Hulumtimet e shumta mbi tradhtinë në çift kanë eksploruar herë pas here shumë aspekte të saj, si sa shpesh ndodh, elemente të marrëdhënies që mund të çojnë në të dhe karakteristikat e njerëzve që kanë më shumë gjasa të tradhtojnë partnerin e tyre.
Kjo ishte tema edhe në emision e mëngjesit “Ditë e Re”, RTV Ora, ku ishin të ftuara sipërmarrësja Arba Gramo, avokatja Aurora Marku dhe Floresh Bregasi për të diskutuar për shkaqet që ndikojnë në shkatërrimin e një marrëdhënieje dhe si pasojë sjelljen më pas edhe të divorcit.
Sipërmarrësja Arba Grama është shprehur se problem nis që në mënyrën se si jemi edukuar që në gjeneze, sidomos vajzat dhe gratë.
“Unë mendoj që jemi edukuar keq që në hapat tanë të parë pasi na është mësuar se duhet të zgjedhim një partner dhe të qëndrojmë gjithë jetën me të. Madje kemi edhe raste kur thuhet se duhet të qëndrosh gjithë jetën me atë partner për shkak të fëmijëve. Ajo që gjykohet më tëpër për prishjen e familjes është gruaja në mentalitetin tonë shqiptar.
E dëgjojmë shpesh që nëse një grua zgjedh të ndahet, faji bie mbi të. Mendoj që nëse në një marrëdhënie partnerët nuk merren vesh me njëri-tjetrin, atëherë duhet të ndahen pasi kjo nuk i sjell asnjë të mirë familjes dhe fëmijëve. Edhe se në realitetin shqiptar, fëmijët janë justifikimi për të ruajtur një marrëdhënie që ka dështuar.
Pikërisht se duhet të kujdesesh për fëmijët dhe shëndetin e tyre mendor duhet të ndahesh pasi zënkat e tepërta nuk sjellin asgjë të mirë në familje. Edhe në rastin tim jam e sigurt që mua më bëjnë fajtore për ndarjen. Ky është mentaliteti shqiptar”, tha ajo.