Manastirliu ndan lajmin/ Realizohet me sukses ndërhyrja delikate në zemër tek foshnja

Një ndërhyrje delikate në zemër tek një foshnje 10 ditëshe është kryer me sukses në QSUT.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e ka dhënë lajmin e mirë për qytetarët.

Ajo bën të ditur se ndërhyrja tek foshnja, që lindi me dy komplikacione të mëdha, është realizuar nga ekipi i Kardiokirurgjisë.

“Një ndërhyrje delikate në zemër e realizuar me sukses në shërbimin e Kardiokirurgjisë, në QSUT, duke i shpëtuar jetën foshnjes vetëm 10 ditëshe, që lindi me dy komplikacione të mëdha në zemër.

Elora e vogël sot gëzon shëndet të plotë, falë operacionit të shkallës tepër të lartë të vështirësisë të realizuar nga ekipi i talentuar i Kardiokirurgjisë, drejtuar nga Prof. Arben Baboçi, me Prof.Asc. Altin Veshti, Prof.Asc. Saimir Kuci, Dr. Alfred Ibrahimi, Dr. Fiorba Mana, Dr. Marsela Goga, Kryeinfermiere Neranxa Elezi dhe infermiere Majlinda Malaj”, shkruan ministrja.