Një president amerikan në qilaret e francezëve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Luan Rama

 

Mund të duket e habitshme por amerikanët e mëdhenj si Thomas Jefferson, Benjamin Fraklin, John Adams, etj, në fund të shekullit të XIX ishin ashikë të mëdhenj të verës franceze të cilët pas kthimit nga Franca nuk i ndanë nga tavolina verërat franceze. Kur Benjamin Franklin u largua si ministër i Plotfuqishëm i Amerikës pranë monarkisë franceze, në vend të tij erdhi Jefferson i cili qëndroi në Francë pesë vjet dhe banonte në rezidecën e tij në Champs Elysées, ku gjatë revolucionit do të shihte drejtpërdrejt dhe sulmin kundër Bastijës. Por duke qenë me profesion agronom, pasioni për verërat e çoi nëpër rrugët e Francës duke kërkuar verërat më të mira, për çka Franca krenohej në të gjithë botën. Atëherë, bota anglosaksone ishte bota e whisky-t dhe rum-it por pikërisht këta diplomatë e politikanë të mëdhenj bënë që gjithë Amerika të pëlqente verërat franceze. Ishte pikërisht filmi i interpretuar nga aktori Nick Holte në „Jefferson në Paris“, që më bëri të interesohem për këtë personazh historik, i cili pas kthimit nga Franca, një vit më vonë, pra më 1801 do të ishte president i tretë i Amerikës për dy mandate rresht. Aventura e tij me verërat franceze filloi në vitin 1787 kur do të ndërmerte rrugët e verërave drejt jugut të Francës. Në muajin mars të këtij viti ai u nis me karro nga Parisi dhe më pas me kalë për tu ngjitur në fermat e prodhuesve të verërave. Pasi kalon Auxerre, ku shijon një verë të quajtur Clos de la Clairette ai hyn në krahinën e Burgonjës të njohur për verërat e mrekullueshme. Shkruan për hardhitë, jetëgjatësinë e tyre një apo dy shekullore, për kohën e «pjekjes» së verërave, për aromat dhe shijet e secilës verë. Në Meursault, është tregëtari i verës që e fut në sekretet e verërave dhe hierarkinë e tyre. Nga verat e Bourgogne-s, ai parapëlqen më shumë «Meursault» dhe «Montrachet» dhe mendon të mbjellë hardhitë franceze në shtëpinë e tij në Monticello në Virgjinia. Verërat mbajnë emrat e fshatrave si Vosne Romanée, Nuits Saint Georges, Beaunne, Montrachet, Meursault, Pommard Volnay, Clos Vaugeot që sot mbahen ndër verërat më të mira. Madje Kjo e fundit ishte pronë e murgjëve të Citeaux ku shkruheshin kodikët mesjetarë dhe mund të imagjinoni ata murgj disi të dehur në pasionin e miniaturave të mrekullueshme. Në vreshtat e Pommard, siç shkruan në librin e tij me kujtime Jefferson, hahej bukë e bardhë ndërsa në Mersaut bukë thekre. Ai viziton produktorët dhe bën porosi verërash për miqtë e tij në Amerikë dhe veçanërisht për mikun e tij të afërt, presidentin e Amerikës. Në takime me vreshtarët ai mësoi shumë rreth sekreteve të verës, stazhionimit të tyre, kohës kur duhej të piheshin, madje ndryshe nga vizita e parë, më pas ai nuk do ti kërkonte me fuçi ahu por me shishe, çka dhe u bë shkas që në Francë të prodhoheshin shishet e parat të posaçme për verërat. Ai zbret gjer në kodrinat lioneze ku shijon gjithnjë verërat lokale, shënon mbi vlerën e tyre, ndalon në Drôme në kodrinat e L’Ermitage buzë lumit Rhône, pi në tavernat e zonës dhe i bën porosi një