Partia Socialiste po kryen sondazhe në të gjithë territorin e qarkut të Tiranës për të marrë opinionin e komunitetit.
Në një intervistë për ABC, Veliaj tha se sondazhet janë mënyra më e mirë jo vetëm për të konfirmuar reputacionin që ka secili prej kryetarëve, por për të parë nëse ka edhe persona të tjerë me më shumë reputacion.
“Momentalisht ne jemi duke organizuar disa sondazhe në të gjithë territorin e Qarkut të Tiranës. Konkretisht këtë javë jemi duke bërë sondazhet në Kavajë, javën tjetër në Rrogozhinë dhe unë besoj që sondazhet janë mënyra më e mirë jo vetëm për të konfirmuar reputacionin që ka secili prej kryetarëve, por për të parë nëse ka edhe persona të tjerë me më shumë reputacion dhe për ta hapur lojën nga Primaret ose vendimmarrje që ndodhin vetëm brenda partive të mbyllura, për të sonduar dhe për të marrë opinionin e gjithë komunitetit”, u shpreh Veliaj .
Kreu i Bashkisë deklaroi se “non gratat” nga SHBA, nuk ofrojnë asnjë të ardhme në lidhje me Perëndimin, përkundrazi, përfaqësojnë interesat më të errët të atyre që shkatërruan Tiranën dhe Shqipërinë. “Ata që nuk ofrojnë asnjë të ardhme në lidhje me Perëndimin, në lidhje me botën ku duam të integrohemi, përkundrazi, përfaqësojnë interesat më të errët të atyre që shkatërruan Tiranë dhe shkatërruan Shqipërinë, nuk mund të jenë pjesë e lojës demokratike për sa kohë që janë përjashtuar nga udhëtimet, për sa kohë që janë përjashtuar nga përfaqësimi, për sa kohë që u është mbyllur dera e civilizimit perëndimor, unë besoj që është si të shkosh edhe të thuash –“A pranon të bësh debat me talebanët, ose me Hezbollahun?”.
Pra me grupe që tashmë janë në lista të zeza, unë nuk besoj që meritojnë të kenë vëmendje publike. Alternativa e tyre është që ta kthejnë Shqipërinë pas, ndërkohë që unë besoj që alternativa, ose dëshira dhe ambicia e shumicës së qytetarëve të Shqipërisë, është që Shqipëria të mos shkojë mbrapa, por të shkojë përpara, mos të shkojë nga Lindja, por të shkojë nga Perëndimi. Kështu që për çdo parti që zyrtarisht njihet nga gjykatat, që zyrtarisht ka mbështetje të jetës pluraliste që nuk është “non grata” nga SHBA-të dhe Britania e Madhe dhe që është e gjithëpranuar si një alternativë, patjetër që do isha shumë i lumtur që të debatonim mbi mënyrat sesi qyteti mund të shkojë përpara”, tha Veliaj.
Ndër të tjera ai u bëri thirrje qytetarëve që krahas votës për kandidatin, të votojnë dhe për këshilltarët socialistë. Kryebashkiaku tha se unifikimi i votës është e vetmja mënyrë për të mbajtur ritmin e këtyre punëve të mira për Tiranën.
“Ajo që mundohem t’u them gjithë qytetarëve është se një kryetar bashkie, sado të punojë, të përpiqet, të ketë ambicie e vizione për të transformuar qytetin, nuk mund t’i realizojë dot këto nëse nuk ka vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak. Është si të jesh një kryeministër shumë i aftë dhe nuk ke shumicën e parlamentit që të mundëson t’i bësh këto punë. Unë e kam provuar në disa mandate Këshillin Bashkiak. Kur Këshilli Bashkiak ishte pre e koalicioneve, negociatave pa fund, kur ti bllokoheshe me ditë të tëra, humbisje shumë kohë. Do të doja patjetër të kisha privilegjin dhe nderin e jetës sime të bëja edhe këtë mandat të fundit, në shërbim të qytetarëve të Tiranës, por nuk do vlente kjo nëse e njëjta votë nuk do ishte edhe për Këshillin Bashkiak. Parimi ynë është unifikimi i votës; votë për kryetarin dhe për këshillin Bashkiak të PS si e vetmja mënyrë që ne mund të mbajmë ritmin e këtyre punëve të mira për Tiranën”, tha Veliaj.
Teksa renditi disa prej investimeve që priten të nisin këtë vit, Veliaj tha se sot Tirana është në ditët e saj më të mira.
“Sot Tirana është në ditët e saj më të mira, jo në ditët perfekte por në ditët e saj më të mira. Para ca minutash u largua delegacioni i këngëtarit të famshëm grek Argiros dhe ata që kishin qen në Tiranë para ca vitesh nuk e dallon dot, mendonin se kishin ardhur në një qytet tjetër, shumë më modern, shumë më perëndimor, njerëzit shumë herë më aktivë. Jeta publike shumë herë më prezente dhe e gjallë. Ndaj edhe unë besoj që ne duhet të vijojmë këtë ritëm të Tiranës. Tirana vjet ishte Kryeqytet Evropian i Rinisë, tani është Qyteti Evropian i Sportit, vitin tjetër do jemi presidenca e gjithë qyteteve të Ballkanit. Unë besoj që gjithë këto aktivitete e rrisin reputacionin e qytetit, vlerën e pronës dhe ekonominë tonë dhe që të vazhdojmë me këtë ritëm na duhet jo vetëm vota për kryetarin. Edhe për këshillin bashkiak që na liron duart të fokusohemi tek puna dhe na jep mbështetjen që na duhet për këto punë”, deklaroi Veliaj.