Dëshmia e rrallë e ish-oficerit/ Si e ruanim Kadri Hazbiun te ‘Burgu 313’

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Dashnor KALOÇI 

“Duke pasur parasysh se faktin se, unë kam shërbyer vetë te Burgu Tiranës, (‘Reparti 313’), si oficer roje, për gjatë gjithë periudhës më shumë se një vjeçare (1982-‘83) që zhvillohej procesi hetimor dhe gjyqësor i të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, e them me bindje se, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino, nuk ka treguar të vërtetën.

Ai ka dashur të shfajësoj veten me atë që ka thënë, pasi, gjatë gjithë asaj periudhe kohe që ne kemi qenë prezent aty, dëgjonim ulërima nga të dënuarit, gjë e cila kuptohej lehtë se vinte nga dhuna e torturat që ushtrohej ndaj tyre.

Po kështu, nga kolegë të mi oficerë apo dhe ushtarë të ndryshëm që kanë bërë shërbim brenda dhe jashtë burgut në atë kohë, kam dëgjuar se, pasi mbaroi gjyqi ndaj “Grupit armiqësor të Kadri Hazbiut” (që u zhvillua brenda ambienteve të atij burgu), një ditë pas dhënies së dënimeve me vdekje, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Ziçishtit e Llambi Peçinit, nga qelitë e tyre, janë dëgjuar klithma, thirrje dhe ulërima, si p.sh.:

“O Enver Hoxha ndihmë, na e fal jetën”, “O Hekuran Isai, ndihmë, mos na pushkatoni”, etj., të kësaj natyre. Po kështu, Kadri Hazbiun e kanë nxjerrë të vdekur nga burgu i Tiranës natën e 10 shtatorit të vitit 1983 dhe kufomën e tij e kanë dërguar më pas te objekti “Komiteti Ekzekutiv” në Linzë, ngjitur me Batalionin e Sigurimit, ku ishin tunelet sekrete që u pushkatuan Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini, po në atë vend ku, vite më parë, ishte pushkatuar edhe Beqir Balluku me Petrit Dumen e Hito Çakon”.

Kështu shprehet mes të tjerash 73 vjeçari Halil Rrahmani, me banim në qytetin e Durrësit, ish-oficer i Batalionit të Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili në këtë intervistë ekskluzive për gazetën ‘Fjala’ na rrëfen për herë të parë publikisht, disa nga ngjarjet dhe të fshehtat e atij reparti special, ku ai ka shërbyer për dy dekada me radhë në periudhën 1971-1991. Si p.sh.:ndërtimin e disa prej tuneleve dhe objekteve sekrete nëntokësore në qendër të Tiranës, (ku disa prej tyre nuk dihen ende se ekzistojnë aty), objektin “Komiteti Ekzekutiv”, me tunelet sekrete ku u pushkatuan ish-udhëheqësit e lartë të shtetit që u cilësuan “grupe armiqësore”, shërbimin te Burgu i Tiranës apo siç njihet ndryshe te ‘Reparti 113’ në periudhën që aty zhvillohej procesi hetimor e gjyqësor i “Grupit të Kadri Hazbiut”, shërbimet sekrete të një rëndësie të veçantë që kryenin efektivat e zgjedhura të atij reparti, si te thesari i  shtetit, etj., objektin “Ulliri” në Linzë që e siguronte Batalioni i Sigurimit dhe ku përgatiteshin ata që shteti dërgonte jashtë me misione sekrete, (ku jepte leksione Nexhmije Hoxha dhe një nga personat që pas vitit 1990 u bë kryeministër i Shqipërisë), e deri te kontrabanda e cigareve që kryente shteti shqiptar me anë të ‘Repartit ‘100/1’ që ndodhej i dislokuar në Kodrën e Rrashbullit afër Shkozetit në Durrës, ku vetë Halil Rrahmani ishte komandant i saj, nga viti 1985, deri në 1991-in. Për më shumë rreth këtyre, e të tjera ngjarje dhe shërbime speciale nga karriera ushtarake 20 vjeçare në përbërje të atij reparti nga më të rëndësishmit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe shtetit shqiptar gjithashtu, na njeh intervista me z. Rrahmani, e cila do publikohet në disa numra radhazi të gazetës ‘Fjala’.

