25 presidentët Francës nga Louis Napoleon Bonaparte në viti 1848 te Emmanuel Macron

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mentor HOXHA – Paris

Që nga viti 1848, kur u zgjodh Presidenti i Parë i Republikës së Francës e deri më sot, janë 25 persona që kanë ushtruar funksionin suprem në krye të Francës. Shumë nga këta burrshtetas të shquar kanë patur një rol të madh edhe në ngjarjet më madhore të historisë së Shqipërisë dhe të Kosovës. Ndikimi i tyre në trojet shqiptare ka qenë shumë i madh. Disa prej tyre, si Zhak Chirak dhe Nicolas Sarkozy dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Armand Fallières ishte president i Francës (1906-1913) kur Shqipëria shpalli Pavarësinë nga Perandoria Osmane më 28 nëntor 1912, Raymond Poincaré ishte President i Francës (1913-1920) kur shteti shqiptar dhe trojet shqiptare u vunë në tryezën e Konferencës së Paqes në Paris, ndërsa Paul Deschanel ishte Presidenti që vendosi marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë dhe hapi Ambasadën e parë franceze në Tiranë. Nga 16 qershori i vitit 1922 kur u vendosën për herë të parë lidhjet diplomatike Shqipëri -Francë këto marrëdhënie nuk janë ndërprerë asnjëherë, madje as në periudhën 45 vjeçare të regjimit komunist, kur Shqipëria e Enver Hoxhës nuk kishte marrëdhënie diplomatike me asnjë shtet perëndimor, përveç Francës.

Po kush janë këta 25 burrështetas francezë që nga viti 1848 e deri më sot? Cilat ngjarjet kryesore që shënuan mandatin e tyre presidencial?

 

Louis -Napoléon BONAPARTE (1808-1873). Presidenti i parë i Republikës Franceze (1848-1852) dhe Presidenti i parë i Republikës së Dytë. U zgjodh në 10 dhjetor 1848 me votim të përgjithshëm, me gati 75% të votave. Ishte 40 vjeç e 8 muaj kur u bë president. Ai e shpalli veten perandor dhe mori emrin e Napoleonit III. Tre vjet pas zgjedhjeve, grushti i shtetit i dha fund Republikës së Dytë. Nën Perandorinë e tij, Franca përjetoi progres ekonomik. U krijua një sistem bankar, u zhvilluan hekurudha dhe nisi transformimi i qyteteve të mëdha etj.). Ishte nipi i Napoleonit I. (Portreti zyrtar i Louis -Napoléon Bonaparte. © La Documentation française, Lafosse d’après nature).

 

Adolphe THIERS (1797-1877). Presidenti i dytë i Francës  (1871-1873) dhe Presidenti i parë i Republikës së Tretë. Pas rënies së Perandorisë së Dytë, u emërua, në shkurt 1871, kryetar i pushtetit ekzekutiv -domethënë kreu i shtetit dhe i qeverisë. Gjashtë muaj më vonë u emërua President i Republikës së Tretë. Pas dy vitesh do të rrëzohet nga posti. Mandati i tij u shënua nga paqja me Prusinë, humbja e Alsace-Lorraine dhe shtypja e rëndë e Komunës së Parisit. (Portreti zyrtar i Adolphe Thiers. © La Documentation française).

 

Patrice de Mac MAHON (1808-1893). Presidenti i tretë i Francës (1873-1879) dhe Presidenti i dytë i Republikës së Tretë. U zgjodh president nga shumica mbretërore në mbrëmjen e dorëheqjes së Adolphe Thiers. Mahon ishte një ushtar karriere, por nuk mundi të rivendoste monarkinë. Në 1879 u detyrua të dorëhiqet pasi nuk pati shumicën parlamentare. “Presidenti ka vetëm këtë zgjedhje: duhet të dorëzohet ose të japë dorëheqjen”, deklaroi Léon Gambetta. Gjatë mandatit të tij, ai caktoi mandatin presidencial. (Portreti zyrtar i Patrice de Mac Mahon. © Documentation française. Photo Eugène Appert).

