Ariste Cipi, mësuesja me zemër të madhe

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Vladimir Duraj

Kuçova ka qenë dikur zonjë e rëndë, pikërisht në kohën kur ajo u emërtua Q.Stalin. Me një nëntokë të pasur me naftë e gaz, fshati Kuçovë filloi të popullohej me të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, përfshi edhe skaje të largët si Gjirokastër, Vlorë, Korçë dhe Shkodër. U ngritën ndërmarrje të ndryshme, kryesisht në funksion të naftës, në një numër të konsiderueshëm, duke e kthyer Q.Stalin në njërin prej qyteteve më të industrializuara në vend. Po në atë kohë mori jetë dhe zhvillim të paparë aerodromi dhe aviacioni luftarak shqiptar me Regjimentin e parë të kësaj arme po në Q. Stalin. Nafta dhe Aviacioni thithën trurin nga i gjithë vendi, duke e shndërruar Q.Stalin në qytetin me numrin më të madh të intelektualëve në rang vendi.
Në Q.Stalin e asaj kohe gjeje shkencëtarë nafte, pedagogë Fakulteti, artistë të spikatur, mjekë të shquar, mësues të apasionuar, një punëtori ekslente. Ishin aq të shumtë saqë, nëse kërkon të veçosh ndonjë, duhet të sjellësh diçka sinjifikative, plus dhe ndryshe nga të tjerët. Duhet pranuar, gjykoj unë, se mosha që sheh, ndjen dhe pranon mirësinë është fëmijëria. Pikërisht në atë moshë skaliten në memorie si me daltë personazhe dhe perceptime të veçanta, të cilat, sa më shumë kohë kalon, aq më shumë shkëlqejnë.
Një nga personazhet qytetstalinase, të kësaj tipologjie, që ka mbetur një referencë shkëlqyese në memorien e çdo qytetstalinasi të kohës është Ariste Çipi – Mësuesja me Zemër të Madhe. Aristeja nuk mund të bëhej ashtu siç ishte, e shndrritshme në 360⁰, brenda natës, dmth, kur e njohëm ne; Aristeja pa asnjë diskutim, apo ekuivok, ka qenë e atillë që në ngjizje, në gen. E pra, ka lindur fisnike nga prindër fisnikë në soj fisnikësh. Që Aristeja ishte siç e them më sipër është perceptimi im dhe gjithë të tjerëve bazuar te kontaktet që kishim me Të, ndërsa pjesa e ngjizjes, genit dhe sojit është deduksion i gjithë dijenisë sime të mëvonëshme për formimin e saj, cilësi, karakteristika, vlera e virtyte që ajo posedonte.
Aristeja kishte një bukuri të pamatë, aq sa mund të mendoje se Zeusi kishte sjellë Afërditën te ajo. Por s’mbaronte këtu, Aristeja nuk kishte vetëm bukuri dhe dashuri sa vet Afërdita, ajo kishte me bollëk intelekt, modesti, kulturë, fisnikëri. Kishte një buzëqeshje të veçante, mbushur plotë me hijeshi e dashuri, një zë të ëmbël si sirenat e Homerit. Për të mos folur pastaj për anën profesionale, menaxhimin e orës së mësimit, marrëdhëniet me nxënës e koleg, shpjegimin ekselent të mësimit, kërkesat racionale ndaj nxënësve. Kam thënë diku më sipër se Q.Stalin kishte mësues goxha të mirë dhe ashtu ishte, por kishte edhe Ariste që bënte diferencën në njërën apo tjetrën mënyrë. Aristeja ishte shumë e madhe si mësuese sepse ishte e tillë edhe si nënë dhe këtë e shfaqte non stop dhe në çdo pjesë të qenies së saj. Qeshej dhe i shkëlqenin sytë pēr gëzimin e dikujt prej nxënësve, vrenjtej e hidhërohej për sëkëlldinë e një tjetri prej nesh.
Nuk mund ta harroj atë ditë të largët të 1970-ës. Aristeja hyn në klasë dhe pasi na përshëndet e pyet për ndonjë shqetësim tonin, na kërkon të nxirrnim nga një fletë përpara për të bërë provim. Provimi ishte i pa paralajmëruar, por thënë aq hijshëm e me klas prej saj, nuk e kishte fare një shije të tillë. Ndërsa shokët e shoqet e mia po bënin gati fletën dhe stilolapsin, unë, i skuqur në fytyrë, vrisja mendjen se si do dilja nga situata e krijuar. Atë ditë, nuk e mbaj mend arsyen kisha shkuar në shkollë pa çantën e librave, ndaj nuk mund të nxirrja as fletë dhe as stilolaps. Aristeja e vuri re sëkëlldinë time, më vjen pranë dhe më pyet : “- çfarë ke, Ladi, pse je i shqetësuar, mos vallë nuk je përgatitur ?”
“- Jo mësuese, nuk e kam te përgatitja…kam tjetër shqetësim, kam harruar stilolapsin në shtëpi – i’u përgjigja dhe e skuqura në fytyrë m’u shtua edhe më.”
Ndërsa mua më shtohej e skuqura në fytyrë, të mirës Ariste i shtohej ajo buzëqeshje hyjnore që e karajterizonte, si për të më thëne : “- mos më gënje, nuk është punë stilolapsi kjo…mos ke frikë nga provimi ?”
“- Shkruaj me stiografin tim – më tha duke më përkëdhelur flokët me dashuri nëne.
Me stilografin e mësueses dhe me gjysmë flete fletoreje të marrë nga shoku i bankës, tē mbushur para e mbrapa, bëra atë provim të paharruar. Provimin e dorëzova i pari, 10 minuta para mbarimit të orës së mësimit. Aristeja buzëqeshi kur pa atë gjysmë flete të mbushur para e mbrapa dhe, kureshtare për përmbajtjen e saj, filloi leximin në çast. Në përfundim të leximit hodhi sytë drejt meje dhe me një vështrim tejet dashamir dukej sikur më thoshte: “-Bravo! Saktë, shkurt, bukur!” Në mbarim të orës së mësimit, teksa mblidhte provimet, hodhi vështrimin nga klasa dhe tha : “- E dini ç’bëri Ladi sot ? Me gjysmë flete të marrë nga shoku i bankës dhe me stilografin tim, bëri një provim që vlerësohet me 10, po 10 me yll, ama.” Nuk kishte kënaqësi më të madhe për mua teksa dëgjoja ç’thosh ajo perëndeshë, mësuese që shoqe kishte veten. Vite më pas i’a tregoja këtë histori një shokut tim, tre – katër vjet më të vogël. Teksa më dëgjonte, vuri buzën në gaz dhe kur unë përfundova së treguari, më tha : “- Nuk je i vetmi që tregon për Aristenë, histori shumë më të ndjera tregojnë shumë ish nxënës të saj kudo ku ajo ka punuar, në shkolla 8 – vjeçare apo në Teknikumin e Naftës. Po edhe unë kam ç’të tregoj për Aristenë. Si fillim po të them se: “nëse duhet thënë “mos ardhsh kurrë, o kohë e parë”, kjo duhet thënë për raste si ky që unë do të tregoj:
