Pas publikimit të disa dokumenteve këtë të enjte në llogarinë “Homeland Justice” në “Telegram”, ku pretendohet se bëhet fjalë për të dhënat personale të kryeministrit Edi Rama si dhe udhëtimet e tij jashtë vendit, ka reaguar kreu i PD, Sali Berisha.
Ai akuzon në Facebook se Rama ka krye si kryeministër 127 udhëtime me charter, që sipas Berishës kushtojnë 19 milionë euro. Berisha tha se as ish-presidenti i SHBA-së nuk ka kryer kaq udhëtime në 8 vite sa Rama. Duke e cilësuar si një superskandal, Berisha i kërkoi Ramës të japë dorëheqjen dhe të mos presë zemërimin qytetar.
“Rama ka humbur çdo ndjeshmëri e lidhje me këtë vend. Si asnjë kryeministër tjetër i Europës dhe botës i ke lejuar vetes 137 udhëtime me avion taksi.
Në 8 vitet mandat, presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush ka udhëtuar me Air Force One 74 herë, gjysmën e Edi Ramës dhe ka vizituar 43 vende të botës. Është një çmenduri që tejkalon çdo imagjinatë. Kancelari austriak, një vend i pasur nuk lejon veten të udhëtojë me charter, por me linjë tregtare Edi Rama me 137 udhëtimet e tij vajtje-ardhje me charter, 54 i ka kryer para themelimit të Air Albania. Pra ka marrë nga kompanitë e charter-ave avionë taksi në dispozicion të zotërisë së tij.
Të gjitha fluturimet e tjera, Rama i ka bërë përsëri me avionë taksi me Ismailin e apasionuar që flet sikur i ka mbirë në kopshtin e Surellit. Ismaili është një aeroplan i Air Albania, dhuratë e presidentit Erdogan. Karburanti, parkingu, rrogat, stjuardesat të gjitha që shkojnë 150 milionë euro që i paguajnë baballarët e atyre që nisen me gomone dhe kalojnë Lamanshin duke rrezikuar jetën e tyre se nuk ka mjet jetese në Shqipëri. Ndaj këtij superskandali reagoi me gjuhën karakteristike vetëm për të. Shqiptarët nuk mund t’ia falin kurrë këtë abuzim që shkon në 22 milionë euro. Avionë në dispozicion kanë emirë dhe sheikë. Këtu është përdorur avioni për ëekeend e qoka.
Rama të japë dorëheqjen dhe mos të presë ta dorëheqin qytetarët e zemëruar shqiptarë”, tha Berisha. Në këto kushte, ai theksoi se vetëm protestat masive janë zgjidhja më emergjente.
“Vetëm protestat masive është zgjidhja më emergjente. Shqipëria po zien nga zemërimi dhe revolta e qytetarëve të saj, e bizneseve të vogla, të cilët presin në ankth të madh të nesërmen, për të shkak të lukunisë së taksidarëve që është derdhur mbi ta, po zien në çdo familje shqiptare, për shkak të çmimeve të papërballueshme të produkteve bazë të jetesës. Po zien tek çdo i ri, që sheh tek Edi Rama një shpresëvrasës dhe ëndërrvrasës. Po zien te çdo pensionist që qan me lotët e ftohta e mjerimit sepse nuk siguron kafshatën dhe nuk blen dot ilaçet me pensionin e tij. Po zien te qindra mijëra punonjës në këtë vend, që me pagën mizerabël që marrin, nuk përballojnë dot as gjysmën e muajit”, tha Berisha.
Reagon Rama
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me akuzat e hedhura nga ana e opozitës për lëvizjet e tij jashtë Shqipërisë me një avion charter, duke shpenzuar në këtë mënyrë sasi të mëdha parash nga ato të taksapaguesve. Sipas kreut të qeverisë, ai ka folur njëherë për këto akuza dhe se nuk bëhet fjalë për një charter komercial, por janë shpenzime brenda buxhetit të qeverisë.
“Sikur udhëtimet e mia të punës t’u kushtonin shqiptarëve sa llogaritë që bëjnë nongratat, spiunët dhe topat e mediave të baltës, unë do të isha thjesht njëri prej tyre, po nuk kam asgjë të përbashkët me ta që më ngatërrojnë me veten dhe me charter-at e tyre! Avioni që unë përdor për udhëtime pune nuk është një charter komercial, po një avion për të cilin jam akuzuar edhe më parë nga të njëjtët delenxhinj dhe i kemi dhënë të plota faktet se pse dhe si konkretisht bëhet fjalë për shpenzime brenda buxhetit të gjithëhershëm të qeverisë! Sot nuk kam ndërmend të risqaroj të njëjtën akuzë, për të cilën kush dëshiron mund t’i referohet sqarimeve të mëparshme, ndërkohë që qeveria iraniane dhe opozitarianianët shqiptarë e këndojnë atë njëzëri! Çfarë neverie”, shkruan Rama.