mjeshtri të verërave, doktor Jourdan një porosi për 500 shishe për presidencën amerikane. Viziton Orange, ku trishtohet me gjendjen e mjerueshme të teatrit antik që po i merrnin gurët mijëvjeçarë për të shtruar një rrugë aty afër, kalon ne Nîmes, Gard, pi verë në një tavernë të Arles në Hotel du Louvre. Në Saint-Remy qëndron në Cheval Blanc, vera e të cilit i pëlqen shumë. Pas një vizite në Marsejë dhe Nice, ku në këtë qytet të fundit porosit nje verë „Bellet“ për qilaret e tij në Monticello, ku jetonte në Virginia, vendos të marrë rrugën e Bordosë, e cila ishte e njohur për verërat e saj, por jo nga amerikanët.Tavernat e presin krahëhapur meqë ambasadori apo ministri Fuqiplot siç kishte titullin, bënte porosi të shumta. Viziton Montpellier dhe asiston në një teatër me një pjesë të Molierit. Në Saint Georges d’Orques, vera e kuqe i pëlqen së tepërmi aq sa për vite me rradhë në shtëpinë e tij në Monticello ajo verë do të pihej gjer natën vonë. Më pas, përmes Canal de Midi, shkon gjer në Tuluzë dhe pastaj i drejtohet Bordosë. Rrugës ndalon në Gaillac, ku mrekullohet me verën Cahuzac të dukës De la Rochefoucauld. Më tej viziton Chateau Haute-Brion, që është një nga zbulimet e veçanta të tij. Porositë vahdojnë. Ai porosit gjithnjë që ti etiketojnë dhe ti nisin drejt Amerikës me anijet që nisen drejt kontinentit amerikan. Viziton gjithashtu Chateau Margaux, që mbahej si një verë e mrekullueshme e po kështu Lafitte për të cilën thotë se kjo verë duhet pirë pas tre vjetësh, ndërsa Haute-Brion pas katër vitesh. Në Gironde zbulon verën e bardhë «Château d’Yquem» dhe mahnitet nga kjo verë e mrekullueshme. Në hotelin «Richelieu» në Bordeaux ai shijonte njëra pas tjetrës verërat si “Chateau Margaux”, “Château Lafite” apo “Château Haut-Brion” dhe ankohet që një shishe kushtonte aq shtrenjtë: 3 livra. Por ai nuk hezitoi të porosiste me qindra shishe për miqtë e tij në Amerikë… Po atë vit, ishte miku i tij, duka La Rochefoucaud që i bënte dhuratë tri fuçi të mëdha me verë të Cahuzac. «Château Yquem» përpara ishte një fortesë angleze e rrethuar me vreshta, në një sipërfaqe prej 148 ha, në një tokë argjilore. Por më 1785, në kohën e Louis XVI, ajo u bë pronë e një koloneli «dragonësh», e Lur Saluces. Por këtë verë do ta bënte akoma më të njohur Thomas Jefferson më 1784, kur si përfaqësues i Republikës së re amerikane në Paris, i kishte rastisur ta provonte dhe ta zbulonte këtë verë, duke e konsideruar si verën më të mirë “sauterne” të zonës së Bordeaux. Po kështu, dhe carët e ndryshëm të Rusisë, ishin kërkuesit e mëdhenj të kësaj vere, e cila përcillej mijra kilometra larg për në Saint-Petersbourg. Vitet më të mira të kësaj vere njihen prodhimet e viteve 1964, 1972 dhe 1974. Në përbërjen e kësaj vere janë dy lloj «cepage»: 70% «semillion» dhe 30% rrush «sauvignon».” “Të shijosh një gotë Yquem, – thuhet në librin e madh “Enciklopedia e verërave-Hachette”, – është një shëtitje sensuale në kopshtin e aromave”… Në kthim, Jefferson viziton kështjellat buzë lumit Loire dhe pas tre muajsh më 10 qershor 1787 mbërrin në Paris duke deklaruar se „këto muaj ishin muajt më të bukura të jetës time“.