“Në klasën e tretë a të katërt fillore na vjen Aristeja si mësuese. Qysh ditët e para vumë re ato që dihen e thuhen për Të, një mësuese e bukur, e qeshur, e dashur dhe shumë e dhembshur. Para se të bënte mësuesen, ajo bënte nënën me ne duke u kujdesur për gjithçka, nga veshja, ushqimi, sjellja dhe deri tek rezultatet në mësime. Në pushimin e madh nxënësit hanin bukën që kishin marrë me vete nga shtëpia, ndërsa mësueset e bënin një gjë të tillë në sallën e mësuesve. Në një rast qëlloi që Aristeja të mos shkonte në sallë, nuk e mbaj mend se përse. Ashtu si të gjithë nxënësit edhe ajo hapi çantën, nxori bukën prej saj dhe filloj ta konsumoj në tavolinë atë ç’kish marrë me vete. Nxënësit kishin pak a shumë të njëjtën menu në përgjithësi, sepse edhe ata të paktët me ekonomi më të mirë se të tjerët kujdeseshin që një gjë të tillë të mos e shfaqnin në këtë ambient. Ashtu siç kishte “të paktë me ekonomi të mirë”, po ashtu kishte edhe “të paktë me ekonomi të keqe dhe shumë të keqe”. Tek këta të dytët hyja edhe unë. Një familje me 8 fëmijë, pa baba dhe vetëm me nënën në punë, nuk mund të ishte tjetër gjë veçse familje në hall. Kësisoj ishin të shpeshta rastet e vajtjes pa bukë në shkollë nga ana ime dhe vëllezërve e motrave të mia. Na halloste mamaja diçka para se të niseshim në shkollë, papare a ndonjë lloj përsheshi tjetër dhe me atë e kalonim kohën deri sa vinim në drekë në shtëpi për të mbushur barkun me gjellën që kishim lënë nga darka a ç’të mundnim tjetër. Në bankë isha me një shok nga soji i “pasanikëve”. Djalë i mirë, i dashur dhe shumë shok me mua. E ndante në gjysmë atë që merrte me vete sa herë që unë vija pa bukë në shkollë. Kështu bëri edhe në këtë rast kur, ndërsa hapte bukën, më ftoi edhe mua të haja bashkë me të. “-Nuk dua, hëngra shumë në shtëpi – i thashë shokut tim të mirë me zë të ulët që të mos dëgjonte mësuesja. Por nuk ndodhi siç doja unë, mësuesja ishte shumë afër dhe pa e dëgjoi ç’folëm ne të dy. Pas pak nxënësit filluan të dalin një nga një nga klasa. Kishin mbetur goxha minuta nga pushimi i madh dhe në çdo rast ato minuta i shfrytëzonim duke dalë jashtë. Kështu bëra edhe unë me shokun e bankës sapo ai mbaroi së ngrëni, por tek po ndiqja atë nga pas, dëgjoj zërin e ëmbël të mësueses : “- Qëndro pak se kam një llaf me ty.”
U ula përsëri në bankë dhe 1 minutë më pas, kur klasa ishte boshatisur fare, mësuesja vjen në bankën time dhe ulet pranë meje.
– A mund të flasësh me mua si me nënën tënde ? – më tha e mira mësuese.
– Po, ne ashtu ju shohim juve, si nënën tonë…ju jeni kaq e mirë – i thashë unë.
– Atëherë më thuaj, rastësi ishte kjo e sotmja apo ka edhe raste të tjera të ardhjes pa bukë në shkollë ?
“- Ka pasur edhe raste të tjera… jemi keq nga ekonomia… jemi 8 fëmijë dhe vetëm mamanë kemi në punë… kjo është arsyeja që edhe veshja ime dallon paksa nga e të tjerëve.”
“- Nuk e kam vënë re, kam vlerësuar tek ty cilësitë dhe virtytet sipërore të një nxënësi dhe më je dukur i bukur në gjithçka” – më tha mësuesja me sytë gati në përlotje dhe vazhdoi :
“-Do të bëjmë një marrëveshje bashkë: mëngjesin do ta hamë të dy, sidomos në ato raste kur ti nuk do të kesh marrë gjë me vete. Nuk do të më thuash jo, do më lejosh të të ndihmoj me ç’të kem mundësi. Dhe tani haje këtë… e lashë kastile për ty kur dëgjova ç’po flisje me shoqen tënde.”
E falënderova me gjithë shpirt mësuesen time të mirë dhe prej asaj dite uria u largua nga unë. Sigurisht që, prej asaj dite, situata të tilla u bënë shumë të rralla. Krenaria e fukarait bëri që ime ëmë të bënte çmos për të mos më nisur pa bukë në shkollë. U ndje e lumturuar për sjelljen e mësueses, por edhe e vrare në sedër për gjendjen ku ndodheshim. E megjithatë, zemrën e madhe të mësueses e pashë dhe e preka në shumë raste, qoftë në ngrënien bukë bashkë me të kur klasa kishte dalë jashtë, qoftë edhe me veshmbathje të ndryshme në raste festash.”
“-Histori sinjifikative, tregues i madhështisë së saj – i thashë shokut tim, i emocionuar nga ç’tregoi për mësuesen e veçantë, të mrekullueshmen Ariste Çipi.
Ariste Çipi nuk ishte vetëm mësuese dhe nënë shembullore, Ajo ishte gjithashtu një qytetare model, aktiviste shoqërore dhe progresiste e spikatur. Për të gjitha këto e të tjera që unë nuk i kam thënë por që përbëjnë atë shumatore të artë vlerash e virtytesh, Ariste Çipi ngjiti shkallët e “karrierës” nga mësuese filloreje në fshat, mësuese 8 – vjeçareje dhe Teknikumi në Qytet e deri në Universitet.