 

Jules  GRÉVY (1807-1891). Presidenti i katërt i Francës (1879-1887) dhe Presidenti i tretë i Republikës së Tretë. U zgjodh pak orë pas dorëheqjes së Mahon. Gjatë mandatit të tij, shtëpia e Kryetarit të Shtetit bëhet zyrtarisht Pallati Elysee. U rizgjodh në 1885. Dy vjet më pas detyrohet të jap dorëheqjen pas skandalit të shkaktuar nga zbulimi i një tregtie dekorash ku ishte përfshirë dhëndri i tij, Danie Wilson. (Portreti zyrtar i Jules Grévy. © Bibliothèque nationale de France. Diffuseur. La Documentation française).

 

Sadi CARNOT (1837-1894). Presidenti i pestë i Francës (1887-1894) dhe Presidenti i katërt i Republikës së Tretë. U zgjodh në 1887 kundër Jules Ferry. Ndërsa një shpërthim anarkist tronditi gjithë Evropën, ai goditet me thikë për vdekje gjashtë vjet më vonë, gjatë një udhëtimi në Lion. U vra nga anarkisti italian, Jeronimo Caserio. Pas një funerali kombëtar në Notre-Dame, varroset në Pantheon. Nga ngjarjet që shënuan mandatin e tij veçohen: njëqindvjetori i Revolucionit Francez dhe përurimi i Kullës Eifel. (Portreti zyrtar i Sadi Carnot. © La Documentation française. Photo: Présidence de la République).

 

Jean Casimir -PERIER (1847-1907). Presidenti i gjashtë (1894-1895) dhe Presidenti i pestë i Republikës së Tretë. U zgjodh në moshën 46-vjeçare. I zhgënjyer nga funksioni, i margjinalizuar brenda ekzekutivit dhe i sulmuar nga socialistët dhe Jean Jaurès, detyrohet të dorëheqet pas 6 muajsh e 16 ditësh duke mbajtur kështu mandatin më të shkurtër në Elysee. Me origjinë nga një familje bankierësh dhe industrialistësh, ku disa anëtarë mbanin përgjegjësi politike kombëtare. (Portreti zyrtar i Jean Casimir-Perier. © La Documentation française. Photo: Présidence de la République).

 

Félix FAURE (1841-1899). Presidenti i shtatë (1895-1899) dhe Presidenti i gjashtë i Republikës së Tretë. Mandati i tij u karakterizua nga aktiviteti i dendur diplomatik, veçanërisht nga forcimi i aleancës me Rusinë, por dhe nga çështja Dreyfus. Pikërisht atij, Emile Zola i drejtoi letrën e famshme të hapur “J’accuse… !” (Unë akuzoj!) në një nga “L’Aurore”. Është Presidenti i parë që do të vdesë në Elysee nga një hemorragji cerebrale, dhe, sipas disa gazetave, në rrethana të veçanta (në krahët e zonjës së tij). Para se të hynte në politikë, bëri shumë pasuri me tregti. (Portreti zyrtar i Félix Faure. © La Documentation française. Photo Présidence de la République).

 

Émile LOUBET (1838-1929). Presidenti i tetë (1899-1906) dhe Presidenti i parë i Republikës së Tretë që shërbeu për një mandat të plotë 7 vjeçar. Mandati i tij u shënua veçanërisht nga falja e kapitenit Dreyfus, shpallja e ligjit të vitit 1901 për shoqatat dhe ai i ndarjes së kishës nga shteti. (Portreti zyrtar i Émile Loubet. © La Documentation française. Photo: Présidence de la République).

 

 

Armand FALLIERES  (1841-1931). Presidenti i nëntë (1906-1913) dhe Presidenti i dytë i Republikës së Tretë. Mandati i tij u shënua nga trazira të forta sociale dhe nga dështimi i tij për të hequr dënimin me vdekje. Edhe pse shumë popullor, ai heq dorë nga një mandat i dytë. “Vendi nuk është i keq, por nuk ka avancim”, deklaron ai me ironi. (Portreti zyrtar i Armand Fallières. ©La Documentation française. Photo: Présidence de la République).

 

Raymond POINCARÉ (1860-1934). Presidenti i dhjetë (1913-1920) dhe Presidenti i tretë i Republikës së Tretë. Mandati i tij shënohet padyshim nga Lufta e Parë Botërore(1914-1918), gjatë së cilës ai zgjedh një bashkim të shenjtë, një lëvizje e afrimit politik që do të bashkojë francezët e të gjitha tendencave. (Portreti zyrtar i Raymond Poincaré. ©La Documentation française. Photo: Présidence de la République).

 

Paul DESCHANEL (1855-1922). Presidenti i 11-të (18 shkurt -20 shtator 1920) dhe Presidenti i katërt i Republikës së Tretë. U zgjodh në janar 1920. Shtatë muaj (21 shtator 1920) pas zgjedhjes u detyrua të jep dorëheqjen për arsye shëndetësore. Largohet nga Elysée dhe shtrohet në spital. Shërohet shpejt, rikthehet në politikë dhe zgjidhet senator. Zëvendëson Raymond Poincaré në Komitetin e Punëve të Jashtme të Senatit. (Portreti zyrtar i Paul Deschanel. © La Documentation française. Photo: Présidence de la République).

 

Alexandre MILLERAND (1859-1943). Presidenti i 12-të (1920-1924). Dhe Presidenti i pestë i Republikës së Tretë. Gjatë mandatit të tij, ai ishte veçanërisht kundër detentimit me Gjermaninë dhe shprehu synimin e tij për të zvogëluar rolin e Parlamentit. Fitorja e Cartel des gauches në zgjedhjet legjislative në 1924 e detyroi të dorëhiqet. (Portreti zyrtar i Alexandre Millerand. © Bibliothèque nationale de France. Diffuseur La Dokumentation française).

Gaston DOUMERGUE (1863-1937). Presidenti i 13-të (1924-1931) dhe Presidenti i  gjashtë i Republikës së Tretë. Presidenca e tij u shënua nga paqëndrueshmëria e fortë ministrore – 11 qeveri. Ishte beqar kur mori detyrën dhe është presidenti i parë që do martohet gjatë mandatit të tij. Pas largimit nga Elysee, u tërhoq nga politika, por, ende popullor, u rikthye si President i Këshillit në 1934 për të formuar një qeveri të unitetit kombëtar. Karriera e gjatë politike (disa herë Ministër, President i Këshillit dhe më pas i Senatit – kulmoi me hyrjen e tij në Elysee në vitin 1924. (Portreti zyrtar i Gaston Doumergue. © Bibliothèque nationale de France. Diffuseur La Documentation française).

 

Paul DOUMER (1857-1932). Presidenti i 14-të (1931-1932) dhe Presidenti i shtatë i Republikës së Tretë. Ai i jep Kreut të Shtetit më shumë prestigj moral sesa një rol politik. U vra më pak se një vit pas mbërritjes në Elysee nga emigranti i ri rus, Paul Gorgulov që vuante nga çrregullime mendore. Pas funeralit në Notre-Dame dhe Pantheon, u varros në kasafortën familjare të varrezave Vaugirard. Duke ardhur nga një familje modeste, Doumer është një shembull i rritjes sociale përmes shkollimit. Korier në moshën 12-vjeçare, më pas punëtor, do të bëhet bachelor falë orëve të mbrëmjes, para se të shkojë në arsimin e lartë. (Portreti zyrtar i Paul Doumer. © Bibliothèque nationale de France. © Diffuseur La Documentation française).

Lexo edhe :  Parashikimi i horoskopit 3 mars, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

 

Albert LEBRUN (1871-1950). Presidenti i 15-të (1932-1940) dhe Presidenti i tetë i Republikës së Tretë. Më 10 maj 1932 u zgjodh president për herë të parë. Shtatë vitet e tij panë 15 presidentë të Këshillit njëri pas tjetrit, duke përfshirë në 1936 kundërshtarin e tij, socialistin Léon Blum. Mandati i tij i dytë që filloi në prill 1939 u ndërpre nga lufta me Gjermaninë. Në korrik 1940, u detyrua t’ia dorëzojtë pushtetin Philippe Pétain. I transferuar në Isère, më pas i vënë në arrest shtëpiak, rrëmbehet nga Gestapo dhe deportohet në Austri. Pas çlirimit ai nuk do gjen funksionet e tij në Elysee siç kishte shpresuar. Me profesion inxhinier. (Portreti zyrtar i Albert Lebrun. © La Documentation française. Photo: Présidence de la République).