ZHalil, a mund të na thoni diçka për veten tuaj dhe si arritët të mobilizoheshit si efektiv në radhët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe?

Unë kam lindur në vitin 1948 në fshatin Shëmëri të malësisë së Tiranës, (që tani është nën juridiksionin e Komunës së Shëngjergjit), prej nga është dhe origjina e familjes sonë. Po në Shëngjergj, unë mbarova dhe shkollën 7-vjeçare (siç ishte atëhere sistemi arsimor), ndërsa shkollën e mesme, e kam kryer në Tiranë, pas mbarimit të shërbimit ushtarak, në degën Mekanike, (pa shkëputje nga puna) te gjimnazi “Partizani”.

Nisur nga fakti se nuk kishim probleme biografike, pra quheshim familje me biografi të mirë, më 6 shtator të vitit 1967, unë u thirra për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe më dërguan në rrethin e Tropojës, në zonën kufitare, në postën e Sulbicës. Pra isha ushtar kufiri.

Sa kohë shërbyet në kufi dhe kur u liruat nga ushtria?

Aty unë kam shërbyer aty deri më 22 maj të vitit 1969, kur më sollën në Tiranë, në Sauk, (aty ku është edhe sot Shkolla e Lartë e Ministrisë së Punëve të Brendshme), për të kryer një kurs 6 mujor, për oficer kufiri. Në atë kohë, aq ishte kursi për oficer kufiri, pra me gjashtë muaj, më vonë u bë 9 muaj, pastaj u bë një vit dhe gradualisht dy vjet, e vonë është bërë tre vjet.

Ishte kërkesa juaj për të ndjekur kursin për oficer, apo ju përzgjodhën?

Mua më përzgjodhën që më dërguan në kursin e oficerëve të Kufirit dhe e para ishte ana biografike, pasi siç u thashë, ne ishim familje me biografi të mirë dhe ana tjetër që, kishte më shumë rëndësi, ishte përgatitja ushtarake, pasi gjatë kohës së kryerjes së shërbimit ushtarak në atë zonë kufitare, unë isha dalluar në përvetësimin e programit stërvitor, si në lëndët teorike, ashtu dhe në praktikë gjatë stërvitjes e shërbimit. Pra, isha një ushtar me rezultate të mira, i përgatitur nga ana ushtarake e gjithashtu edhe nga ana disiplinore. Shkurt, plotësoja të gjitha ato kritere që, duheshin për të shkuar në atë kurs për oficer kufiri.

Gjatë periudhës gjashtë mujore që ndoqët atë kurs në Sauk, vetëm anën teorike bënit, apo dhe praktikë mësimore në kufi?

Përveç anës teorike në shkollën e Saukut ku komandant ishte Gani Goxhi dhe komisar Halil Pula, kemi bërë dhe praktikë mësimore në kufi, në Han të Hotit dhe në Muriqan, të cilën na e zhvillonin disa oficerë të Kufirit të shkollës së Saukut. Bashkë me mua në atë kurs, ka qenë edhe Razi Xhihani nga Kavaja, Nik Deda, nga Tropoja, etj.

Pas mbarimit të atij kursi, ku ju emëruan oficer?

Kursin gjashtë mujor e mbaruam në fund të dhjetorit të vitit 1969 dhe pasi u titullova oficer kufiri, mua më emëruan në detyrën komandant toge, në ‘Repartin 45’, që ndodhej te Komanda e MCR-së (Mbrojtja Civile e Rendit), afër Institutit të Fizikës Bërthamore, ku ishte dhe godina e Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku tashmë prej vitesh ato godina janë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Çfarë ishte ai repart dhe përse shërbente, çfarë detyrash kryente ‘Reparti 45’?

