Kryetari i ri i SPAK u zgjodh dje Altin Dumani i cili mori pesë vota, kudrejt rivalëve Edvin Kondili me katër vota dhe Adnan Xholi një votë. Çfarë ndodhi në mbledhjen e KLP-së dhe prania e ambasadores amerikand Yuri Kim vetëm gjysëm para se të jepej vlerësimi. A ndikoi prania e Kim në votën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë?
Me pesë vota pro, Altin Dumani do të jetë drejtuesi i ri i SPAK (Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar). Ai la pas dy rivalët Edvin Kondili që mori katër vota dhe Adnan Xholi një votë. Kjo zgjedhje pati vëmendje të madhe pas përplasjeve në deklarata të kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores amerikane Yuri Kim. Flitej qartësisht se Altin Dumani ishte një përzgjedhje amerikane, ndërsa Edvin Kondili gëzonte më shumë mbështetjen e politikës në pushtet, nga ana tjetër Adnan Xholi guxoi të ishte pjesë e procesit, por nuk “preferoi” të lobonte… Peshorja e votave diku do anonte dhe në mesditë, pak para se të votohej, diçka ndodhi që ndryshoi kandarin e votave. Ndërsa KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë) po dëgjonte platformën e kandidatit të fundit Edvin Kondili, situata u trazua nga zërat se dikush po vinte të shihte procesin. Ishte ambasadorja amerikane Yuri Kim që foli shumë me heshtjen e saj dhe me një deklaratë për mediat, teksa anëtarët e KLP-së ishin tërhequr për të bërë 20 minuta pushim dhe më pas të kryenin procesi i fundit. Protokolli u ndoq me rigorozitet. Kreu i KLP-së njoftoi hapjen e votimit duke lajmëruar se do thërriste emrat e kandidatëve sipas rendit alfabetik. Nga anëtarët e KLP nga prokuroria, Zeqir Hoda, Elojda Goxhi, Bujar Sheshi, Ledina Riza dhe pedagogja, Arta Mandro, votuan për Dumanin. Kreu i KLP-së Alfred Balla, përfaqësuesit e avokatëve Tartar Bazaj dhe Nurihan Seiti dhe pedagogja Mirela Bogdani votuan për Kondilin. Ndërkohë Prokurori Sokol Stojani ishte vota e vetme për kandidatin Adnan Xholi. Një nga anëtaret e KLP-së prokurorja Esmeralda Cami (Keshi), nuk ishte në seancë. Përfundimisht Dumani mori drejtimin e SPAK dhe tashmë pritet një tjetër frymë në këtë institucion, bashkë me dilemën se “njeriu i kujt” është? Nuk duhet të ndodhte me këtë institucion kjo lloj forme, por dukej gati e pashmangshme teksa ambasadorja në largim Yuri Kim u investua shumë në këtë proces, duke kërkuar të mos ndërhyhet dhe politika të qëndropjë larg. Po ashtu nga ana e kreut të qeverisë ka pasur disa deklarata që edhe ai kishte kërkuar të njëjtën gjë, duke u nënkuptuar se kerkesa për mosndërhyrje në fakt ishte ndërhyrje nga të dyja palët.