 

Vincent AURIOL (1884-1966). Presidenti i 16-të (1947-1954) dhe Presidenti i parë i Republikës së Katërt. Në 16 janar 1947 zgjidhet President i Republikës dhe i Unionit Francez, në votimin e parë nga Kuvendi i Kongresit në Marsejë. Ishte 62 vjeç. U largua nga Elysee në 1954 pa kërkuar një mandat të dytë. Djali i një bukëpjekësi, avokat i trajnuar, disa herë ministër, veçanërisht në qeveritë e Blumit, ai i bashkohet Rezistencës në 1942 përpara se të kryesonte Kuvendin nga viti 1946. (Portreti zyrtar i Vincent Auriol: © La Documentation française, Photo: Harcourt).

 

René COTY (1882-1962). Presidenti i 17-të (1954-1959) dhe presidenti i dytë i Republikës së Katërt. Në 23 dhjetor 1953 u zgjodh President i Republikës dhe i Bashkimit Francez në raundin e 13-të. Ishte 72 vjeç. Mandati i tij zgjati më pak se pesë vjet. Në 1958, në mes të luftës në Algjeri dhe nga puçi i Algjerit u  frikësuq nga një grusht shteti ushtarak ndaj udhëzoi gjeneralin de Gaulle të formonte një qeveri të re. Disa muaj më vonë, u shpall Kushtetuta e Republikës së Pestë. Në janar 1959, ia dha pushtetin Gjeneralit De Gaulle, të cilin ai e quajti “më ilustruesi i francezëve”. (Portreti zyrtar i René Coty. © La Documentation française. Photo: Présidence de la République).

 

Charles de GAULLE (1890-1970). Presidenti i 18-të (1959-1969) dhe Presidenti i parë i Republikës së Pestë. U zgjodh më 21 dhjetor 1958  President i Republikës Franceze dhe i Komunitetit Afrikan dhe Malagasy nga një kolegj prej 80.000 zgjedhësish. Gjashtë vjet më vonë, u rizgjodh për një mandat të dytë, këtë herë me votim të drejtpërdrejtë ku mundi François Mitterrand në raundin e dytë. U largua nga pushteti në 1969, pas dështimit të një referendumi për projektin e tij të rishikimit institucional. (Portreti zyrtar i Charles de Gaulle.  © La Documentation française. Foto Jean-Marie Marcel).

 

Georges POMPIDOU (1911-1974). Presidenti i 19-të (1969-1974) dhe Presidenti i dytë i Republikës së Pestë. Në 15 qershor 1969 fiton zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe merr detyrën nga De Gaulle, kryeministër i të cilit ishte. Vdekja e Pompidou ndërpret mandatin e tij pas 4 vitesh e nëntë muajsh. Vdiq në shtëpinë e tij në Ile Saint Louis, më 2 prill 1974 nga sëmundja e Waldenstro. (Gjatë mandatit të tij, Franca përjetoi një ngritje të paprecedentë ekonomike dhe sociale dhe nisën projekte të mëdha të zhvillimit industrial: TGV, autostrada, telefonia etj. (Portreti zyrtar i Georges Pompidou. © La Documentation française. Photo. Foto: François Pagès /Paris-Match).

