Partia Demokratike është tërësisht në kolaps ku rrezikon që të mos regjistrohet në zgjedhjet lokale të 14 majit. Kreu i KQZ-së Ilirian Celibashi la 48 orë kohë që të plotësohet dokumentacioni, duke kërkuar që Basha të firmosë “autorizimin e duhur”. Vula e PD-së ende në “ajër” dhe nuk dihet se në dorën e kujt do përfundojë.
Berisha “bërtet” se jam kryetar i PD-së që më ka zgjedhur anëtarësia, Alibeaj thotë se është “kryetar në detyrë” me autorizim, ndërsa Basha mbetet kryetar në gjykatë. Kjo kakofoni që nuk po zgjidhet as në prag të zgjedhjeve lokale ka përfshirë në një situatë absurdi edhe institucionet shtetërore, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Duke iu referuar “letrave”, duket sikur në krye të Partisë Demokratike do të rikthehet Lulzim Basha. Të paktën kjo po kërkohet në mënyrë instucionale dhe në të kundërt kudo që të jetë Basha dhe mbështetësit e dikurshëm të tij, përfshi edhe Alibeajn që po i pëlqen “kryetarllëku i komanduar”, duhet të lëshojnë autorizim specifik për tu regjistruar në KQZ. Ajo që është e sigurt është se Berisha tashmë me vendim gjykate nuk do të jetë më kreu i Partisë Demokratike, por streha e tij do të jetë “Partia e Lirisë”. Institucioni zgjedhor njeh Lulzim Bashën si kreun e demokratëve.
Reagimi i Celibashit
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka kthyer mbrapsht kërkesën e autorizuar nga Lulzim Basha për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 Majit. Celibashi u shpreh se dokumentacioni i paraqitur është i paplotë dhe i vendosi një ultimatum prej 48 orësh përfaqësuesit ligjor të grupimit të Alibeajt, Indrit Sefa. “Dokumentacioni i paraqitur nuk është i plotë për ato arsye që unë thashë ndaj do ju jap 48 orë kohë për të bërë plotësimet e kërkuara domosdoshmërisht për deklaratën e kryetarit të Partisë Demokratike”, tha Celibashi. Kreu i KQZ-së u shpreh se kryetar i PD në gjykatë rezulton Lulzim Basha dhe jo Sali Berisha dhe i takon atij që të autorizojë regjistrimin e partisë në zgjedhjet e 14 Majit. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka marrë në shqyrtimin kërkesat e Partisë Demokratike për t’u regjistruar në zgjedhje. Ai deklaroi se organi që përackton drejtuesin e Partisë Demokratike është gjykata dhe në këto rrethana theksoi se kryetar është Lulzim Basha dhe jo Sali Berisha. “Biem të gjithë dakord që nuk është KQZ organi që vendos kush është drejtues i një partie politike. Këtë duhet ta marrë nga një palë ë tretë. E ka përcaktuar ligji për partitë politike organin që vendos për organet drejtuese të një partie politike. Kjo është gjykata. Do të thotë që është gjykata dhe një dokument që vjen nga gjykata që përcakton kush është drejtuesi i një partie politike. Kjo është e qartë për këdo. Asgjë nuk e ndihmon argumentin në lidhje me legjitimitetin e atij që paraqet kërkesën”, tha Celibashi. Në nenin 9 për partitë politike thuhet që regjistrimi bëhet në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë që mban regjistrin e partive politike ku shënohet numri rendor i regjistrit, numri i aktit, emri i plotë i partisë, iniciale dhe emri i kryetarit. Ky është dokumenti zyrtar që tregon që një parti politike është e regjistruar dhe cili është drejtuesi i një partie politike. Por Celibashi ka dhënë edhe një mendimin e tij lidhur me këtë gjë. Ai mendon se Sali Berisha është kryetar i Partisë Demokratike. “Anëtarësia e një partie politike mund të njohin për drejtues këto që ata çmojnë dhe vlerësojnë se mund të jetë kryetar por ligji, ajo që merret në referencë është dokumenti zyrtar. Do të ishte shumë e dëmshme nëse KQZ do e merrte këtë vendim bazuar në perceptime apo fakte publike për sa kohë kemi një dokument zyrtar për një fakt të caktuar. Në perceptimin tim Sali Berisha është kryetar i PD por kjo nuk ndryshon asgjë në ligj. Gjykata tregon një fakt të ndryshëm nga ajo që ne perceptojmë dhe jemi të