Ai ishte një repart Xhenio me tre kompani ushtarësh, që varej nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe komandant ishte Ilo Kristo. Detyra e atij reparti, ishte kryerja e punimeve xheniere në objekte të rëndësisë të veçantë dhe tepër sekrete, që kishte shteti i asaj kohe, siç ishin tunelet e Kërrabës, Skraparit, Selitës në malësinë e Tiranës, etj.

Pra të gjitha ato tunele dhe objekte të tjera ushtarake, si: vend-Komanda Qendrore e Ushtrisë, tuneli i depozitimit të thesarit dhe vlerave monetare të shtetit, tuneli i Arshivës, etj., (ku një pjesë e të cilave janë edhe sot në gjendje pune funksionale), u ndërtuan nga ai repart.

Objekte të tjera ushtarake apo civile, u ndërtuan nga ai repart gjatë asaj kohe?

Ka pasur edhe objekte të tjera që u ndërtuan nga ‘Reparti 45’, ku shërbeja unë si komandant toge, si p.sh., reparti i Ndërlidhjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kërrabë, të cilin e projektuan, montuan dhe e vunë në punë specialistët kinezë. Në vitin 1970, reparti ynë u shpërngul që aty dhe u vendos në afërsi të fshatit Linzë, pra, rreth 2 km. më në lindje, aty ku në atë kohë ishte objekti “Ulliri”, i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ndodhet edhe sot aty, fare pranë godinës së ruajtjes së thesarit të Bankës së Shtetit Shqiptar.

Ne, pra ‘Reparti 45’, na dërguan aty, për të ndërtuar objektet e ‘Repartit 324’, i cili ishte Batalioni i Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, një repart special, që varej direkt nga ministri i Punëve të Brendshme, por si hallkë e ndërmjetme, ishte Komandatura e Ministrisë, me komandant Rrapo Demo dhe më pas, Nikoll Shkurti. Ai repart, pra 324-a, që kur u krijua në atë kohë, e deri në fillimin e viteve ‘90-të, (pra edhe pas ndërrimit të sistemeve politike), do të shërbente për kryerjen e detyrave tepër sekrete të një rëndësie të veçantë që kishte Ministria e Punëve të Brendshme dhe gjithashtu shteti shqiptar i asaj kohe.

 

 

 

 

 

 

 

Çfarë ishte objekti “Ulliri” dhe përse shërbente ai?

Objekti “Ulliri”, ishte një godinë dykatëshe, (tip shkolle, që mesa di unë është dhe sot aty si ndërtesë), që përgatiste kuadrot e Zbulimit Politik Shqiptar për jashtë vendit. Pra, ajo ishte shkolla ku mësonin e përgatiteshin ata persona që shteti i asaj kohe, i dërgonte me mision jashtë, si zbulues, apo dhe në detyra të ndryshme sekrete.

Kujton ndonjë nga ata që përgatiteshin për të dalë me mision jashtë shtetit?

Objekti “Ulliri”, ishte një nga objektet tepër sekret dhe të një rëndësie të veçantë që kishte shteti shqiptar i asaj kohe dhe ne, pra ‘Reparti 45’, (si dhe ‘Reparti 324’ që u krijua më vonë), nuk kishim asnjë lidhje me të. Reparti jonë, u akomodua aty, për një periudhë kohe të shkurtër e, më pas na hoqën që aty dhe ne u akomoduam në çadra, deri sa u ndërtuan objektet e ‘Repartit 324’. Pra, u shfrytëzua një periudhë kohe, që aty nuk bëhej mësim, pasi objekti “Ulliri”, ose më saktë ajo shkollë, nuk funksiononte gjatë gjithë kohës si shkollat e tjera, por me periudha kohe të caktuara, sipas nevojave të shtetit, kur përgatiste kuadro për t’i nxjerrë me mision jashtë shtetit.

