Ish-kryeministri Sali Berisha ka votuar në selinë e PD në zgjedhjet për kreun e ri të kësaj force.
Ashtu si të gjithë anëtarët e PD, edhe Berisha i është drejtuar sot kutisë së votimit për të votuar për kreun e ri të PD i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha. Teksa u ndal për mediat pas votimit, Berisha e cilësoi procesin historik jo vetëm për Partinë Demokratike, por për mbarë Shqipërinë.
Berisha iu bëri thirrje anëtarëve të marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së kreut të PD.
“Së pari përshëndes demokratët dhe demokratet, komisionerët e 108 qendrave të votimit në mbarë Shqipërinë dhe i uroj të marrin pjesë të gjithë në këtë proces historik jo vetëm për PD por edhe për Shqipërinë dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë.
Të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre për kandidatin që duhet. Theksova që ky është proces historik jo vetëm për PD por për mbarë Shqipërinë sepse finalizon triumfin e vullnetit të anëtarëve të kësaj partie me votën e tyre”, tha Berisha.
Procesi i votimit i cili ka nisur në orën 08:00 dhe po zhvillohet në 108 qendra qendra votimi, pritet të mbyllet në orën 18:00. Sipas Rithemelimit anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD do të votojnë në njërën prej dy qendrave të votimit në Selinë Qendrore të Partisë Demokratike, ose në degët ku ata janë të deleguar pasi të kenë njoftuar pranë Komisionit.