Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se do të hyjë në zgjedhjet vendore me siglën e Partisë Demokratike. Pavarësisht vendosmërisë së Berishës, situata në PD është peng i vendimit të Gjykatës së Apelit, që duhet të shprehet nëse Berisha apo Alibeaj kanë të drejtën të drejtojnë PD-në.
Partia demokratike ende ka ngelur një parti me dy koka, ku njerën pjesë e drejton Enkelejd Alibeaj dhe tjetrën Sali Berisha, i cili ka zënë edhe ambinetet e Partisë Demokratike, e ndërsa Alibeaj deklaratat i jep nga Kryesia e Kuvendit. E këtë PD me dy koka e ka lënë gjykata pa i vënë emrin kryetarit. Po ashtu kjo është ende e pazgjidhur dhe politikisht mes Berishës dhe Alibeajt që është pasardhësi i Lulzim Bashës. Në konferencën e të premtes Sali Berisha deklaroi se diversiteti brenda deputetëve vijon, ndërsa gjykata nuk është shprehur ende mbi legjitimitetin juridik të mandatit të kryetarit të PD-së. Edhe pse ka zëra se Berisha do të ketë një parti të re, ai i dha fund me përgjigjen e tij se në zgjedhjet e ardhshme do të futen me siglën zyrtare të Partisë Demokratike. Gjykata e Shkallës së Parë njohu kongresin e thirrur nga Berisha si të ligjshëm, por ky vendim u ankimua nga “Grupimi Basha” në Gjykatën e Apelit, e cila ende po e mban dosjen “peng”.
Protestat
E ndërsa la të zgjidhet çështja nga gjykatë, Berisha foli për anagazhimin politik nga muaji shtator. Pavarësisht çështjes së partisë, kryedemokrati paralajmëroi një vjeshtë protestash kundër qeverisë Rama. “Vjeshta që vjen do të shndërrohet në pranverën e protestave të demokracisë”, tha Berisha. Kjo verë qëlloi të ishte pa pushime për Partinë Demokratike. Sali Berisha është duke përgatitur aksionin opozitar demokrat, që si qëllim ka rrëzimin e qeverisë dhe vajtjen në zgjedhje të parakohshme. Por, në këtë rrugëtim, kryedemokrati është koshient se një kopje të çelësave të partisë vijon të kenë edhe kundërshtarët brenda selisë, të cilët janë në pritje të një vendimi gjykate: “PD do të shkojë në zgjedhje me siglën e saj, pavarësisht se Edi Rama do të bëjë gjithçka, por ç’është e vërteta, në këtë betejë kundër pluralizmit do të paguajë një çmim të tmerrshëm”, tha Berisha. E nëse grupimi i Berishës është aktiv edhe në ditët e gushtit, pjesa tjetër duket se ka marrë pushimet parlamentare, të cilat nuk kanë kthjelluar ende rrymat brenda grupit parlamentar. Sali Berisha deklaroi se diversiteti i qëndrimeve është i pranishëm, por, pavarësisht kësaj, deputetët do të punojnë kundër maxhorancës socialiste: “Grupi parlamentar i PD është grup parlamentar i PD, natyrisht nuk mund të mohohet që ka diversitet në qëndrime, por në tërësi unë mendoj se çdo deputet do t’i qëndrojë luajal shumicës që e ka votuar dhe do të jetë i përkushtuar në betejën kundër këtij regjimi”.
Qeveria teknike
Ish- kryeministri Sali Berisha është sinkronizuar me deklaratat e Ilir Metës. Ai ka folur për një qeveri teknike, por sipas tij ajo që është e sigurt është largimi i Edi Ramës. “Nuk kemi diskutuar por teza jonë është kjo: Që Edi Rama duhet të largohet një ditë e më parë, pas largimit të kësaj qeverie, natyrisht detyra më themelore është pregatitja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. A do ngarkohet një qeveri teknike apo si do quhet ajo, apo “ad hoc” për të përgatitur zgjedhjet është dicka që do vendosin forcat politike por largimi i Ramës është absolut”, tha Berisha.
Pastërtia e figurës
I pyetur për nismat e PS-së për verifikimin e pastërtisë së figurës për deputetët, nëse kanë qenë apo jo bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit, Berisha nënvizoi se PD ka qenë gjithmonë dakord për një ligj lustracioni, duke rikujtuar se në të shkuarën, ka qenë Edi Rama që e atakoi në Kushtetuese ligjin e vitit 2008: “PD ka qenë, është dhe do të mbetet nismëtare për çdo formë lustracioni për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Natyrisht, ne jemi që çdo qytetar të ketë të drejtë të njihet me dosjen e tij dhe askush tjetër përveç atij, nëse ai nuk kërkon për t’u zgjedhur”. Në konferencën për shtyp, Berisha u ndal edhe tek ndërtimi i aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë dhe Portit turistik të Durrësit, duke i quajtur si afera të mëdha korruptive të qeverisë Rama.