detyruar të marrin në konsideratë atë që përfaqësohet në një dokument zyrtar përndryshe edhe për rezultatin e zgjedhjeve, i bie të vendos cilën parti mendoj unë se mund të drejtojë vendin. Për ta përfunduar mendoj që të drejtën për të kërkuar regjistrimin e PD në zgjedhje, bazuar në dokumentet zyrtare të cilat i janë vënë në dispozicion KQZ-së, e ka Lulzim Basha i cili figuron kryetar i PD në pikëpamje të ligjit. Duhet që sipas ligjit kërkesa për regjistrim duhet të paraqitej nga Lulzim Basha. Ligji i jep të drejtën kodit zgjedhor dhe atij civil disa kompetenca të kryetarit të partisë, t’i delegojë te persona të tretë, Në vlerësimin që i kemi bërë dokumentit”, tha ai. Ai u shpreh se dokumentacioni i dorëzuar për regjistrimi në zgjedhje nuk është i plotë pasi nuk përcakton datën e zgjedhjeve por ka të shkuar “zgjedhjet lokale të vitit 2023”. “Duhet që akti autorizues të jetë i qartë se kush e lëshon autorizimin dhe kush autorizohet. Në lidhje me atë që kush autorizon është e qartë sepse Basha mund të autorizojë këdo që ai çmon. Nuk kemi diskutime edhe në lidhje me personin që autorizohet. Ju i keni të gjitha atributet për të qenë përfaqësues i autorizuar i kryetarit të Partisë Demokratike. Sipas dokumentit që ju keni paraqitur kjo qartësi nuk është e plotë. Që të jetë i plotë nuk ka vend për një mundësi të dytë të veprimit që autorizohet. Përfaqësimi dhe delegimi mund të bëhet për çdo lloj kompetence. Deklarata e kryetarit të Partisëm nuk është kompetencë por përgjegjësi dhe si përgjegjësi nuk mund të delegohet”, deklaroi ai.
Reagimi i Bardhit
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi KQZ ktheu mbrapsht kërkesën e autorizuar nga Lulzim Basha për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 Majit dhe vendosjes së ultimatumit prej 48 orësh për dorëzimin e dokumentacionit të plotë. Në një postim në Tëitter, ai shkruan se deklarata nga KQZ s’kanë lidhje me ligjin, por formalizim i një vullneti politik ekstraligjor. Ndërsa theksoi se “nuk do të ketë asnjë plotësim dokumentacioni sa kohë ai është dorëzuar i plotë”. “PD ka dorëzuar dokumentacionin e plotë ligjor për regjistrim. Deklaratat e sotme politike të KQZ nuk kanë asnjë lidhje me ligjin, por janë formalizim i një vullneti politik ekstraligjor. Nuk do të ketë asnjë plotësim dokumentacioni sa kohë ai është dorëzuar i plotë!”, ka deklaruar Gazment Bardhi.
Reagimi i Indrit Sefës
Përfaqësuesi ligjor i grupit të Enkelejd Alibeajt, Indrit Sefa, është shprehur se Partia Demokratike do të regjistrohet në KQZ për zgjedhjet e 14 majit. Sefa tha se dokumentacioni që ata kishin dorëzuar ishte i plotë dhe sipas tij regjistrimi duhet të ishte bërë që dje. Ai shtoi se vendimi do të ankimohej, duke thënë se afati kohor prej 48 orësh nuk do të ishte pengesë për këtë gjë. “Dorëheqja është personale dhe mund të pyesni vetë zotin Basha. Zyrtarisht nënkryetari i komanduar me funksionet e kryetarit është Enkelejd Alibeaj. KQZ njeh Bashën pasi duhet shkresa nga gjykata. Unë isha fare i qartë në përgjigjen time, nuk ka asnjë dispozitë ligjore që ti mund t’i drejtohesh Gjykatës së Shkallës së Parë për dorëheqjen e kryetarit. Ne kemi kërkuar që gjykimi i çështjes në apel të bëhet sa më shpejtë të ishte e mundur. Përpjekjet tona i kemi bërë. Ai vendim është i ankimueshëm. Afati fillon që kur vendimi merr formë të prerë, nëse ne bëjmë ankimim, patjetër që afati nuk na rrezikon. Unë jam jurist, nuk eci me hipoteza dhe nuk ka arsye për mosregjistrim të PD-së në zgjedhje. Sot PD drejtohet nga Enkelejd Alibeaj. Rezulton në regjistrin e partive politike, për faktin e vetëm sepse në këtë regjistër nuk mund të regjistrohet akti i dorëheqjes. Dosja nuk ndodhet në gjykatë. Sot për t’u regjistruar PD në KQZ për zgjedhjet e 14 majit, duhet vërtetim nga gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë. Rezulton kryetar zoti Basha”, është shprehur Sefa.