 

Valéry GISCARD D’ESTAING (1926-2020). Presidenti i njëzetë (19 maj 1974- 19 maj 1981) dhe Presidenti i tretë i Republikës së Pestë. Më 1974 organizohet një zgjedhje e re presidenciale dhe pas një fushate ekspres, centristi Valéry Giscard d’Estaing, ish-ministër i financave i De Gaulle dhe Pompidou, fiton ngushtë (50.8% të votave) kundër François Mitterrand. Ndër masat e forta të mandatit të tij 7-vjeçar janë: ulja e moshës ligjore në 18 vjeç, dekriminalizimi i abortit, vendosja e divorcit me pëlqim reciprok, e drejta e referimit në Këshillin Kushtetues dhe forcimi i ndërtimit europian. Në 1981 nuk do të zgjidhet më. Një vit më pas, rikthehet në politikë dhe zinxhiron disa mandate elektorale. Lindi më 2 shkurt 1926 në Koblenz, Gjermani, vdiq në moshën  94 vjeçare. (Portreti zyrtar i Valéry Giscard d’Estaing. © La Documentation française. Photo: Jacques Henri Lartigue).

 

 

François MITTERRAND (1916-1996). Presidenti i 21-të i Francës (1981-1995) dhe Presidenti i katërt i Republikës së Pestë. U zgjodh në dy mandate radhazi. Në 1981,  u bë presidenti i parë socialist i Republikës së Pestë. U rizgjodh në 1988, duke mbajtur kështu rekordin për jetëgjatësinë në Elysee. Dy mandatet e tij u shënuan nga një sërë masash sociale: nga zgjerimi dhe forcimi i lirisë dhe shprehjes, nga modernizimi i kodit penal, heqja e dënimit me vdekje, dalja në pension në moshën 60 vjeç dhe java e 5-të e pushimeve me pagesë), nga “projektet e mëdha”: Arche de la Defense, Luvri i Madh dhe Biblioteka Kombëtare që mban emrin e tij. Ai është presidenti i parë që emëroi një kryeministre femër -Edith Cresson. Tetë muaj pas largimit nga Elysee vdiq nga kanceri që e kishte mbajtur të fshehur nga viti 1981 deri në 1992. (Portreti zyrtar i François Mitterrand. © La Documentation français. Photo Gisèle Freund).

 

Jacques CHIRAC (1932-2019). Presidenti i 22-të i Francës (1995-2007) dhe Presidenti i pestë i Republikës së Pestë. U zgjodh në dy mandate radhazi. Mandatin e parë e fitoi më 7 maj 1995. Në 1995, me zgjedhjen e Jacques Chirac, ish-kryetar i bashkisë së Parisit dhe ish-kryeministër, e djathta goliste mori frenat e Elysee-s pas 21 vitesh mungesë. Në 2000, mandati i kreut të shtetit u reduktua në 5 vjet dhe kalendari zgjedhor u ndryshua (zgjedhjet legjislative në vazhdën e atyre presidenciale). Në 5 maj 2002 u rizgjodh me më shumë se 82% të votave, duke përfituar nga një mobilizim i paprecedentë për të bllokuar kandidatin e FN -Jean-Marie Le Pen, e djathta ekstreme që për herë të parë u kualifikua në raundin e dytë. (Portreti zyrtar i Jacques Chirac. © La Documentation française. Foto Bettina Rheims).

 

Nicolas SARKOZY (1955). Presidenti i 23-të i Francës (2007-2012) dhe Presidenti i gjashtë i Republikës së Pestë. U zgjodh me 6 maj 2007 me 53.06 % të votave. Fitoi zgjedhjet presidenciale kundër socialistes, Ségolène Royal (e para grua në historinë e Francës e kualifikuar në raundin e dytë). Mandati i tij u karakterizua dukshëm nga një thyerje e stilit me paraardhësit e tij: i gjithëpranishëm, ai e sjell Republikën e Pestë në një regjim pothuajse presidencial. Rikandidoi në 2012, por u mund nga socialisti François Hollande. Duke menduar të hakmerret në zgjedhjet presidenciale të 2017-ës, ai dështon duke u eliminuar në raundin e parë parazgjedhor ku do të përcaktohej kandidati i djathtë për Elysee. (Portreti zyrtar i Nicolas Sarkozy. © La Documentation française. Photo: Philippe Warrin).