Të fundit

Koha për të planifikuar diçka të rëndësishme…çfarë thonë yjet për ju sot

Dashi Kujdes duhet të tregoni me shëndetin i cili gjatë kësaj periudhe paraqitet pak i dobët. Edhe pse mëngjesi do...

Karamuço zbulon detaje tronditëse/ Shumica e atentateve kryhen të dielën në darkë pasi…

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, i cili ishte i ftuar në “Top Story”  zbuloi detaje tronditëse për autorët dhe ditët që kryhen më shumë...

‘Principi i PD dhe Berishës, fantazëm’ / Çupi: Ilir Meta në listat e mbyllura, tallëse

Analisti Frrok Cupi, i ftuar në ‘ Real Story’ u shpreh se principi, parimet, teoritë dhe tezat në Partinë Demokratike janë një boshllëk. Sipas...

Ardhja e Trump, më shumë se gjysma mendojnë se marrdhëniet SHBA-Rama do mbeten njësoj

Në sondazhin e sotëm të zhvilluar nga Frontline dhe Eduard Zaloshnja, qytetarët shqiptarë u pyetën lidhur me ardhjen e presidentit Trump në Shtëpinë e...

Takime ose nuk ka, ose dështojnë/ BE beson në fuqinë e dialogut Kosovë-Serbi

Bashkimi Europian nuk ndryshon qëndrim për strukturat paralele të paligjshme serbe që po mbyllen në Kosovë. Zëdhënësja Anitta Hipper vijon t’i konsiderojë struktura të...

Lajme të tjera

Web TV