Reagimi i Ambasadës Amerikane
Në një reagim të ambasadës amerikane të Tiranë vlerësohet procesi i përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK, duke i cilësuar të tre kandidatët si të kualifikuar. “Ambasada e SHBA përgëzon Altin Dumanin për zgjedhjen si Kryeprokurori i ardhshëm i SPAK. Të tre kandidatët – zoti Dumani, Adnan Xholi dhe Edvin Kondili – janë shumë të kualifikuar dhe meritojnë respekt të plotë në përpjekjet e tyre. Presim me kënaqësi të punojmë ngushtë me të gjithë ata”-thuhet në reagim. Më pas i vihet theksi luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke sjellë në vëmendje memorandumin e presidentit Biden. “Për të çuar përpara Memorandumin e Presidentit Biden në Përcaktimin e Luftës kundër Korrupsionit si një Interes Thelbësor i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (qershor 2021), ne do të vazhdojmë të mbështesim zbatimin e reformës në drejtësi. Presim me kënaqësi të mbështesim zotin Dumani dhe SPAK-un ndërsa ata vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Puna e SPAK-ut duhet të vazhdojë të demonstrojë që askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE, është një kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. Shtetet e Bashkuara do qëndrojnë gjithnjë krah popullit shqiptar. Falënderojmë Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një proces përzgjedhës i cili pati qëllim të siguronte integritetin e procesit. Është thelbësore për institucionet e drejtësisë që të veprojnë me integritet, pa frikë apo favore”-theksohet në reagim. Gjithashtu vlerësimet e ambasadës kanë shkuar edhe për Arben Krajën, si kreu i parë i SPAK që drejtoi institucionin për tre vite.
Njoftimi që nuk shkon me deklaratat
I gjithë reagimi ishte mjaft korrekt dhe “bukurshkruar” diplomatikisht për të mos lënë mundësi interpretimi, por a ka qenë po aq e “larguar” nga ky proces ambasadorja Kim? Faktet dhe qëndrimet publike treguan se ambasadorja me mandat thuajse të përfunduar nuk qëndroi larg procesit. Disa deklarata të forta të mëparshme treguan se për zgjedhjen e kreut të SPAK ishin mjaft të interesuar, pasi reforma në drejtësi më së pari është një investim amerikan, si në vlerë monetare ashtu edhe burime njerëzore. Kim kuptoi se KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë) nuk ishte më institucioni i “bindur” ndaj ndërkombëtarëve. Në marsin e vitit të kaluar, KLP votoi për të emëruar në krye të Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imerajn, një prokurore e cila vinte nga Krimet e Rënda, por gjatë procesit të vettingut pati përplasje të forta me përfaqësuesit e huaj të ONM, (Operacionuit Ndërkombëtar të Monitorimit). Pas zgjedhjes së Imerajt në krye të institucionit të akuzës në kryeqytet, Kim në një lloj mënyrë ua dha një sinjal se zhgënjimi ishte i madh. A mund të ndodhte që në një kohë të shkurtër të njëjtët anëtarë të KLP-së, të merrnin “sulmin tjetër” nëse nuk zgjidhej Dumani? Ambasadorja nuk ia la asgjë rastësisë. Pasi kishte deklaruar se ishte takuar me çdo anëtar të KLP-së, duke u kërkuar të mos ndikohen, vetë Kim mbërriti dje në zyrat e KLP-së vetëm 30 minuta para se të votohej dhe si për “koiçidencë” në ato momente po përbyllte platformën e tij kandidati Edvin Kondili, i cili ishte përfolur si më i preferuari nga ana e pushtetit. Në fund fitoi Dumani. Ai është një prokuror me shumë eksperiencë nga duart e të cilit kanë kaluar dosje të rënda me personazhe të botës së errët të krimit të organizuar. Në shumë raste ka dhënë prova se nuk është tëhequr, duke dërguar pas hekurave jo pak individë të njohur të krimit të organizuar. Dumani mund të kishte fituar vetë postin e kreut të SPAK, mirëpo ndërhyrja e Kim ka dhënë një tjetër tablo për sistemin e ri të drejtësisë se ai që mbështet finaciarisht dhe ishte promotor i këtij projekti (Reformës në Drejtësi), në një lloj mënyre të kontrollon. Ajo që kërkohet nga qytetarët në përgjithësi është një drejtësi e pavarur që ligjin e zbaton në mënyrë të barabartë dhe pa u ndikuar nga asnjë fuqi e madhe, qoftë qeverisjet apo edhe ambasadat, sado të mëdha të jenë. A është tërësisht i pavarur SPAK? Koha do e vërtetojë. Një provë ishte dje dhe hija e rëndë e ambasadores ndikoi jo pak emocionalisht dhe vendosi në vështirësi anëtarët e KLPS-së që e thanë fjalën me votë.