Altin Dumani dhe SPAK me sindromën e arkës së peshkut

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga ROLAND QAFOKU

Nëse për disa prezenca e ambasadores Yuri Kim në KLP kur po zgjidhej kryetari i SPAK ishte shqetësuese dhe një veprim anormal, për masën e madhe të opinionit publik i vetmi shqetësim real është e ardhmja dhe pritshmëria për SPAK. Publiku ka tre vjet që pret që në rrjetën e këtij institucioni të bien peshq të mëdhenj, por në fakt deri tani kanë rënë personazhe që identifikohen me një arkë peshku. Kjo ishte prova materiale mbi të cilën u arrestua zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda më 13 korrik 2021 me akuzën e korrupsionit, ndërkohë që publiku ka tre vjet që pret të arrestohen ata që kanë vjedhur shuma me shumë zero në arkën e shtetit. Sado që me stabelat statistikore ky institucion të përpiqet ta hedhë poshtë këtë konkluzion duke përmendur Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon, nuk e përmbys dot perceptimin e publikut. Personalisht unë futem te optimistët e pandreqshëm që me ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion gjithçka do ndryshonte. Dhe do vazhdoj ta ruaj optimizmin për arsyen e vetme madhore sepse SPAK është dhe mbetet institucioni i fundit i shpresës së shqiptarëve se drejtësia në këtë vend do triumfojë mbi të keqen që ka mbirë. Por fakti është fakt se për këto kohë SPAK po vuan nga sindroma e arkës së peshkut. Nuk është arrestuar për korrupsion asnjë funksionar i lartë i qeverisë në detyrë dhe asnjë funksionar i qeverisë që është larguar në vitin 2013. Për rrjedhojë, perceptimi i publikut për ta luftuar këtë korrupsion ka rënë ndjeshëm dhe ky është lajmi më i keq jo vetëm për këtë strukturë por për të gjithë reformën në drejtësi. Dhe që SPAK të shërohet nga sindroma e arkës së peshkut, tashmë pritshmëritë janë drejtuar nga prokurori i sapozgjedhur në krye të saj, Altin Dumani.

PËRSE PRITSHMËRITË NDAJ ALTIN DUMANIT JANË TË LARTA

Nuk është fare nevoja të publikojmë një bio të Altin Dumanit. E kemi lexuar, e kemi dëgjuar dhe e kemi ndjekur live për afër 1 orë në atë që ai e paraqit përpara 10 anëtarëve të KLP-së mesditën e 16 dhjetorit dhe ajo është perfekte për një jurist perfekt në krye të SPAK. Ajo që tashmë është e rëndësishme lidhet vetëm me pritshmëritë e mëdha që ai ka përpara publikut. Dhe realisht Altin Dumani ka shumë në dorë. Është diletante ta kufizosh rëndësinë e kreut të SPAK vetëm në ndarjen se cilën dosje duhet të hetojnë vartësit e tij, porn ë mënyrën se si do krijojë frymën në këtë institucion. Altin Dumani ka shumë në dorë ta shndërrojë SPAK në një institucion të fortë që godet korrupsionin në qeveri dhe jo vetëm, pa u thyer nga presionet nga asnjë institucion apo grup personash qoftë kryeministër, ish-kryeministër apo edhe lojtarë të korridoreve politike. Nuk ka patur asnjëherë Shqipëria një institucion që publiku i gjerë ka këtë pritshmëri të madhe. Për këtë arsye Altin Dumani, juristi me karrierë 25-vjeçare në organet e drejtësisë ka në dorë shumë. Ka në dorë jo vetëm shortin për të caktuar vartësit e tij se cili do marrë dosjet. Por për të përcjellë dhe krijuar një frymë në këtë institucion se nuk ka më “The untouchables” (Të paprekshëm). Në këtë vend drejtësia është ajo që do vendosë në cilin kah do anojë peshorja. Do vijojë të jetë e ulur nga ana e krimit, korrupsionit dhe dominimit të të fortit me para dhe me pushtet politik apo do jetë e ulur nga ana e zbatimit të ligjit dhe ndëshkimit ndaj atyre që e kanë vjedhur dhe e vjedhin këtë vend. Mjafton të referohemi institucioneve ndërkombëtare dhe Altin Dumani duhet të kuptojë që Shqipëria ndodhet në udhëkryq: Do ndëshkohen ata që kanë abuzuar me fondet publike apo jo. Dhe këtë e ka në dorë pikërisht ai. Sigurusht me stafin e tij por ai është shefi dhe drejtuesi i SPAK.

SPAK DHE SHBA

Sot drejtuesi i SPAK Altin Dumani nis zyrtarisht detyrën dhe me zgjedhjen e tij u sqarua edhe kush e zgjodhi dhe si u zgjodh. Mes tij Adnand Xholit dhe Edvin Kondilit u zhvillua një garë që në fakt u parapri nga një betejë politike, madje edhe mediatike. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë një gjë e tillë. Në fakt kryeministri lëshoi një silurë të vërtetë kur dy ditë para zgjedhjes për hamendjet dhe thashethemeve tha:

Lexo edhe :  Për kombin shqiptar, kombin kosovar dhe kombin... kolonjar

“Jam plotësisht dakord me Ambasadën Amerikane dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet! Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve, të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”.

