Më 21 qershor të vitit 1920, trupat franceze u larguan nga Korça duke e lënë administratën e tyre të “Republikës Autonome” në duart e një komiteti shqiptar. Trupat shqiptare tashmë kishin siguruar territorin e Shqipërisë deri në kufirin e 1913-s me Greqinë…
… Për shkak të zhvillimeve në frontin maqedonas të Luftës së Parë Botërore, qyteti i Korçës ra nën kontrollin francez (1916–20). Gjatë kësaj kohe 14 përfaqësues të Korçës dhe koloneli francez Descoins nënshkruan protokollin e shpalljes së Republikës Autonome Shqiptare të Korçës nën protektoratin ushtarak të Ushtrisë franceze dhe me Themistokli Gërmenji si prefekt i policisë. Autoritetet e reja paraqitën shqipen dhe frëngjishten si gjuhë zyrtare dhe zëvendësuan shkollat greke me shkolla shqipe, që ishin të ndaluara gjatë administrimit grek të qytetit. U caktuan dhe ministrat, në detyrat përkatëse dhe rezultatet e mira që patën ministritë e financës, e arsimit dhe e luftës ishin përtej pozitives. U emëtuan dhe kartëmonedhat (frangat) e para Korçare, të personalizuara me simbolikat e popullsisë, në njërën anë kisha, në tjetrën xhamia. Në fund të vitit 1917, Gërmenji u akuzua për bashkëpunim me Fuqitë Qendrore (Gjermani, Austro-Hungari, Turqi, Bullgari), u dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake franceze dhe u ekzekutua në Selanik. Më vonë u bë e qartë se anëtarët e gjykatës ishin keq-informuar nga agjentë grekë që dëshironin mënjanimin e Germenjit nga skena – ndërkohë që Athina pretendonte Korçën.
Rreziku i aneksimit grek
Shpallja e Vetëqeverimit shqiptar të qarkut të Korçës më 10 dhjetor 1916 është cilësuar si një ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë. Ajo kishte shkakësi historike rrezikun e aneksimit të tij nga Greqia, para Luftës së Parë Botërore, gjatë dhe pas saj. Siç dihet, përgjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912 dhe më pas, qarku i Korçës dhe i Gjirokastrës u pushtuan nga ushtria greke, e cila vendosi një regjim ushtarak, që bashkë me andartët dhe bandat kriminale të sjella nga Kreta dhe “batalionet e shenjta” të krijuara në Shqipëri, kryen gjenocid ndaj popullsisë shqiptare në vitet 1913-14, siç janë masakrat e përgjakshme në fshatrat kufitare të Kolonjës e të Leskovikut, Përmetit, Skraparit, Gjirokastrës, Tepelenës.
Me pushtimin e Shqipërisë nga ushtritë e bllokut qendror, atdhetari i shquar shqiptar, Themistokli Gërmenji, së bashku me disa shokë, nga Sofja erdhi në Shqipëri dhe u vendos në afërsi të Korçës, fillimisht në Pogradec, që ndodhej në zonën e ushtrisë bullgare. Këtu ai krijoi çeta të armatosura, të cilat bashkëpunuan me çetat e formuara nga Sali Butka dhe që u përkrahën nga austro-hungarezët. Qëllimi i tyre i përbashkët ishte, të largonin pushtuesin grekë nga Shqipëria e Jugut dhe, duke shfrytëzuar kontradiktat e fuqive, të pengonin kështu orvatjet aneksuese të Qeverisë së Athinës. Me marrjen e Korçës nga ushtria franceze, rrethanat fillimisht nuk ndryshuan në të mirë të shqiptarëve, sepse francezët nuk e pranuan kërkesën e shqiptarëve që të largohen grekët dhe ngritjen e një administrate shqiptare. Ngjarjet e më vonshme luftarake, i bindën pushtuesit francez, se forcat shqiptare ishin të rëndësishme dhe se grekët, si të huaj në atë vend, nuk mund t’u hynin në punë.
Më 10 dhjetor, 1916, koloneli Dekuan nënshkroi me përfaqësuesit e Korçës një protokoll, sipas të cilit, qyteti i Korçës me rrethet Bilisht, Kolonjë, Gorë dhe Opar, formon një krahinë “autonome”, e cila do të administrohej nga shqiptarët, nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze. Shpallja e autonomisë me emrin “Republikë” u bë në një mbledhje solemne ku mbajtën fjalime nga Themistokli Gërmenji dhe koloneli Dekuan.
Më 19 tetor 1916, Nikolla Pashiq, nga Korfuzi, u dërgoi të gjitha përfaqësive diplomatike serbe një pasqyrë të gjerë rreth siç do të shprehet “çështjes shqiptare”. Pashiqi, pasi e përshkruante situatën e përgjithshme politike e ushtarake në Shqipëri, ndalet në disponimin e nacionalistëve shqiptarë të jugut, të cilët, sipas tij, edhe pse ndaj tyre “ishin indiferent”, disa nga ata, më me zë, konsideroinin se Shqipëria nuk mund të ekzistoj si shtet i pavarur, dhe “pasi u mashtruan” nga austro-hungarezët e bullgarët, ata vlerësojnë se tash më së mirë është të “bashkëpunojnë me Serbinë”, përkatësisht të “pranojnë që Shqipëria të bëhet provincë autonome e Serbisë, me kusht që mos t’u vendosen kufijtë midis shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës e të Dibrës…”.
Themistokli Gërmenji
Në fund të qershorit 1917, kryeministri grek, Venizellos, i kërkoi Parisit ndryshimin e situatës në Korçë, suprimimin e administratës shqiptare dhe kalimin përfundimtar të krahinës së Korçës në duart e autoriteteve greke. Menjëherë pas kësaj, autoritetet franceze ndërmorën masa ndëshkuese ndaj krerëve shqiptar të Korçës, duke e burgosur udhëheqësin e tyre, Themistokli Gërmenjin, i cili më vonë edhe u pushkatua.
“Unë jam një patriot shqiptar. Nuk kam asnjë shkak armiqësie kundër francezëve. Nuk kam qenë kurrë kundër jush, por me ata që më dukej se garantonin lirinë e atdheut tim. Unë grekët i shikoj si armiqtë tanë më të mëdhenj. Kam marrë armët për t’i luftuar. Tash që autoritetet franceze larguan nga Korça përfaqësuesin e qeverisë greke, nuk kam më asnjë arsye për të qëndruar në mal. Vij pra tek ju si një njeri plotësisht lojal. Kimëni në dispozicion. Nuk kërkoj gjë tjetër veçse t’ju ndihmoj e të vë në shërbimin tuaj influencën time mbi popullsitë”.
Nga këto fjalë atdhetare të Themistokliut, del qartë se rreziku kryesor për qarkun e Korçës ishte ai grek. Pushkatohet nga një togë franceze pas shpalljes fajtor nga gjyqi ushtarak për kontaktet që kish pasur me autoritetet austro-bullgare në Pogradec para marrëveshjes me francezët, më dt. 9 dhjetor 1917. I shkruan të shoqes:
“E dashura ime Evdhoksi,! Rashë dëshmor i çpifjeve. Me qenë se unë nuk kthehem në Korçë dhe më s’ jam për shtëpi, tinë ke të drejt të martohesh, po për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit i cili ka për detyrë, si atdhetar që është, të mos të të lërë të vuash. Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efçën i puth me mall sytë. Dijeni që vdes i pafajshëm. Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur. Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës. Shoqi yt, Themistokli Gërmenji, Selanik 9, 11, 1917.