Referendumi
Sali Berisha ka dalë në krah të Ilir Metës për çështjen e rikthimit të referendumeve. Sipas kreut të demokratëve, Kushtetuta ka humbur sensin e saj pasi Edi Rama ka marrë të gjitha pushtetet. “Siç mund ta verifikoni, prej kohësh jemi shprehur për referendumet. Jam shprehur në disa takime. Dhe unë vlerësoj qëndrimin e Partisë së Lirisë për referendumet. Kushtetuta ka humbur sensin e saj me marrjen e të gjitha pushteteve nga Edi Rama, de facto ajo ka rënë. Sepse misioni i saj i një Kushtetute është ndarja e pushteteve. Nëse kushtetutshmëria është futur si shtyllë bazë e demokracisë, është futur për balancën e pushteteve. Ky është misioni që këtu ka humbur.Së treti, Shqipëria është i vetmi vend ku qytetarët nuk mund të flasin me votën e tyre”, tha Berisha.
Çmimet e larta
Çështja e çmimeve të larta të karburanteve dhe produkteve të shportës ishte sërish pjesë e konferencë për shtyp të kreut të demokratëve Sali Berisha me gazetarët. Berisha tha se po e përdor qëllimisht rritjen e çmimeve për të pasuruar klientët dhe varfëruar shqiptarët. “Naftën, qumështin, bukën, vajin, Edi Rama po i përdor për dy qëllime madhore, pasurimin e tij dhe të klientelës së tij, varfërimin e qytetarëve shqiptarë. Dje nafta ka qenë, ka disa ditë që nafta në bursë është nën çmimin që ka pasur para luftës në Ukrainë, kjo jo rastësisht, sepse presidenti Joe Biden urdhëroi hapjen e rezervave të naftës në SHBA. Përgjysmimi i akcizës së naftës do jetë një nga masat që do ndërmarrë qeveria e ardhshme. Jo vetëm kaq, por edhe subvencionimi i biletave të transportit urban dhe interurban. Sot ky bord që mbron interesat e Edi Ramës dhe klientelës së tij, cakton një çmim të paktën 50 përqind më të lartë se ai i bursës”, tha mes të tjerash Berisha.
Ilir Meta hedh grepat nga Bashkia Tiranë
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka lënë të kuptohet se mund të jetë një kandidat i mundshëm për Bashkinë e Tiranës. Meta kur u pyet, as nuk mohoi, as nuk pohoi rreth kandidimit të tij.
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta duke se ka hedhur grepat që tani për Bashkinë e Tiranës. Faktikisht emri i Metës është përfolur për të qenë një kandidat e mundshëm për kryetar bashkie. Këtë ka lënë të nënkuptohet edhe nga fakti se prej disa ditësh ai po flet për Tiranën, e cila drejtohet nga Erjon Veliaj. I pyetur për këtë çështje, kryetari i Partisë së Lirisë nuk dha një përgjigje mohuese e as aprovuese, duke preferuar që të përgjigjet duke treguar me fjalë përgjegjësie për kryeqytetin, por nga kundërshtarët nga ana tjetër indirekt e konsiderojnë si rival për vendoret e 2023-shit në Tiranë. Ilir Meta prej kohësh përflitet si kandidaturë për Bashkinë e Tiranës. Por në përgjigje të pyetjes zgjodhi të mbajë pezull idenë, duke mos e mohuar dhe a se përjashtuar kandidimin e tij. E megjithatë përpiqet të tregojë se zemra po i rreh për kryeqyetin. “Tirana është prioriteti i prioriteteve për mua për arsye sepse edhe unë ndjej detyrime të thella për këtë tragjedi që i ka ndodhur qytetit tonë që është bërë i pajetueshëm”, shtoi ish-presidenti. Për të përforcuar më shumë këtë qasje ishte edhe reagimi i kampit socialist ku kryetarin e Partisë së Lirisë e sulmoi kreu i Bashkisë së Tiranës në Tëitter. Si rrallë herë postimin e Erjon Veliajt e ripostoi edhe kryeministri Edi Rama, duke u përpjekur të zhbëjnë një projekt të mundshëm të ish-presidentit për t’u bërë kryebashkiak.
