Partia e Lirisë dhe Partia Demokratike do të protestojnë së bashku më 6 dhjetor, në tubimin e thirrur nga Sali Berisha. Edhe pse Policia e ka refuzuar të pranojë kërkesën e Berishës për protestë, kreu i PD është i vendosur për ta organizuar. Për shkak të dy agendave, më 6 dhjetor Tirana do të ketë një “shtet rrethim” nga policia si në vizitën ish-sekretari amerikan i shtetit John Kerry apo Papa Françesku
Protesta e gjashtë dhjetorit që do të mbahet nga opozita korrespondon me datën kur në Shqipëri do të vijnë të gjithë kryetarët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian. Kësaj proteste që në fillim i qëndroi larg, ditën e djeshme e ka konfirmuar se do të jetë prezent në tubimin e organizuar nga Partia Demokratike. Kreu i Partisë Ilir Meta është shprehur ditën e martë se më datë 6 dhjetor do të jetë në protestën e thirrur nga Partia Demokratike. Ai dha edhe arsye se përse do të marrë pjesë në këtë protestë që do të mbahet edhe në datën kur vijnë ndërkombëtarët. “Nëntori për ne shqiptarët është muaji i pavarësisë, i çlirimit dhe lirisë. Dhe ju e dini që dhjetori po kështu për gjithë shqiptarët e ndershëm patriotë dhe liridashës është muaji i demokracisë dhe i Europës, kështu që pa asnjë diskutim që më 6 dhjetor ne do të jemi të gjithë për të brohoritur se do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, një vend të lirë, ku t’i jepet fund kapjes së shtetit dhe instalimit të mafies në pushtet”, është shprehur Meta gjatë një takimi që u zhvillua me rastin e festave të 29 nëntorit. Po ashtu Meta është ndalur edhe në luftën kundër qeverisë lokale. “Një vend ku askush të mos e frenojë më aspiratën për tu anëtarësuar në BE si ka ndodhur vitet e fundit. I jemi mirënjohës BE që pavarësisht vullnetit të qeverisë, mori një vendim edhe për shkak të zhvillimeve më të fundit në kontinent duke vendosur në plan të parë përshpejtimin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor. Kjo kërkon energji të brendshme për të përshpejtuar reformat që e bëjnë Shqipërinë të jetë shembull në rajon, për të drejtat e qytetarëve të saj. Siguria në Shqipëri është në kërcënimin e mafies në pushtet. Nuk është njoftuar protestë ndaj kryetarit të bashkisë, bileta e tij pa kthim në 14 maj. Është njoftuar një manifestim pro-europian që gjithë Shqipëria dëshiron të japë mesazh mirënjohjeje dhe për të nxitur Shqipërinë të ecë ne rrugën e integrimin europian dhe procesit të Berlinit. Në Shqipëri nuk ka dhe nuk duhet të ketë asgjë më të rëndësishme se Kushtetuta”, tha ai. Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili pas konfirmimit të Ilir Metës se PL do të bashkohet me PD-në në protestën e 6 dhjetorit, thotë se në shesh do të thuhen me zë të lartë ato që Europa i kërkoi qeverisë shqiptare me Rezoluten e Parlamentit Europian miratuar ne 19 maj. “Edi Rama punon egersisht vetem kunder integrimit ne BE dhe kjo do te thuhet me ze te larte ne shesh!”, shkruan Vasili ndër të tjera.Ish- kryeministri Sali Berisha tha se ka një arsye se pse kjo protestë do të mbahet në datën 6 dhjetor. Berisha tha se nëpërmjet kësaj proteste, opozita do i urojë mirëseardhjen krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. “Ne mirëpresim dhe u urojmë mirëseardhjen e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. Protesta e jonë synon para së gjithash të dëshmojë se në këtë vend, i cili po varfërohet, vidhet shkretohet çdo muaj e më shumë, aspiratat demokratike janë të forta. Ftoj që ta marrim këtë protestë tonën si një akt mirëkëpritje ndaj tyre dhe padyshim një akt armiqësor, flagrant, të hapur ndaj Edi Ramës i cili me aferat e tij turpëron çdo komb, qytetar, njeri, lirinë, pluralizmin, të drejtat, transparencën dhe çdo gjë tjetër”, u shpreh ai.
Protesta dhe policia
Protesta e paralajmëruar e 6 dhjetorit në Tiranë duket se është tema më e nxehtë e radhës e debateve politike. Policia ka refuzuar njoftimin e Partisë Demokratike për të mbajtur protestën në vendin e kërkuar, për shkak se ndodhet brenda perimetrit të sigurisë së Samitit të Bashkimit Europian. Berisha ka deklaruar se protesta do të mbahet në vendin ku është kërkuar dhe të martën mori edhe mbështetje nga Ilir Meta. Por kur na ndajnë edhe pak ditë nga 6 dhjetori, dita kur në Tiranë do të vijnë liderët e Bashkimit Evropian, Policia e Shtetit po përgatit teknikalitetet e fundit për planin e masave. Rreth 1500 efektivë pritet të jenë në terren ndërsa akse të shumta rrugore të të bllokohen për kalimin e delegacioneve. Niveli i masave të sigurisë parashikon ato që janë ndërmarrë kur Tiranën e ka vizituar ish-sekretari amerikan i shtetit John Kerry apo Papa Françesku. Në hartimin e masave të sigurisë janë përfshirë edhe stafet e delegacioneve që do të vizitojnë Tiranën ndërsa partia demokratike ka paralajmëruar protestë përballë kryeministrisë, zonë e cila cilësohet brenda perimetrit të sigurisë. Burime nga policia e cila ka refuzuar kërkesën e PD, bëjnë me dije se po shikohen disa mundësi, të bllokohen akset që të çojnë drejt bulevardit dëshmorët e kombit , të shmanget rrugëkalimi i delegacioneve në këtë aks ose të këtë intenerare të tjera qarkullimi që nuk pengojnë përmbushjen e axhendës.