 

Rrugët e verërave

Rrugët e verërave në Francë janë ndër rrugët më të këndëshme për një vizitor që është i pasionuar pas verës, vreshtit dhe atij peizazhi njerëzor, pasi të qëmtosh në itineraret e vreshtave dhe të vizitosh njëri pas tjetrit kantinat e vogla apo të mëdha buzë këtyre rrugëve, të ulesh pranë vozave, të ndjesh aromat e rrushit që dekompozohet apo të verës që një vreshtar të hedh në gotë, padyshim nuk ka gjë më interesante dhe të bukur. Vera në Francë është një pasion, një traditë, një mit më vete. Ekzistojnë rrugë të verërave që quhen “Rruga e Bourgogne-s”,, “Rruga e Bordolais-ë”, “Rruga e Loire-s” apo “Rruga e Alsace-s”, etj. Verërat e Alsace-s janë verëra të bardha nga hardhitë që janë mbjellë mbi vreshta të tjera mjaft të vjetra që nga shekulli i III i erës sonë. Duhet të kalosh nga Marlenheim, drejt Thann, kështjellave të vogla e të vjetra, nëpër qytezat me vreshtat pranë tyre si Barr, Mittelbergheim, Dombach-la-ville, Bergheim, Turckheim, Ribeauville dhe ku mund të shikosh pamjen e bukur të Kaysersberg, emër që do të thotë “mali i perandorit”, me atë fortesë të ngritur të shekullit XIII e që perandori Frederic II e deshi aq shumë. Udha e Burgonjës (Bourgogne) është padyshim nga më të bukurat, pasi kësaj i shtohen jo vetëm verërat me emër por dhe ai peizazh kodrinor i valëzuar, me shpate të pjerrta, ku vreshtat zbresin e bien mbi rrugë.

Pasi lë Dijon (Dizhon) dhe përvijon Chambertin, Vougeot dhe Vosné-Romanée, pasi bën një ndalesë në Beaune mund të vazhdosh pastaj në Meursault, Montrachet, Côte de Nuits, apo Côte d’Or, qyteza e fshatra që zbresin buzë një lumi që gjarpëron. Kjo është siç e quajnë këtu “Champs Elysées” e Bourgogne-s, dhe verërat kanë emrat e vendeve: “Montrachet”, “Chambertin” (vera e preferuar e Napoleonit, që e shoqëronte dhe në fushatat ushtarake, por ah, mjerisht ai i hidhte ujë!), “Henri Jayer”, “Meursault”, “Clos-Vougeot”, “Nuits-Saint Georges”, “Pommard”… Verëra të kuqe e të bardha. “Montrachet” është një verë e famëshme e bardhë, e njohur që në vitin 1252, nga një dekret kur abacisë së Maiziaires aty pranë i dhuroheshin vreshtat e “Mont-Rachet”, e cila më vonë do të quhej “Montrachet”. Një “verë magjike dhe misterioze”, siç e quajnë degustatorët.

Gjithçka është e gjelbërt, por kur rrushi është vjelur, kodrinat marrin një ngjyrë okër në kafe. Udhëton përgjatë kësaj rruge, ndalesh, afrohesh në kantinat pranë rrugës dhe shijon (deguston) një, apo disa verëra që të propozon pronari i kantinës, i cili padyshim, verën ta shet me një çmim shumë më të ulët se ai në treg. Por kënaqësia është se ti mund ta provosh para se ta blesh atë dhe ajo që duket më interesantja është se ti tashmë e ke njohur “shtëpizën” e saj dhe tokën nga vjen ajo, kështu vera ka një tjetër vlerë. Vetëm rruga e verës nga Dizhon (Dijon) në Bon (Beaune) është një hyrje, apo një udhëtim në botën dhe magjinë e verës. Jo më kot Louis XIV e quante verën e kuqe të Bourgogne-s “nektar i Zotit”.

Pasi kapërcen kodrinat e gjelbërta të vreshtave “Chablis”, kur vjen në Beaune, udhëtari nuk e mendon se ky qytet, i cili verën e ka një nga krenaritë më të mëdha të tij, ka nën tokë mbi 30 kilometra galeri nëntokësore. Janë galeritë e verës, ku prodhuesit vendosin verërat e tyre që të stazhionohen. Aty është dhe i famëshmi “Hospice de Beaune”, (Hospice, vjen nga fjala latine «hospitum», mikpritje) i njohur në historinë e Francës si dhe shumë muzeume verërash, pasi prodhuesit e mëdhenj kanë muzeumet e tyre.

Lexo edhe :  Çfarë fshihet pas zhurmës së Berishës në SPAK për t’u dukur si trim?!

Nuk ka shumë kohë që më rastisi të shkoj dhe ta vizitoj një nga këto muzeume, të cilat janë të shumta në Francë. Dhe riti ishte interesant, i ngjashëm me atë që kisha përjetuar këtu e dhjetë vjet më parë.

Në hyrje të muzeumit, të jepnin një gotë metalike që francezët e quajnë “gobelet” dhe me të në dorë ti nisje vizitën, duke zbritur në një galeri nëntokësore. Në çdo 20-30 metra të shfaqej një fuçi vere dhe sipër saj një shishe vere, e bardhë dhe e kuqe. Anash saj, vendosur në mur, një mori shishesh me etiketat e tyre tregonin llojin e asaj vere. Mirëpo, ky pikëtakim me fuçinë e verës vazhdonte me rradhë dhe në çdo ndalesë, vizitori mund të shijonte një verë tjetër. Dhe vështirë ta përballoje një tundim të tillë, pasi sa më shumë shkoje e zhyteshe në galerinë nëntokësore, si të ishte një ithtar i shkrimtares Colette, aq më shumë shfaqeshin verëra akoma më të mira. Në fakt, në dalje të galerisë ku vizitoje dhe një muzeum verërash, ku mund të bëje porosi, kuptoje se verërat më të mira ishin vendosur nga fundi i kësaj vizite. Ishte padyshim një parajsë për pijanecët dhe amatorët e verës. Jo rrallë mund të shikoje që disa prej vizitorëve nuk u mbanin më këmbët pas asaj vizite mes avujve të alkoolit. Por pikërisht aty pashë dhe dhoma të veçanta, me çelës, ku ruheshin ato që quheshin “cuvé du Marechal” (me sa duket të mareshallit Petain që kishin mbetur që nga ajo kohë) apo “cuvé de Georges Pompidou”, “cuvé de Nicolas” (themeluesi i “Hospice de Beaune”, etj, e ku gjeje verërat e vjetra të viteve 1911, 1912, 1913 me “Romanée-Conti” e vitit 1959 (13.000 euro shishja), “Pomard”, “Echészeaux”, ”Richebourg”…

“Hospice de Beaune” është një ndërtesë dykatëshe, me çati të pjerrët e tjegulla të vogla shumëngjyrëshe, e ndërtuar nga Nicolas Rolin që më 1443, me mbështetjen e Papës Eugène IV dhe të dukës së Bourgogne-s, Philippe le Bon. Atëherë kur Franca dilte nga lufta e tmerrëshme e “Njëqind vjetëve” kundër anglezëve. Një ndërtesë e famëshme për nga arkitektura dhe pasuria e saj, me tjegulla në verni, në oborrin e së cilës organizohet Festivali Ndërkombëtar i Operas Baroke. Për të më kishte folur më parë miku im Kujtim Çashku, i cili kishte marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Beaune dhe ku kineastët e ndryshëm kishin mundësi të provonin parfumet e një vere të rrallë. Ndërtuesi i “Hospice de Beaune” ishte vetë kancelari i dukës së Burgonjës, i cili rrinte në Pallatin e Dukëve në Dijon. Duke parë mjerimin e madh, ai vendosi të ndërtojë këtë ndërtesë për të varfërit, jetimët, apo handikapët, ku me paratë e verës të mund t’i mjekonte dhe t’i strehonte. Aty u vendos dhe një mision i “Motrave Spitalore” (Soeurs Hospitalières) që të kujdeseshin për ata dhe kjo do të vazhdonte gjer në vitin 1989. Që nga viti 1859, çdo vit, pas prodhimit të verës, këtu bëhet shitja e verës në ankand ku shiten verërat “Meursault”, “Corton”, “Pommard”, etj, verërat e 57 hektarë vreshta dhe pronë e “Hospice de Beaune” ku fitohen mbi 2-3 milionë euro. Vreshtat e saj prodhojnë verëra si “Côte de Beaune”, “Pomerol”, “Saint-Romain-Vincent”, “Côtes de nuits”, por dhe “Mazis-Chambertin”, “Clos-de-la-Roche” apo “Echézeaux”. Dikur, kur mungonte elektriciteti, ankandi zhvillohej me ndihmën e një qiriri, ku organizatori i ankandit thërriste me zë të lartë para turmës së blerësve të mbledhur aty: ”Po ndez qirinin, hë, sa më shpejt!” Vetëm kur flaka e qiririt fikej për herë të dytë, fitonte ai që kishte thënë shifrën e fundit për verën që shitej, ku zakonisht ishin fuçi prej 228 litrash. Midis gjithë atyre muzeumeve dhe bodrumeve të vjetra të ndërtuara në Beaune që në shekullin XV-XVI, të duket se je në një ishull thesarësh ku para sysh nuk ke florinj por verëra të vjetra e të “arta”.

 

Vera «Romanée-Conti»

Vera «Romanée-Conti» është një nga verërat më të rralla, pasi ajo i ngjan një miniere tepër të vogël diamanti që gjendet në kodrinat e Bourgogne-s, në një sipërfaqje prej 1,8 ha, pra sa sipërfaqja e sheshit të Concorde-s në Paris. Kjo është si të thuash vreshta më e vogël dhe më mitike e Francës, nga ku prodhohen çdo vit veçse 5000-6000 shishe. E kujtoj gjithnjë atë udhëtim në Dizhon duke bërë më pas nga tokat e Côte d’Or, rreth 30 kilometra më larg, ku më parë kisha qenë në vreshtat e Romanée-Conti. Kisha dëshirë t’ua tregoja dy miqve të mi Ylljet Aliçka dhe Alket Cani, njëri ambasador dhe tjetri konsull dhe gruas së Ylljetit, një apasionuese e vërtetë e verërave. Ne kaluam fillimthi përmes fshatit Nuits Saint Georges që prodhon verën me të njëjtin emër «Nuits Saint Geroges». Ndaluam në një prodhuese vere dhe e pyetëm nëse kishte “Nuits Saint-Georges” të vitit 2005, por n’a u përgjegj se kishte kohë që ishte mbaruar… Pastaj në tregun fshatar blemë disa shishe nga kjo verë e këndëshme midis verërave të Bourgogne-s, por jo si «Romanée-Conti», të cilën as mund ta blenim dhe as mund ta shijonim. Sapo kapërceje fshatin, pak metra pas kishës, në ngjitje, në një shpat kodrinor, shtriheshin vreshtat e pakta të Romanée-së. Një mur i gjatë që ndante vreshtat me shtegun, një kryq i madh, dhe ne që vështronim atë vreshtë mitike që s’kishte asgjë përrallore nga pamja, por që nën tokë fshihte thesarët e vërtetë, rrënjët e hardhive nga ku do të merrte jetë vera e atij viti. Pra ky ishte vendi mitik me hardhitë «pinot noir», (Pinot vjen nga latinishtja «pinus», pishë, pasi vilja e rrushit kishte formën e pishës. Në Alsace dhe Loire, është pinot e bardhë.)  që përmendet që në 1131, kur Hugues II, duka i Bourgogne-s ia la këtë tokë të papunuar të Flagey dhe Vosney një kishe të vogël të Saint-Vivant, e themeluar që në vitet 900 por që kishte hyrë në gjirin e abacisë së Cluny më 1241. Por vreshta do të bënte emër në shekullin e XVI kur murgjit do të përkujdeseshin për këto vreshta, duke marrë emrin Romanée. Më 1760, ishte princi Conti, François de Bourbon që e bleu këtë vreshtë. Kështu vera e këtyre vreshtave filloi të quhej «Romanée-Conti». Madame Pompadour, favoritja e mbretit Louis XV, bëri çmos ta shtinte në duart e saj këtë vreshtë, por princi bëri rezistencë. Por fill pas revolucionit, «burbonëve» ua morrën pronat dhe kjo vreshtë kaloi dorë më dorë, por emri nuk iu ndryshua. Kuptohet, në bazë të zhvillimit të vreshtarisë në këto kohë ishte Kisha, murgjit, nevoja e verës për të bërë meshën por dhe kënaqësia e vetë priftërinjve në botën e tyre të vetmuar. Pas rënies së perandorisë romake, Kisha e shtriu pushtetin e saj. Papët dhe peshkopët e pëlqenin verën. Verërat e Bourgogne-s u bënë të njohura nga abacitë Cluny dhe Citeau; verërat e Languedoc nga “bernardinët” e abacive Saint Chinian, Saint Gilles, Montedon, Lodeve… Papët që jetuan një kohë të gjatë në Avignon e njihnin mirë kënaqësinë e verës… E jo vetëm ata, pasi dhe mbretërit francezë e adhuronin. Henri i IV kishte një vreshtë në Paris dhe Ile de France, po kështu dhe vreshtat e Orleans i përkisnin mbretërisë. Vreshta «Romanée-Conti» që siç thonë disa degustatorë «jep një verë prustiane», rrethohet nga vreshta të tjera po aq të mira dhe me emër si «La Tâche», në krah të saj, me 6,06 ha dhe që prodhon një verë joshëse, elegante dhe të fortë, nga «Romanée-Conti-Saint-Vivant» me 9,44 ha; vreshtat «Richebourg» në veri të saj me 3,51 ha, që jep një verë të fortë e të koncentruar si dhe «Echézeaux» me 3,52 ha. «Vosné-Romane», siç quhet kodrina përreth, është si të thuash qëndra e mitologjisë vitikole të Bourgogne-s. Pra ne ishim si të thuash në një vend mitologjie, ku vera ishte kthyer në një lloj miti modern, çka do ta ndeshnim në muzeun e «Hospice du Beaune». «Romanée-Conti», shitet me arka druri me gjashtë shishe ku krahas një shishe «Romanée-Conti» vendoset gjithnjë një «Richebourg», apo «La Tâche», «Romanée-Saint-Vivant», «Echézeaux» dhe «Grand Echezeaux». Dhe kuptohet çmimi i kësaj arke është si të ishte praruar në flori… Atë ditë buzë vreshtës Romanée-Conti, mu kujtua dhe romani i një shkrimtari japonez, Kaiko Takeshi, i cili kishte shkruar një novelë me titullin «Romanée-Conti 1935». Ishte historia e një romancieri, (mesa duket diçka personale), dhe e një sipërmarrësi, të cilët diskutojnë para një sheshi vere «La Tâche» si dhe një sheshi «Romanée-Conti» 1935… Disa vite më vonë, në një darkë me ambasadorin francez Bernard Fitoussi, ku ai kishte ftuar disa miq, duke folur për verërat, i thashë se më kishte mbetur peng që s’kisha shijuar një shishe «Romanée-Conti», duke i treguar njëkohësisht historinë që kisha dëgjuar nga Bernard Pivot për shishen e tij të vetme «Romanée-Conti» që kishte vite që e ruante. Dhe simpatik siç ishte ambasadori francez në Tiranë, me shumë bujari më premtoi se kishte dy shishe në qilarin e ambasadës dhe se njërën prej tyre do ta shijonim bashkë. Vera «Romanée-Conti» është një verë që ruhet gjatë, madje dhe 30 vjet, më pak apo më shumë sipas prodhimit të vitit…