Ne vetëm si fytyra i njihnim ata që përgatiteshin te ajo shkollë, pasi kohën më të madhe ata rrinin brenda në klasa, por edhe dilnin për përgatitje fizike apo, për të luajtur basketboll te fusha e repartit tonë. Po kështu, ata frekuentonin për kafe apo paketa cigare etj., lokalin e repartit tonë, që ishte vetëm disa metra larg nga shkolla, sidomos kur ndonjë prej tyre mbaronte kursin dhe do nisej jashtë me mision, mblidhte kolegët dhe i qeraste aty me kafe a ndonjë gotë konjak siç ishte atëhere.

Ndërtimi i objektit, “Ulliri”, pra i godinës në atë vend, ishte bërë me qëllim që të mbahej sa më i fshehtë nga sytë e publikut dhe larg qendrave të banuara. Ai objekt ishte tepër i sigurt, pasi nga të gjitha anët, kufizohej vetëm me reparte ushtarake, pra që nuk mund t’i afroheshe dot aty. Nisur nga kjo gjë, edhe godina dykatëshe e saj, ishte ndërtuar në një vend si gropë, në mes të pemëve me ullinj, e rrethuar me pemë të tjera e me shkurre, saqë mezi dukej dhe çatia e saj, vetëm nga një rrugë që kalonte aty diku më sipër, e cila të çonte në fshatin Linzë.

Lexo edhe :  Marrëveshja e Kumanovës: Fundi i luftës në Kosovë pasi u firmos kapitullimi ushtarak serb

I gjithë objekti “Ulliri”, sigurohej me shërbim 24 orësh dhe mbulohej vetëm nga efektivët e ‘Repartit 324’, ku çdo derë apo dritare, ishte e vulosur dhe kontrollohej e merrej në dorëzim, sa herë ndërrohej shërbimi në çdo katër orë. Po kështu, ushtari që kryente shërbimin te porta kryesore e objektit “Ulliri”, ishte me mitraloz të lehtë në vend roje, ndërsa të tjerët, me armë automatike “Kallashnikov”. Por të kuptohemi, kjo kishte më tepër efekt psikologjik, pasi nuk mund të afrohej dot njeri, jo te porta kryesore e objektit “Ulliri”, por as afër tij.

Madje kujtoj se fillimisht, rruga për të ardhur të objekti “Ulliri”, ishte shumë e gjatë, kalonte deri në fshatin Linzë dhe më pas kthehej për aty, por kur erdhi aty për herë të parë për të dhënë mësim Nexhmije Hoxha, ajo u ankua nga rruga e pa asfaltuar dhe me gropa. Po atë ditë, pra menjëherë pas ankesës së saj, u dha urdhër dhe brenda tetë orëve, Xhenio e Ushtrisë së Ministrisë së Mbrojtjes, ndërtoi një urë betoni, e cila shkurtoi atë rrugë disa km. të gjatë.

 

 

 

 

 

 

 

Përveç Nexhmije Hoxhës, kujton ndonjë tjetër që vinte aty për të dhënë mësim?!

Një pjesë e tyre që jepnin mësim aty, vinin nga Shkolla e Lartë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Saukut, apo nga Ministria, sipas lëndëve përkatëse që ata jepnin aty, por siç ju thashë, nga që ai objekt, apo më saktë ajo shkollë, ishte një sekret shtetëror i rëndësisë së veçantë, edhe kuadrot që jepnin mësim aty, vinin dhe iknin me automjete të mbyllura, pra duke ruajtur sekretin, që të mos njiheshin dhe të mos kuptohej se për çfarë vinin aty.

