Grupimi Berisha dhe grupimi Basha që janë zgjedhur si deputetë nën siglën e PD-së, kanë replikuar ashpër me njëri-tjetrin në akuza dhe kërcënime. Partia më e madhe opozitare ende nuk po gjen qetësi pas një viti përplasjesh, çka shton më shumë dyshimin se në zgjedhjet lokale do të dalin të ndarë.
Dy grupimet e Partisë Demokratike janë përplasur mes tyre në seancën e djeshme plenare. Nga vendi kanë debatuar kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj dhe Flamur Noka nga pjesa e deputetëve që mbështesin kryedemokratin Sali Berisha. Dy deputetët u panë të debatojnë me zë të lartë dhe shkak për “zënkën” është bërë mosfutja e grupimit të Berishës në listën e diskutantëve jashtë grupeve parlamentare. Noka dhe Alibeaj janë drejtuar me fyerje në drejtim të njëri-tjetrit, ndërsa kryeparlamentarja Lindita Nikolla bëri thirrje për qetësi. Një rast gati unik në Parlamentin tonë pasi deputetët e së njëtës parti grinden shpesh me njëri-tjetrin, duke e kaluar konfliktin nga zyrat e partisë edhe në sallën e Parlamentit. Debatet e djeshme duket se konfirmojnë mundësinë që grupimi Berisha dhe Grupimi Basha i cili përfaqësohet nga Enkelejd Alibeaj janë gjithnjë e më shumë të përçarë, duke shkuar në zgjedhjet lokale me kandidatë të ndryshëm. Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka është pezulluar nga seanca plenare pasi kishte marrë paraprakisht një paralajmërim nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Noka u pezullua nga seanca që u mbajt pasditen e së mërkurës në Kuvend pasi bashkë me deputetë të tjerë të grupimit të Sali Berishën bllokuan foltoren. Debatet mes dy grupimeve të PD-së nisën që në fillim të seancës për shkak të përjashtimit nga Grupi Parlamentar të katër deputetëve, Flamur Noka, Edmond Spaho, Albana Vokshi dhe Luan Baçi. Rrjedhimisht, deputetët e Berishës patën kohë më të limituar në dispozicion për të folur. Për shkak të tensioneve në salla, seanca është ndërprerë dy herë deri më tani. Përplasje më herët gjatë ditës ka pasur mes kreut të Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeajt dhe Flamur Nokës e Luan Baçit.
Përjashtimi
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka marrë vendimin për largimin përfundimtar nga seanca e djeshme të deputetit demokrat Flamur Noka nga parlamenti pas bllokimit të foltores nga ana e këtij të fundit dhe pas tensioneve të seancës. Noka bllokoi folotren duke bërë që ministrja Krifca të mbante fjalën e saj nga vendi, teksa deptueti demokrat shkaktonte zhurmë nga foltorja duke përplasur duart. Nikolla iu drejtua sërish Nokës duke i thënë se i ka dhënë paralajmërimin, tërheqjen e vëmendjes, ndërsa e lajmëroi se është në kushtet e pezullimit dhe largimit nga seanca. “Zoti Noka jeni në kushtet e nenit 65 kur po mbani foltoren pa asnjë arsye duke penguar zhvillimin e seancës. Ju kam dhënë masat praparake, ju përjashtoheni nga seanca e sotme. Nuk mund të vijoni me këtë sjellje anti qytetare. Merret masa e përjashtimit për zotin Flamur Noka sepse vijoni të mbani të zaptuar foltoren edhe pas paralajmërimit. Lironi sallën zoti Noka”, u shpreh Nikolla para dhënies së 5 minutave pushim nga seanca. Pas marrjes së vendimit për largimin e tij, së bashku me Nokën është larguar nga salla edhe një nga deputetët e tjerë demokratë që ka qëndruar pranë tij në bllokimin e foltores. Kolegu i tij Luan Baçi ka shoqëruar Nokën në ambientet e jashtme të parlamentit dhe ku më pas të dy largohen.
Debatet
Tritan Shehu dhe Flamur Noka i kërkuan kryeparlamentares Lindita Nikolla që të diskutohen disa projektligje të propozuara nga Partia Demokratike. Gjithashtu, Noka kërkoi dhe nga Nikolla që të tregojë dokumentin që vërteton se ka kërkuar që të largohet nga grupi parlamentar i PD-së. Pasi Nikolla dha sqarimet e saj, ajo i kaloi fjalën deputetes Dhurata Çupi. Kjo ka sjellë reagimin e ashpër të deputetëve demokratë, Shehu dhe Nokës. Në një moment, Tritan Shehu iu drejtua Enkelejd Alibeajt duke deklaruar se ka falsifikuar dokumentet për përjashtimin e tyre nga grupi parlamentar i PD-së. I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i këtij të fundit, madje duke e ofenduar, “legen”. Kjo është seanca e fundit parlamentare e vitit 2022, një seancë që pritet të zgjasë dy ditë, me diskutime e debate të shumta.