Pas publikimit të lajmit së Partia Demokratike në vitin 2017 është financuar nga lobet ruse, me ndikim nga Moska zyrtare, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka bërë një vizitë urgjente në KQZ.
Në prani të drejtuesve të partive kryesore politike, Kim ka kërkuar që të kenë kujdes me këto financime, pasi cënohet demokracia në vend.
Pas lajmit që Lulzim Basha në kohën që ka drejtuar Partinë Demokratike ka marrë sponsorizim nga lobi rus, ka mbajtur qëndrim edhe ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim. Ajo pati takim me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësuesve të partive parlamentare duke kërkuar që të kaloj në “check” të gjitha financat e partive. Takimi i djeshëm u mbajt një ditë pasi në një raport të inteligjencës amerikane mbi paratë ruse në partitë politike në Europë, u përmend edhe rasti i 500 mijë dollarëve të kaluara nga Rusia drejt Partisë Demokratike në vitin 2017. Ka qenë Ambasada Amerikane që ka shprehur shqetësimin në lidhje me paratë që financojnë partitë, sidomos ato fonde që vijnë nga Rusia, pas të cilave fshihen qëllime të tjera për ndikim në Evropë dhe Ballkan. Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua këtë të enjte me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike, si Damian Gjiknuri nga PS, Jorida Tabaku nga PD dhe Monika Kryemadhi nga Partia e Lirisë. Edhe pse nuk u prononcua për gazetarët pas tij, në një reagim të ambasadës u zbuluan detaje nga takimi. “U diskutua kërcënimi serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosja që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion. Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ilirian Celibashi
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi është shprehur se në takimin e djeshëm, SHBA ka shprehur mbi financimet e huaja të partive politike. “Përcollën shqetësim që të rrisin vëmendjen dhe çfarë është në fuqinë e tyre për të bërë më mirë që paratë dhe financimet e huaja dhe jo vetëm ato ruse të mos kenë ndikim në politikën shqiptare. Ajo që mund të thuhet është se ka nevojë të kuadrit ligjor që KQZ t’i japin mundësi praktike të hetojnë m thellë me sasinë e parave nga pikëpamja administrative, nga i marrin, si i përdorin, kjo është evidente ndoshta. Një lloj informimi dhe përcjellja e një shqetësimi, nuk u bën diskutime, ata si përfaqësues të PD konfirmojnë nevojën për ta qasur nga pikëpamja rregullatore, në vijim do ketë ndryshime”, tha Celibashi.
Monika Kryemadhi
Pas takimit në KQZ me ambasadoren Yuri Kim edhe Monika Kryemadhi e konsideroi emergjente ngritjen e barrierave për mosdepërtimin e financimeve ruse që cenojnë sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi tha se ka mbi 6 vjet që flet për influencën ruse në rajon dhe u kërkoi dy partive të mëdha politike që të ndjekin shembullin e ish-LSI, PL sot, për të deklaruar të gjithë donatorët. “Është bërë emergjente ngritja e barrierave për mosdepërtimin e financimeve ruse që cenojnë sigurinë kombëtare të Shqipërisë qoftë me luftën në Ukrainë dhe rritjen e prezencës ruse në rajon. Kam mbi 6 vjet që flas për influencë ruse në Shqipëri jo vetëm në ekonomi, por edhe në atë sociale si në rrjetet sociale. Më mirë vonë se kurrë, kjo është shumë e rëndësishme. Ka ardhur koha që edhe dy partitë të marrin shembullin e LSI-së që të gjithë donatorët të bëhen publikë me emër e mbiemër, të keni mundësi të shikoni edhe personat fizikë të partive të tjera”, tha Kryemadhi. Sipas saj, ligji për financimin e partive politike ka nevojë për rishqyrtim me qëllim që të mos nxisë paratë e pista. “Ligji për financimin e partive politike ka nevojë për rishqyrtim që t’ua bërë më të lirë qytetarëve shqiptarë për të bërë donacione për partitë politike qoftë edhe me 10 mijë lekë të vjetra, sepse duke e bërë burokratike stimulojmë paratë e pista dhe vijnë financime në mënyrë të fshehur. E përgëzoj takimin me ambasadoren amerikane në këtë drejtim dhe bashkëpunimi jo vetëm me Partinë e Lirisë, por edhe parti të tjera”, tha përfaqësuesja e Partisë së Lirisë. E pyetur nëse në takimin me ambasadoren amerikane u diskutua financimi prej gjysmë milioni dollarësh për PD-në e drejtuar nga Basha, Kryemadhi u përgjigj: “Takimi nuk përmendi emra. Ka një proces që po hetohet jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë Shqipërisë. Asgjë nuk ngel pa dalë. Kush e ka gëlltitur lugën e çorbës së prishur do të vjellë gjithë jetën”.
Damian Gjiknuri
Damian Gjiknuri, pas takimit me ambasadoren amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, e cila mblodhi në KQZ partitë politike, u shpreh se në fokus të takimit ishte shqetësimi i SHBA-së në lidhje me financimin e partive nga vende “jomiqësore”. “Në takim u ngrit shqetësimi lidhur me financimet e shteteve të huaja jomiqësore dhe masat që duhet të marrin partitë dhe institucionet për të parandaluar çdo financim me rrezik për interesat kombëtare”, tha Gjiknuri. “Shqipëria ka një kuadër shumë të mirë ligjor. Ne si Parti Socialiste kemi mekanizmat tona për të parandaluar këto akte. Kemi një Komision të Reformës Zgjedhore që mund të adresojë dhe forcojë dispozitat në lidhje me financimin e fushatës zgjedhore. Fokusi i bisedës ishte shqetësimi i aleatit tonë kryesor, SHBA-së, për përfshirjen e influencave të huaja në parti dhe organizata mediatike nëpërmjet formave indirekte të krijimit të opinionit publik”, shtoi Gjiknuri. Deputetja e PD, Jorida Tabaku u shpreh se në takim, fokusi i bisedës ishte qëndrimi i partive politike larg influencave ruse, kineze, por jo vetëm. Ndërsa Monika Kryemadhi u shpreh se financimet duhet të bëhen publike, ndaj kërkon rishikim dhe rishqyrtim të ligjit. Duke iu referuar financimit rus për Partinë Demokratike, Kryemadhi u shpreh se është proces që duhet të hetohet dhe me bindje shtoi se asgjë nuk do të mbetet pa u zbuluar.
Financimi i partive nga Rusia
Që nga viti 2014, Rusia ka financuar partitë politike në mbi 20 vende me 300 milionë dollarë për të rritur ndikimin e saj dhe presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik, sipas një zyrtari të lartë amerikan. Pretendimi i Departamentit të Shtetit bazohet në një vlerësim të deklasifikuar të inteligjencës amerikane të publikuar të martën. Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë për 24 vende të botës, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën. Shqipëria është një nga këto vende. Ndonëse nuk u dhanë detaje nga zyrtari i lartë amerikan, në vitin 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja. Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Por kush fshihet pas kompanisë “Biniatta Trade”, që rezulton fantazmë e regjistruar në parajsat fiskale dhe çfarë e lidh me rusët? Në një artikull të gjatë hulumtues rreth këtyre pagesave për Muzin Capitol, revista amerikane Mother Jones ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë.