Nga Zhuljeta Grabocka
Të përcaktuarit e titullit të një vëllimit është një lloj pagëzimi hyjnor në heshtje me vetveten, me paqen, me amëshimin në procesin e kryerjes së një misioni. Poetja fizikante, Liliana Ruço, kërkon që kënga, poezia në tërësi, në jetë të jetëve, të mbetet rezonanca e shpirtit që përsos njerinë.
Vetë titulli “Stina e pestë” të kujton simbolikën flijuese të “33”viteve të moshës së Krishtit. I gjithë procesi krijues, kërcet nën nguljen e peronave në mish-jetën, aty ku misteri e aparenca e bën peshën e fjalës të flakërojë në apokalipsin e ndjenjave.
Poetja pas vëllimit të parë “Puthja e mbrëmjes” nuk mendonte se një vëllim i dytë me fabula poetike të sinqerta, në racionalitetin e brishtë femëror do e bënte edhe këtë vëllim po aq të mirëpritur sa edhe të parin!
Flokët e dimrit quhen dëborë/ petale quhen flokët e pranverës…
Po brenga, vuajtja, ndarja/ mos më thoni që flokët e tyre e kanë emrin lot/
E gjithë ngrehina ciklore e vëllimit flet për njohje të mirë, prej autores të kulturës së vargëzimit dhe muzikalitetit të brendshëm, si një sinfoni e ndjenjës dhe mendimit.
Që jeta ndryshe të rrjedhë/ nga bashkësia e njerëzve, duhet një i përzgjedhur/ Adami i rizanafillës, ndoshta një… Poet/
Misioni i saj poetik drithërohet, lutet në fatalitetin e pashmangshëm të jetës e mbetet brenda një guaske, si brilant i shtrenjtë dashurie që dhe i plagosur fluturon me një krah!
Më kishte ngrirë vargu, plevitosur/ Tmerruar, si një sy para greminës/
apo:
Pikoi streha e qerpikëve shiun e pranverës/
mbi petalin e butë të faqes rozë./
Trishtimi hyri brenda meje…
apo:
Ti mjegull, e papritur ç’deshe të fshehësh sot?/
E bardhë,e hajthme, tinzare,
dikë që qetësisht kish derdhur një lot.
Vargu meditativ i Lilianës është filozofik. Metafizika e jetës buron pa sforco në ndërthurrjen ndërtekstore me origjinalitetin e njeriut që jeta i ka dhënë të provojë gjithçka. Poezitë e saj prezantojnë të përditshmen me poetiken e tyre… më e para fjalë që ngroh si diell është dashuria. Legjendat e kahershme Diell-Tokë, Det – Erë, mes stuhive e dallgëzimeve, në atë kuptim:
Ish mrekullia …e unë s’kam fjalë ta them/
Me kaq kam thënë ç’është e vërtetë/
Ish vetë lumturia në planetin tim,/
E unë kulmi i saj i qielltë!
“Stina e pestë” është stina, ku njeriu e firmos me fisnikërinë e shpirtit të tij një testament shpirtëror.
Urime Liliana Dhimo Ruço