 

 

François HOLLANDE (1954). Presidenti i 24-të i Francës (2012-2017) dhe Presidenti i shtatë i Republikës së Pestë. U shpall fitues në maj 2012 me 51.6% të votav  kundër Nicolas Sarkozy. Pesë vjet më vonë, ndërsa po thyente rekordet e mospopullaritetit, hoqi dorë nga kandidimi për një mandat të dytë: i pari nën Republikën e Pestë që nuk kandidon. Presidenca e tij shënohet veçanërisht nga votimi për martesat e të njëjtit seks, mbajtja në Paris e një konference të madhe ndërkombëtare për klimën (Cop 21) dhe mbi të gjitha , vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme pas disa sulmeve terroriste në tokën franceze (Portreti zyrtar i François Hollande: © DILA -La Documentation française. Photo: Raymond Depardon).

 

Emmanuel MACRON (1977). President i 25-të (14 maj 2017 e në vijim) dhe Presidenti i i tetë Republikës së Pestë Franceze. I zgjedhur në dy mandate radhazi. Herën e parë u zgjodh më 7 maj 2017 ku mundi kandidatën e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen. Herën e dytë u zgjodh me 24 prill 2022 ku sërish mundi në raundin e dytë, Marine Le Pen. Me zgjedhjet presidenciale të 2017-ës, francezët hapën një kapitull të ri në historinë e Republikës së Pestë, duke ia besuar frenat e vendit një burri nën 40 vjeçar, i panjohur për publikun e gjerë deri në hyrjen e tij si Ministër i Ekonomisë në 2014. Në prill 2016, ai themeloi lëvizjen e tij “En Marche” për të “rinovuar jetën politike franceze” dhe në prill të po atij viti u përball për herë të parë me të drejtën universale të votës, ku edhe fitoi në raundin e dytë përballë Marine Le Pen. I lindur në dhjetor 1977 në Amiens, në Somme. Studioi filozofi përpara se të bashkohej me Shkollën Kombëtare të Administrimit (ENA), ku u diplomua në 2004. Më pas iu bashkua Inspektoriatit të Përgjithshëm të Financave (IGF) ku punoi për 4 vjet përpara se t’i bashkohej sektorit bankar. Në 2012 u emërua Zv/Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës së Republikës. U largua nga detyra në korrik 2014 përpara se të bëhej Ministër i Ekonomisë, Industrisë dhe Dixhitalit (gusht 2014-gusht 2016). (Portreti zyrtar i Emmanuel Macron. Photo: Soazig de la Moissonnière DILA-La Documentation française).

 

(Shënim: U shfrytëzuan materiale nga portali elysee.fr dhe nga lesechos.fr).

 

 

Të fundit

“Humba ndjenjat dhe…”, çfarë i ndodhi G-Banit gjatë fluturimit për në Londër?

Ish-banori i “Big Brother VIP 4”, G-Bani, ka ndarë një përvojë të vështirë gjatë fluturimit të tij drejt Londrës,...

Ratifikimi i marrëveshjes për pensionet me Italinë, reagon Rama: Ia dolëm!

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një arritje miratimin e marrëveshjes në Senatin italian, e cila garanton përfitimin e pensioneve për emigrantët shqiptarë...

“Kemi ende punë përpara”/ Rama: Këtë mandat do kapim trenin e BE

“Duke pasur parsysh që negociatat i hapëm vjet, madje në gjsymën e dytë të vitit të shkuar, negociatat do zgjasin 3 vjet. E pandodhur...

Kush po na i dhunon dhe vret fëmijët?

Nga Mentor Kikia (Me shkas nga vendimi i qeverisë për të mbyllur platformën Tik-Tok) Po përpiqem të jem telegrafik! Dhunën në mesin e fëmijëve e shkakton: 1-Prindërit: Kur...

Muaji i madhërishëm i Ramazanit, ky është ‘iftari’ i këngëtarit të njohur Yll Limani

Këngëtari i njohur, Yll Limani është shumë aktiv në rrjetet sociale, sidomos në Instagram. Ai mbrëmë ka publikuar InstaStory ku shihet teksa mbanë një fëmijë...

Lajme të tjera

Web TV