Kreu i shtetit Ilir Meta dhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, janë përplasur në deklarata në lidhje me skandalin e inceneratorëve. Rihapet dosja e madhe ndërsa politika flet me kode. Meta: Inceneratorët janë babëzi e shekullit.
Manja: Diçka tjetër ia prish gjumin Metës.
Skandalet e publikuara javët e fundit në lidhje me kompani të vendosura në emra të të moshuarve që jetonin në zil, apo edhe të vdekurve, duke përfituar deri në qindra milionë euro me fatura fiktive kanë përplasur edhe elitën politike. Kreu i shtetit Ilir Meta në një dalje publike për mediat ngriti si shqetësim serioz aferën e inceneratorëve që po merr përmasa të mëdha korrupsioni në nivele të larta. Ai solli si shembull rastin e një gruaje të ndarë nga jeta që në vitin 2017, por emri i saj figuronte si Pronare” në kompani fiktive të cilat kanë lidhje me aferën e inceneratorëve. Pas këtij qëndrimi erdhi edhe reagimi i Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, i cili e ka relativizuar situatën duke u shprehur se hetimi për këtë rast ka nisur pas denocimit që i kanë bërë vetë strukturat shtetërore, konkretisht hetimi tatimor. Manja shkruan se emrat e personave që kanë ndërruar jetë dhe janë përdorur në këtë skandal, kanë dalë nga dosjet që janë dërguar në Prokurori vit më parë nga hetimi tatimor. “Ulëritëse është që Ilir Meta vazhdon ndot dynjanë, ndërkohë që emrat e të vdekurve me të cilët ai luan për të ulëritur, janë nxjerrë nga dosjet e çuara në prokurori prej vitesh nga hetimi tatimor! Po diçka tjetër ia prish gjumin Ilir Metës, dhe nuk ka faj i shkreti…”, shprehet ai. Pikërisht ky reagim me nenkuptime dhe i koduar nuk dihet nëse është diçka konkrete që pritet të dalë ndaj kreut të shtetit, apo është një mënyrë për të shkëputur vëmendjen nga çështja e inceneratorëve, që ka zbuluar skandale të rënda, pavarësisht se në qeli për këtë çështje janë ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti i PS-së Alqi Bllako. Ky i fundit për disa kohë ka qenë sekretar i Përgjithshëm i Presidencës, para se të angazhohej me PS-në ku nga kjo forcë politike u përfshi në listat e deputetëve për qarkun e Tiranës.
Reagimi i Metës
Presidenti Meta u ndal gjatë në çështjen e inceneratorëve dhe faturat fiktive me TVSH-në. “Ndërsa lajmet e fundit që dolën, ku përveç pensionistëve që janë në azile, që figurojnë në mënyrë të paditur, me veprime të cilat kapërcejnë mbi 30 milionë euro. Çobanit që është në Greqi me rrogë 300 euro, figuron gjithashtu me veprime të pakryera nga ai me miliona euro këtu. Dhe së fundmi për fat të keq, për të kuptuar dramaticitetin dhe imoralitetin e tejskajshëm të kësaj babëzie që është babëzia e shekullit dje u zbuluan faktet edhe për një qytetare të ndjerë, e cila është ndarë nga kjo botë të paktën para 5 vitesh, por në emrin e të cilës gjatë këtyre viteve janë kryer transaksione prej 5-6 milionë eurosh. Me firmën e saj gjatë këtyre viteve janë kryer transaksione 5-6 mln euro”-tha Meta. Sipas tij, ky skandal i madh me abuzimin e miliona eurove nuk justifikon qëndrimet e qeverisë që për lënë vendin të digjet me justifikimin se nuk ka para në buxhetin e shtetit për të blerë avionë apo helikopterë që të shërbejnë për emergjencën civile. “Kjo është ulëritëse, tronditëse. Me një qeveri që deklaron se: s’kemi ça t’i bëjmë ne zjarrit se s’kemi helikopter. Zjarr që kërcënon pyjet më të bukura që kemi, apo dhe Llogara, apo dhe ishullit të vetëm që kemi. Sot shohim një situatë të rëndë korrupsioni, flagrante, shohim se në këtë kohë krize, ku qytetarët janë të rrezikuar që nga mbrojtja e shëndetit, shohim se askush nuk mban përgjegjësi. Çfarë është kjo QKB që pranon të bëjë veprime të tilla. Çfarë janë këto noterë që bëjnë këto veprime. Kush mban përgjegjësi për këto skandale që vetëm thellohen. Si mund të vazhdohet afera e inceneratorëve, kur dihet që paratë shkojnë për llogari të krimit. Para të qytetarëve. është situatë dramatike dhe ftoj Kuvendin të merret me këtë çështje sepse ende nuk ka filluar edhe maja e ajsbergut me aferën e inceneratorëve…Po shkelet në mënyrë të ndërgjegjshme Kushtetuta dhe po nxirren jashtë artistë, specialistë, shoqëria civile sikundër e keni parë edhe ju sot”, theksoi Meta.