të degëve është një shenjë se kryeministri dëshiron që të largojë nga partia, me një lloj dobiçllëku të gjithë të përlyerit e këtyre viteve në pushtet, ku sigurisht nuk do të përfshijë vetvehten. Pra, është fiks si ajo shprehja: “bëni siç iu them unë dhe mos bëni siç bëj unë”. Rama është mjeshtër i “PR”. Është politikan race, i vetmi në këto 30 vite që ka kuptuar sesi të qëndrojë në pushtet edhe vetëm me demagogji. Dhe për këtë gjë përdor me shumë mjeshtëri partinë, duke bërë gjoja sikur po e rifreskon me fytyra të reja, të cilat janë thjesht një makiazh për fitoren e radhës në zgjedhje.
Duke parë zhvillimet në kampim e PD-së, me përçarje, akuza dhe shpërbërje edhe ideologjike, që vijnë nga drejtime me “dorë të hekurt” dhe autoritare të kryetarve, a mund të nisë një “katarsis” edhe brenda PS-së, apo në këtë rast janë me parimin: “sa të jemi në pushtet mbështesim kryetarin dhe mënyrën e drejtimit të tij, dhe nëse humbet akuzojmë kryetarin?
Nuk do ketë “katarsis” në PS, teksa kjo forcë politike do jetë në pushtet dhe drejtohet nga Rama. Edhe pse aty, siç e thashë edhe më lart, ka disa rryma kundradiktore. Ka disa personazhe që as për kafe kanë kohë që nuk ulen më me njëri-tjetrin, asgjë nuk do të ndodhë përderisa janë në pushtet. Prova e zjarrit për këtë forcë do të jetë dita e parë në opozitë, të cilën fatkeqësisht, por shumë fatkeqësisht për këtë vend, unë e shoh ende shumë të largët.