Në reagimin e PD-së të drejtuar nga Sali Berisha, pas zgjedhjes së drejtuesit të SPAK, Altin Dumani i sapozgjedhur nuk përmendet fare, por sulmi ndaj SPAK ishte ekstrem duke sulmuar dhe akuzuar rëndë Edi Ramën por akoma më rëndë edhe abasadoren amerikane. U shkruajt në deklaratën e PD:

“SPAK po përdoret në mënyrë antiligjore, anikushtetuese për gjah ndaj opozitës dhe shënon kapjen dhe dështimin e plotë të reformës sorosiane të drejtësisë në Shqipëri. Një ‘pallat drejtësie’ në korridoret e të cilit shkon për të bërë ekskursione dhe për të dhënë direktiva kryeministri dhe një ambasadore që bën rolin e guvernatores, nuk është as i pavarur, as i lirë dhe as i ndarë nga pushteti ekzekutiv, siç e kërkon një demokraci normale dhe funksionale. Me këto fakte të pakundërshtueshme, SPAK është thjeshtë një seksion i Partisë Socialiste”.

Në cilësinë e një deputeti me parti zyrtare në letër, por pa votues, Gazmend Bardhi bëri socialdemokratin me deklaratën tij pas zgjedhjes së Altin Dumanit në krye të SPAK: Tha Bardhi:

“Për shkak të garancisë së SHBA, ligji për strukturën e SPAK-ut është i vetmi nga paketa e Reformës në Drejtësi, i miratuar me konsensus PS-PD. Edhe pse ende SPAK-u nuk është në lartësinë e pritshmërisë së shqiptarëve për t’i dhëne fund pandëshkueshmërisë në nivele të larta të qeverisjes, ai duhet të mbështet të ecë përpara dhe të qëndrojë jashtë kontrollit të politikës”.

Mjafton të lexosh këto tre deklarata për të kuptuar se sa i madh është presioni politik ndaj SPAK. Besoj se edhe ai që ka informacon minimal ka kuptuar se Altin Dumanin nuk e zgjodhi as qeveria, e as opozita. Nuk ishin të paktë ata që dëshironin që në krye të këtij institucioni të zgjidhej i preferuari i ambasadës amerikane dhe ashtu ndodhi. Mes qeverisë, opozitës 1 dhe opozitës 2, ambasada amerikane është e vetmja që nuk ka interesa. Është përfaqësuese e demokracisë më të vjetër dhe më të mirë në botë. Është SHBA që i ka dhënë Shqipërisë në 100 vjet sa askush tjetër deri ekzistencën e shtetit tonë. Dhe këto mjaftojnë për të qenë të qartë se mbështetja e SHBA është garanci për një SPAK më profesional. Për disa prezenca e ambasadores amerikane Yuri Kim e ulur prapa krahëve të anëtarëve të KLP që do votonin për kryeatrin është parë negativisht. Një jurist shkruante se prezenca e saj tregoi se Shqipëria është koloni amerikane. Përgjigja ime është e thjeshtë: Në një situatë pa drejtësi, unë preferoj më mirë një koloni amerikane se sa një koloni e krimit të organizuar. Një jurist tjetër e quajti ambasadoren Kim si “Jakomonia”, duke nënkuptuar Franesco Jakomonin, mëkëmbësin e perandorit Vittorio Emanuele III, pas pushtimit të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përgjigja ime është e thjeshtë: Në një situatë pa drejtësi, më mirë një mëkëmbësi nga SHBA se sa një rrumpallë dhe pushtim nga krimi i organizuar. Por tashmë të gjitha këto diskutime dhe debate janë të mbyllura. Edhe këtë herë SHBA e vërtetoi se ne shqiptarët nuk do jemi vetëm duke treguar se drejtësia jonë ka një protektor dhe ky është SHBA. Tashmë u mbetet juristëve shqiptarë ta zbatojnë projektin e ngritur nën kujdesin amerikan. Realisht në 3 vjet nga ngritja dhe funksionimi, me defekte ose jo, SPAK e ka një bilanc që ka krijuar një bazë. Tani ka vetëm një rrugë: SPAK duhet të shpërthejë. Vërtetë të shpërthejë.

 

Të fundit

Sa kushton të udhëtosh nëpër botë?

Një nga pyetjet më të njohura që bëhet është se sa kushton të udhëtosh nëpër botë. Kjo ishte edhe...

11 maji/ Ekspertët: Kostoja e premtimeve elektorale llogaritet në dhjetëra miliardë euro

Shqipëria është njohur për udhëheqës politikë të premtimeve të pamundura, por kësaj here duket se gjërat janë ekzagjeruar në një nivel krejt tjetër me...

Ironia e Ramës: Berisha ka më shumë kandidatë nga Big Brother se nga Primaret

Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetar i PS-së, gjatë takimit me një rinjtë dhe të rejat në Tiranë, në kuadër të zgjedhjeve të 11...

Më e fortë se parashikimi, stuhia gjeomagnetike godet Tokën

Stuhia gjeomagnetike e parashikuar për sot më 16 Prill ka goditur fushën magnetike të Tokës një ditë më parë rreth orës 19:30 me orën...

Kura natyrale për pastrimin e mëlçisë dhe organizmit në pesë ditë

Mëlçia është organi që kryen disa prej funksioneve më thelbësore në organizëm. Ajo shërben si baza e çdo procesi të metabolizmit. Mëlçia filtron gjakun, prodhon enzima,...

Lajme të tjera

Web TV