Hajde flasim për femrat!
13 mars. Nëpër tavolina sheh ende lule të njoma e të tjera gjysëm të vyshkura të cilat janë dhuruar në datën 8 mars, ditën ndërkombëtare të gruas. Sheh dhe syri sipërfaqësisht admiron, por përtej kësaj, si është e vërteta vallë? Përse nuk flasim për femrat, he, hajde flasim për femrat.
Si një grua e rritur, shoh rreth vetes femra me forcë burri, karakter të ngrutë, sfiduese, por gjoja femra. Hajde pra, hajde te flasim për femrat, se jam e zemëruar dhe kam shumë të them, pafund. Flasim, flasim se na thane dikur se bota ju përket meshkujve, por bota ju përket meshkujve vetem për emer, sundojnë duke sunduar femren, e nuk kanë asgje më shumë se sa ego në qenjet e tyre që natyra ju ka dhënë muskuj e asgje më shumë.
Dhimbje, ndjenje, shkrirje, perkulshmeri, sakrifice, deshtim dhe ringritje kjo eshte qenja njerezore. Te ngrihesh e të thuash unë, nuk ke thënë asgjë. Shoh rreth meje fytyra te trukuara, por qenje pa ngjyrë, sepse ngjyrat ua vodhën më forcën burrërore, me detyren e pashmangeshme që nuk ka dëshira dhe dëshirat e gruas i urdhëheq burri.
Pse nuk flasim për gratë? Unë njoh shumë rreth vetes, që janë edhe burrë edhe grua, por duhet heshtur, bota është mashkullore. Doja që të paktën në këtë 8 mars secila nga ne të postonte jo lule, as fotografi të bukura, as dedikime e fjale të thëna aty për aty, do doja që në këtë 8 mars secila nga ne të postonte një foto nën lot, kallo nën duar, rroba të pangjyra që prej vitesh vishen rregullisht cdo ditë, do doja të postoheshin enet pa larë, kontrasti kur të gjitha do të duhet ti bësh vete, teksa burri rri shtrirë në divan, ose pi një birrë me shokët. Netët pa gjumë i postojmë dot? Fyerjet dhe thyerjet i postojmë dot? Dëshirat e mohuara i postojmë dot?
Hajde pra, hajde, hajtë të flasim realisht për femrat. Ende sot flasim për femrat a thua jemi cope që duhet prerë sipas përmasave të partnerit, dhe nëse deformimi dhëmb, nësë deshira e mohuar dhëmb, nëse sakrifica dhëmb, nëse ti dhëmb, mjafton ti përshatësh dikujt tjeter.
Shpesh mjerisht kam dëgjuar që gjithë transformimin e unit dhe dëshirës tënde një burrë ka të drejtë ta beje, por tradhëtia pastaj mbetet një gjë e rendë!
Deri kur? Deri kur do pranojmë se dicka që nuk të prek të dhëmb më shume se ajo që ty të cungon, të pret dita ditës copëza prej asaj që ti do dojë te ishe, dhe pertej faktit qe nuk rritesh dot, zvogelohesh duke humbur, duke u tretur, duke dështuar, me idenë se po fitoj, po fitoj një burrë. Një burrë por as një grua nuk është një trofe. Zoti apo kushdo qoftë e krijoi bashkejetesen në funksion të përmirësimit dhe përfeksionimit të nje jetë të cilën nuk duam ta jetojmë vetem, por jo për të sunduar, kishte qëllim krijimin e një bashkëjetese të harmonishme. Gjinia nuk ka tipare vlerësuese apo garuese në jetë, jemi krijuar për të dhënë dashuri mes turmës ku gjendemi.
Por a ndodh kështu? Hajdë flasim pra për femrat, flasim për ato femra qe dhunohen, përdhunohen, përcmohen dhe vriten, dhe ajo që dhëmb më shumë në gjithë gjënë, është indiferenca dhe paragjykimi ndaj femres, këto të dyja hedhin poshte cdo vlere morale që është tentuar të ngrihet në shoqëri gjatë gjithë këtyre viteve.