Kështu, përveç Nexhmije Hoxhës që jepte lëndën e marksizmit aty, nuk mund t’ju them me saktësi ndonjë tjetër nga ata që jepnin mësim aty, pasi vetëm si fytyra i njihnim ata. Por, kujtoj dhe një personazh tjetër shumë i njohur, i cili pas viteve ’90-të, ka shërbyer edhe si kryeministër i Shqipërisë, në qeveritë e majta. Të dy këta, pra si Nexhmije Hoxha dhe profesori tjetër, kanë dhënë mësim tek objekti “Ulliri”, siç quhej Shkolla e Zbulimit e Ministrisë së Punëve të Brendshme për ata që dërgoheshin me mision sekret jashtë shtetit.

Të kthemi tek ‘Reparti 324’, kur u ndërtua ai dhe për çfarë ka shërbyer?

‘Reparti 324’, u krijua në vitin 1970-‘71 dhe ai ishte vazhdim i ‘Repartit 45’, i cili nga repart xhenio, u shkri si i tillë dhe u shndërrua në “Batalionin e Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme’, i cili ishte një repart special i koduar, si ‘Reparti 324’. Ky repart varej direkt nga Ministri i Punëve të Brendshme të asaj kohe, Kadri Hazbiu dhe ai u bë pak a shumë si, “Batalioni i Sigurimit të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore” që ishte diku te Rrapi i Treshit (me komandant Diko Zeqon), repart i cili varej direkt nga Ministri i Mbrojtjes Popullore të asaj kohe, Beqir Balluku.

Batalioni i Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kryente detyra të ndryshme sekrete e tepër sekrete të një rëndësie të veçantë, sipas nevojave që kishte apo i paraqiteshin më momente të caktuara Ministrisë së Punëve të Brendshme. Komandant i ‘Repartit 324’, që me krijimin e tij, ka qenë Dane Binaj, (i cili vite më vonë u bë komandant i Gardës së Republikës), kurse komisar, ka qenë Flamur Arapi.

Si e kujtoni ndërtimin e tij, pasi u shprehët pak më lart, se atë e ndërtoi ‘Reparti 45’, ku ju ishit komandant toge?  

Nisur nga rëndësia e madhe që kishte ai Batalion Special i Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, (i cili përbëhej nga tre kompani dhe një togë autonome kimie), pjesa më e madhe e objekteve të atij reparti, duke filluar nga kapanonet e ushtarëve, pra fjetoret, klasat ku bëhej mësim me kabinetet përkatëse, salla e mbledhjeve, mensa e ushqimit, kuzhina, depot e armatimit, depot e prapavijës, anekse të ndryshme, si salla e televizorit etj., u ndërtuan të gjitha nën tokë, me tunele beton-arme, të cilësisë së lartë, të cilat kishin sistem ndriçimi dhe ajrimi të bollshëm.

Pra me kushte normale jetese, për fjetjen, mësimin, mensën e ushqimit, etj., duke mos pasur asnjë lloj problemi. Pra, pjesa më e madhe godinave dhe ambienteve të ‘Repartit 324’, për dy kompanitë, të dytën dhe të tretën), si dhe togën autonome të Kimisë, ishin të gjitha nën tokë, kurse jashtë, ishin disa zyra të komandës, parku i automjeteve, lavanteria, banjot, dushet, ambientet sportive, etj.

Kompania e parë, ku ishte?

Kompania e parë, (‘Reparti 329’) apo siç njihej ndryshe si ‘Toga e motorrave’, ndodhej në qendër të Tiranës, ngjitur me Akademinë e Shkencave, ku tashmë prej vitesh është ndërtuar Pazari karakteristik i kryeqytetit, ku në hyrje të saj është porta prej muri guri me hark, ku ka qenë Bar -“Kalaja”. Dislokimi i asaj kompanie aty, ishte për të qenë sa më afër godinës së Ministrisë së Brendshme, të cilën efektivët e saj, e mbulonin me shërbim 24 orësh.