Të fundit

Pse Janari konsiderohet si muaji më stresues i vitit

Janari shpesh cilësohet muaji më stresues i vitit për disa arsye të ndërlidhura me aspekte financiare, emocionale dhe shëndetësore....

Zv. Sekretari i Shtetit Richard Verma takim me Ramën: BE është e ardhmja e Shqipërisë

Pas mbërritjes në Tiranë, Zëvendës Sekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma është takuar me kryeministrin Edi Rama. Në një postim në...

“Berisha duhet të ishte në burg”/ Meçe: Vrau 4 persona më 21 janar, hodhi në erë Gërdecin

Analisti Arben Meçe tha se ish-kryeministri Berisha duhej të ishte në burg pasi është përgjegjës për vrasjen e katër protestuesve më 21 janar dhe...

8 janari 2022, dita kur Sali Berisha bëri skizmën në PD

Nga Ylli Pata Opozita e sotme e dalë nga PD-ja e 2021-shit është realisht konfiguracioni i “Barit”, pra i post non grata, konfiguracioni i vendimit...

Blinken reagon ndaj deklaratave të Trump: Grenlanda nuk do t’i bashkohet SHBA-së

Sekretari në largim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken tha se ideja e Donald Trump për marrjen nën kontroll të Grenlandës, ndoshta...

Lajme të tjera

Web TV