Ish-kryeministri Sali Berisha ka zyrtarizuar dhe regjistruar koalicionin që do të përballet në zgjedhjet lokale të 14 majit. Me Berishën dhe Metën do të jenë edhe Vangjel Dule, Nard Ndoka dhe Artur Rroshit.
Sipas Berishës, ky do të jetë koallicioni me i fuqishëm dhe fitues ndaj Ramës.
Në një kohë kur komisioneri i KQZ-së, Ilirijan Celibashi vendosi të mos ta regjistrojë në zgjedhje, Berisha me kandidatët e tij pa parti me logo e vulë do të strehohet tek partitë e tjera siç janë partia e Vangjel Dules, Nard Ndokës dhe Artur Rroshit. Në një mbledhje me grupin parlamentar të Rithemelimit, Berisha paralajmëroi në afatin e fundit futjen e kandidatëve nëpërmjet partive aleate për zgjedhjet e 14 majit. Ish kryeministri e cilësoi koalicionin e tij si bashkimin që do i japë goditjen e madhe kryeministrit Rama. Berisha zyrtarizoi koalicionin me Metën dhe dy aletatët Vangjel Dule e Nard Ndoka, për të kapur 15 marsin, afatin e fundit të regjistrimit të koalicioneve. “Opozita finalizon në orët që vjen koalicionin e rëndësishme me të cilin i jep Edi Ramës dhe monizmit të tij goditjen fatale më 14 maj. Ai mbetet në koalicion vetëm me Alibashën dhe Lul Bravën. Por unë një gjë do u them demokratëve, se nuk ka zgjidhje më të gabuar sesa zgjidhja për t’u keqpërdorur si patericë e Ramës”, tha Berisha.
Ish-kryeministri Sali Berisha vijoi akuzat kundrejt grupit të Enkelejd Alibeajt ku sipas tij janë në shërbim të Edi Ramës. Berisha në mbledhjen e grupit tha se Alibeaj kërkon të futet në zgjedhje me vetëm një qëllim, të ndihmojë Edi Ramën. Edhe pse kryetari i komanduar u ka shtrirë dorën kandidatëve të Berishës, ky i fundit e akuzon si aleatin kryesor të Partisë Socialiste. Dy ditë më parë, Berisha bëri një paralelizëm letrar me kryeveprën e Gogolit për çështjen gjyqësore që e ndan me palën e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj. “Njohja e Alibashës me autorizimin e një të dorëhequri, ekziston në një formë të ngjashme vetëm te Shpirtrat e Vdekur të Çiçikovit.
Nuk ka në historinë e botës një autorizim të vlefshëm. Këto janë testamente të njerëzve pa moral, të pengjeve që shfrytëzohen në mënyrën më të turpshme. Së dyti, nuk ekziston në asnjë ligj dhe Kushtetutë, që zyrtari që jep dorëheqjen, duhet të regjistrojë dorëheqjen në gjykatë. Këtu tejkalohet. Askush asnjëherë në këtë vend nuk ka vënë kurrë në dyshim deklaratën e dorëheqjes, siç bën Edi Rama me Lulzim Bashën”, tha Berisha. Sipas tij, “këto vijnë nga tmerri që ai ka nga vota e lirë. Ai e ndjen se është i humbur, ai e ndjen se ka shpërthyer një urrejtje popullore ndaj tij, që nuk ka të krahasuar, përveç urrejtjes ndaj Enver Hoxhës. Pikërisht sepse ka lepurin në bark, kombinoi me McGonigalin me fustan, e cila në shkelje të të gjitha parimeve të vendit të saj dhe këtij vendi, u angazhuan në mënyrën më korruptive kundër Partisë Demokratike.
Rama dhe Kim, të dy me mekanizmin McGonigal, do të dështojnë siç dështoi”, tha Berisha. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vendosi që Partia Demokratike të mos regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit, pasi nuk ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm. Celibashi vlerësoi kusht të panegociueshëm për të regjistruar PD-në në zgjedhje, deklaratën solemne të angazhimit me firmë të Lulzim Bashës, pasi edhe pse ka dhënë dorëheqjen në mars të 2022, është ai figuron në Gjykatën e Tiranës ende si kryetar. Tashmë grupimi Alibeaj i është drejtuar KAS, ndërsa Sali Berisha nga ana tjetër pa një parti të tijën, zyrtarizuan koalicionin me Metën dhe dy aletatët Vangjel Dule e Nard Ndoka, për të kapur 15 marsin, afatin e fundit të regjistrimit të koalicioneve.