Përveç këtyre, ‘Reparti 324’, kishte dhe një pikë tjetër ushtarake të instaluar në Kodrën e Rrashbullit afër Shkozetit në Durrës, e cila merrej me kontrabandë e cigareve që bënte shteti shqiptar i asaj kohe dhe efektivi i ushtarëve aty, rrinin të veshur civilë dhe me flokë të paqethur. Në atë repart që përbëhej nga një togë ushtarësh, unë kam shërbyer për gjashtë vjet si komandant i saj, nga 1985-sa, deri në vitin 1991.

Po kështu, një pikë tjetër ushtarake e ‘Repartit 324’, ishte dhe objekti “Shtylla” që ndodhej prapa malit të Dajtit, diku në Qafë-Mollë, në afërsi të Fekenit, i cili përbëhej nga disa objekte sekrete të rëndësisë së veçantë, të gjitha në tunele nën tokë, ku do akomodohej ministria e Brendshme në rast lufte.

Si dhe për çfarë shërbenin këto pikat e tjera që sapo na treguat dhe cilat ishin detyrat konkrete që kryente ‘Reparti 324’?

Para se t’ju tregoj për detyrat që kryente ‘Reparti 324’, apo siç njihej Batalioni i Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, desha të them se ai repart, bashkë me Gardën e Republikës, ishte një njësi speciale elitë, jo vetëm e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por e gjithë Ushtrisë Shqiptare, pra edhe e atyre të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Kjo gjë, jo vetëm për nga detyrat që kryente, për të cilat do ju flas pak më poshtë, por edhe për kushtet e jetesës që i ishin krijuar, si trajtimi ushqimor me normë të lartë, përbërja e zgjedhur e efektivit të saj ushtar dhe oficer, stërvitja tepër speciale që kryente, kam parasysh këtu edhe fushimet dimërore në Feken dhe ato verore në bregdetin e Karpenit të Kavajës, etj., etj.

Ku konsistonte përzgjedhja e efektivit ushtar dhe oficer të atij reparti?

Përzgjedhja e efektivit ushtar të ‘Repartit 324’, fillonte që në Degët Ushtarake të rretheve, (Zyrat e Rekrutimit siç njihen pas viteve ’90-të), ku së pari ishin garancitë biografike, pastaj shikohej formimi, arsimimi dhe sjelljet e tyre në punë e shoqëri që ata kishin pasur para se të mobilizoheshin, etj. Ndërsa për kuadrot, pra efektivin oficer, përveç anës biografike që shikohej me imtësi në disa breza, shikohej edhe përgatitja ushtarake, rezultatet e shkollës, etj., etj.

Të kthehemi tek shërbimet dhe detyrat që kryente ‘Reparti 324’?

Batalioni i Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me tre kompanitë e tij, kryente shërbime dhe detyra të ndryshme me karakter sekret dhe të një rëndësie të veçantë, këto të paracaktuara më parë, apo dhe sipas nevojave që i paraqiteshin Ministrisë së Punëve të Brendshme në momente të ndryshme. Si p.sh., ngarkim shkarkimi i vlerave monetare të ‘Thesarit të Shtetit’ dhe lëvizja e shoqërimi i tij nga një objekt në një tjetër, si në Kërrabë, Skrapar dhe Bankën Qendrore të Shtetit në Tiranë.

Detyrë tjetër ishte dhe sigurimi, lëvizja, shoqërimi dhe transport i arkivave të shtetit shqiptar, nga një objekt në një tjetër. Po kështu, Kompania e III-të, bënte shoqërimin dhe transportin e vlerave monetare që vinin në Portin e Durrësit nga Republika Popullore e Kinës, të cilët më pas nga aty dërgoheshin në vendet përkatëse, në Kërrabë, Skrapar, etj., ku ruhej ‘Thesari i Shtetit’.

Të gjitha këto shërbime speciale, që kryheshin nga Kompania e III-të, e cila ishte dhe më e rëndësishmja e Batalionit të Sigurimit, ishin të parashikuara dhe për rast lufte. Këto lloj shërbimesh, nuk ishin shumë të shpeshta dhe Kompania e III-të, gjatë gjithë vitit, kryente stërvitje intensive në repart dhe jashtë tij, sipas programit.

Detyra të tjera special, kryente Kompania e III-të?

Po patjetër, kishte dhe detyra të tjera që kryente, por ato ishin të karakterit tepër sekret dhe të një rëndësie shumë të veçantë e për to, nuk duhej të dinte askush, pra jo vetëm unë si komandant toge, por as eprorët tanë më të lartë, siç ishte komandanti dhe komisari i Batalionit, nuk dinin gjë se çfarë ishin ato.

Si kryheshin ato detyra pa e ditur as komanda e Batalionit…?!

Ato kryheshin në këtë mënyrë: Vinte njoftimi nga Ministria e Brendshme për komandën e Batalionit tonë, ku thuhej se duheshin kaq dhe aq ushtarë, me këto karakteristika, pra po themi, të fortë fizikisht, ose jo, të kenë këtë lloj armatimi apo, pajisje personale me vete, me veshje civile apo ushtarake, etj., të cilët duhet të jenë para derës kryesore të godinës së ministrisë në këtë orë.

Pas këtij njoftimi, Komanda e Batalionit, përzgjidhte ushtarët nga Kompania e III-të, të cilët i dërgonte te Ministria e Brendshme, sipas orarit që u ishte caktuar dhe ata aty i priste një person, që i merrte ata në dorëzim. Si fillim, ai person u bënte instruktazhin e nevojshëm, pra u caktonte detyrën apo shërbimin që do kryenin ata në Tiranë apo jashtë saj, në ‘x’ apo ‘y’ vend, duke i njohur me detaje me gjithçka që duhej për kryerjen e asaj detyre. Dhe pasi mbaronte ai shërbim, për një ditë, dy ditë, apo më shumë, ata ktheheshin përsëri në repartin tonë.

Për të gjitha këto, pra ku kishin qenë, çfarë pune kishin bërë, kë kishin takuar, etj., etj., ata nuk duhet të flisnin në mënyrë kategorike as me njëri tjetrin që kishin qenë bashkë në shërbim dhe as me këdo njeri tjetër. Kjo ishte e prerë në mënyrë kategorike dhe askush, qofshin këta dhe oficerë eprorë të këtyre ushtarëve, nuk kishin të drejtë as të pyesnin se ku kishin qenë ata. Pra gjithçka mbetej aty dhe varrosej aty njëherë e përgjithmonë, pasi në të kundërt, qoftë dhe fjala më e vogël, kishte pasoja tepër të rënda ligjore penale, pasi kishin firmosur në fillim të shërbimit.

Të fundit

Rrëzohet në banesë 43-vjeçari në Pogradec, humb jetën në vend

Një 43 vjeçar është rrëzuar në banesë dhe ka humbur jetën në Pogradec. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 1 të...

Midis trillimit dhe realitetit

Nga Ben Andoni A shpërdorohen rregullisht zgjedhjet tek ne?! Pse përdoret rëndom çdo aset i partisë në fuqi për të fituar? Pse nuk i pranon...

13 qershor 1917/ Qindra të vdekur nga bombardimi gjerman mbi Londër

Më 13 qershor 1917, Londra përjetoi një nga bombardimet më të rënda gjatë Luftës së Parë Botërore, kur avionë bombardues gjermanë Gotha G.IV sulmuan...

Horoskopi ditor, 13 Qershor 2025

Dashi Gjatë kësaj dite janë mjaft të favorshme udhëtimet dhe kontaktet në vende të ndryshme. Mund të ketë të reja lidhur me sferën profesionale, ku...

A ngjitet murtaja e bagëtive të imëta te njerëzit? Ministria e Bujqësisë sqaron qytetarët

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur sot se deri tani raportohen 4 vatra të murtajës në vend, ku janë prekur në...

Lajme të tjera

Web TV