Shtatori aktiv
Shtatori është paralajmëruar përvëlues nga opozita dhe Ilir Meta zbuloi një nga pikat e misionit të saj, krijimin e një qeverie teknike. Përpara gazetarëve, kreu i Partisë së Lirisë u shpreh se kjo nismë është e domosdoshme edhe për atë ardhmen europiane të vendit, duke akuzuar Edi Ramën se punon kundër Brukselit. “Në shtator kemi punë të tjera dhe do të punojmë për një qeveri teknike sepse duhet t’i dalim për Zot edhe çështjes së negociatave sepse nuk ka shanse të bëhet ndonjë hap përpara me këtë qeveri”, tha Meta. Qeveritë teknike qeverisin vendit deri në zgjedhje të parakohshme, zgjedhje të cilat vijnë si shkak i një marrëveshje politike dhe kjo do të varet nga suksesi i aksionit opozitar. Por në horizont janë shfaqur tonet elektorale për zgjedhjet vendore të 2023-shit.
Sula: Kjo qeveri është kalbur, duhet të ketë njerëz të rinj në skenë
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula shprehet se kjo qeveri duhet të largohet një orë e më parë, pasi e ka humbur realitetin. Ai thotë se duhet të ketë një qeveri teknike. “Patjetër, por jo me njerëz që janë demaskuar. Nuk mund mund të shesë moral ndershmërie dikush që është marrë me prostitucion. Politikanët që dalin e flasin, duhet të shohin në fillim veten e tyre dhe njerëzit që i përfaqësojnë. Ka sot politikanë që shumë pak mund ti akuzosh. Nuk i thotë dikush Dash Shehit që është i korruptuar. Ka ardhur momenti që duhet të dalin njerëz të rinj që nuk kanë mëkate. Ka 30 vite që këto aktorë politikë lëvizin dhe qarkullojnë, njëherë sulmojnë, njëherë bëjnë të mirin. Por që duhet rrëzuar kjo qeveri, duhet bërë një sahat e më parë. Nëse ka burra e gra brenda PS-së duhet ti vënë frerët kësaj qeverie. Tani jo vetëm truri që ka ikur, por po ikën edhe krahu i punës. Në Peqin në 7 të darkës nuk ka më njerëz në rrugë. Mos shikoni Tiranën, është tjetër gjë.”, tha Sula. Deputeti demokrat thotë se “PS dhe kjo qeveri e ka qelbur këtë vend dhe era vjen nga të gjithë krahët. Këta sa herë të hapin gojën, vjen era qelb. Por e them në tërësi, kjo klasë politike ka gjynahet e veta. Ne në 2013 na përzuri populli për shkak të korrupsionit”.
Veliaj – Metës: Kjo Tiranë të bëri President
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nga inspektimi i shkollës së re “Bashkim Fino” në Njësinë 2, ku zgjidhet pproblemi i mësimit me dy turne për 1100 nxënës, ka pasur edhe një përgjigje për akuzat që ka bërë ndaj tij kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Duke e konsideruar si një politikan që përçan dhe do ta kthejë Shqipërinë pas në kohë, Veliaj tha se është racizëm ajo që bën Meta kur shprehet për Tiranën se po mbingarkohet. “Është pa sens që ta krahasosh Tiranën me Kabulin dhe ta bësh me dashje këtë kur ke halle të sigurimit, pro është racizëm banal që të thuash se kjo Tiranë po na mbyt dhe po na mbingarkohet është racizëm banal kur vetë je histori suksesi, se je bërë dhe Kryeministër dhe President nga kjo Tiranë. Edhe kur kujtoj që Bashkim Fino ishte aty në ditët kur ishim më të përçarë, besoj se është një mesazh shumë i madh edhe për ata politikanë që edhe pse për 30 vjet kanë pasur të gjitha detyrat e shtetit, Shqipëria nuk iu ka asnjë borxh. I ka bërë Presidentë, Kryeministra, Kryetar Kuvendi të mësojnë pak nga ky emër i madhe që në ditët më të vështira i bëri njerëzit bashkë. Sot jemi në ditët më të mira dhe duan të na çojnë mbrapa. Kjo s’ka për të ndodhur dhe për sa kohë që fëmijëve do t’u japim shkollë cilësore do të sigurohemi që nuk do t’i kemi më fuksat në drejtim dhe do sigurohemi që vjen një brez i ri që është rritur në kushte komplet të tjera. Është pa komplekse, nuk i bën gjërat me mllef por me pasion”, tha kryebashkiaku.