A dua unë të këm një flirt? Dua. A dua unë të mos e kem nje flirt? Dua. Cfarë e bën një mashkull të plotfuqishëm për të cënuar një femer??? une mendoj se asgjë më shumë sesa idea se një mashkull ka pushtetin që natyra i ka dhënë dhe ky është parim aq i neverishtshëm ngulur thellë në shoqërinë shqiptare. Ndjej dhimbje per fyerjet, dhimbje për vrasjet, dhimbje për cdo cenim të padrejtë me te cilën përballet cdo femer në vëndin tonë, shtypur dhe imponuar prej forcës së mashkullit. Dhimbje sepse jam nënë, pres te rris dy femra të cilat do të jene pjesë e një shoqërie tmerrësisht shumë të ftohtë dhe aspak të drejtë ndaj të drejtave të njeriut. Nje shprehje thote: Burrë, kujto që ke lindur nga një grua
Hajde de, flasim për femrat? Për ato femra që mbase nuk bëjnë një gjumë të mirë, por zgjohen pa zbardhur ende dhe ushqejne fëmijet, i cojnë në shkollë e shkojnë vetë ne punë, pasi punojnë 10 orë ndoshta, e nuk kanë pasur një ditë të mirë, nxitojnë të rimarrin fëmijet, e pa u ndërruar ende kërkojnë të dinë cfarë mund të përmirësojnë një diten e femijes së tyre, duke lënë ndoshta dhe atë kafshatë pa ngrene se koha, por edhe pafuqia i le në baltë, e pastaj kur kujtohen për veten, është vonë në kohë, është vonë në fuqi, vonë në dëshirë. Të tillë femra ka plot shoh plot rreth vetes, por mbi të gjitha, unë jam një prej tyre.
Me pelqen shumë të flas për femrat, për dëshirat e tyra të shtypura a të lëna në harrese, a të shtyra për në një të neserme që nuk do të vijë kurrë, më pelqën të flas për ato femra që në emer të qenjeve që sollën në jetë, e shtrydhin shpirtin deri në pikën e fundit të ekzistencës së tyrë, e në një të neserme pranojnë të shtiren pas një tualeti të lehtë, por që nuk e përcon atë sfidën e thellë, kacafytjen, luftën e përbindshme mes vetes dhe realitetit.
Kështu pra, flasim për keto femra, që ngjanë më lulet e 8 marsit, shkelqejne vetem per disa ditë, dhe në jetet e tyre, mbajnë cdo sakrificë mbi supe, duke arritur kulmin e vetmohimit sa here me nje buzëqeshje të vdekur falenderojnë partnerët për gjithcka (nuk ) ju kanë dhënë, mbi të gjitha, mirënjohjen.
Nxitoj të shkruaj dhe shtyp tastet gati gati më forcë, si është e mundur vallë që ende vijojmë të shtiremi? Mirënjohja është katalizatori, është forca shtyese, është motivi, është gjithcka që i duhet një femre. Ne nuk mbetemi përjetësisht adoleshntë, as nuk ndjejmë njësoj në të gjitha moshat, por mirënjohje, ej, njeri, mirënjohje, kaq dëshiron një femer, të ndjej mirënjohje.
Kjo gjithashtu jam une, kjo gjithashtu është një pjesë e imja, por jo vetem, kjo është secila prej nesh.
E di sa e bukur do ishte bota sikur në vënd të luleve të tetë marsit, të na dhuronin 364 ditët e tjera pak më shumë mirënjohje? Femra ka fuqi të ndryshojë botën, por i duhen stimuj. Femra edukon brezat e së ardhmës, por i duhen stimuj, femra është ajo qe një burrë nuk ka qënë dhe nuk do të jetë kurrë, por dreqi e mori, dhepse zoti e beri kaq të përsosur, e beri të thyeshmë me shumë se sa duhet, dhe kjo është dështimi më i madh i saj.
Hajde pra, flasim për femrat, për ato femra që cdo ditë i perdorni për të mbushur egon tuaj mashkullore dhe autoritetin e rreme që emri burrë ua jep, për ato femra që nuk ju jepni hapsirën që duhet, hapsirën që ju duhet, për të vetmin fakt, se një burrë nuk bën dot pa një grua, ndërsa një grua, patjeter qe bën dhe bën fort pa një burrë.
Dua të flas për femrat, hajde, a flasim?