Policia e Kosovës ka konfirmuar vrasjen e një gruaje në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK. Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, i tha Koha.Net se viktima është 35-vjeçare.:55
“Rrethorës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, tha ajo.
Viktima ishte në javën e 41-të të shtatëzënisë, duke pritur për të lindur. Vrasja dyshohet se është kryer me armë zjarri.
Viktima ishte e shtruar në Gjinekologji dhe kishte dalë për të blerë gjësende.
Ulur në karriget përpara objektit të Gjinekologjisë, i dyshuari e ka qëlluar fillimisht me një plumb viktimën, e pasi është rrëzuar, ka vazhduar të gjuajë disa plumba drejt saj.
Rasti i së mërkurës ka ndodhur vetëm pesë ditë pas vrasjes së një gruaje tjetër në Prishtinë.
Një burrë 70-vjeçar ka vrarë gruan e tij 63-vjeçare në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë, më 25 nëntor.
Sipas Prokurorisë, vrasja e gruas e cila ishte mësuese në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë është kryer me sëpatë.
Rasti ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë.