Ndodh në Shqipëri! Teksa kanë eksploruar mënyra nga më të ndryshmet për të ikur nga vendi, mesa duket ka edhe raste kur provojnë mënyra ilegale edhe për të hyrë.
Një 17-vjeçare ishte fshehur në bagazhin e një makine në tentativë për të hyrë ilegalisht nga Kosova në Shqipëri, përmes pikës kufitare të Qafë-Prushit. Automjeti brenda të cilit u gjet minorenia, drejtohej nga një 23-vjeçar, rezident në Londër, i cili u vu në pranga në kushtet e flagrancës.
Ndërsa një 17-vjeçar, banues në Kosovë, që udhëtonte si pasagjer në mjet u vu nën hetim në gjendje të lirë për shkak të moshës. Dy djemtë akuzohen për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, ndërsa vajza e mitur për “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Për këtë ajo do të hetohet në gjendje të lirë.
Siç njofton policia e Kukësit, hetimet për rastin do të vijojnë nga prokuroria e Kukësit, ndërsa 23-vjeçari i arrestuar në vijim pritet të përballet me akuzat në Gjykatë.