“Luba”, një dashuri që vërvitet mes kohrash dhe zhvesh sistemin diktatorial

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Alessia Selimi

Sot, gjithçka njeh kompromis. Edhe dashuria, substanca më e qenësishme për njeriun. Duket se ajo përdhoset, blihet e zëvendësohet lehtësisht me një tjetër dashuri. Me një tjetër fytyrë e tipare, tjetër buzëshje e shikim. Sepse sot, të dashurosh është akt dobësie. E të qenit i dobët, askush nuk ta fal. Përjashtohet nga kjo gjyqësi forcash thuajse çdokush: gërnjari, lakmitari, madje edhe i pabesi, po kurrsesi i dashuruari. Nuk është aspak panoramikë e re apo surprizuese, por padyshim më e plotë, ku, në lëmin e së keqes, veçohet e mira se gjithçka vërvitet rreth individit e jo kolektivit.

Në Tiranën nevrastenike, silueta e zëra të ’60-’70 bëhen bashkë për të na folur pikërisht për më të shtrenjtën gjë, që duket se mbijeton edhe mbi tokë e qiell të përbaltur. Mbi podiumin e Teatrit Eksperimental është Luba ajo që rrëfen e para, edhe pse si të ish e fundit. Por kush është Luba, përveçse një grua e damkosur vetëm sepse është e huaj? Ajo është gjithçka përpos asaj studenteje të re dhe të bukur që në vendlindje, Kiev, njeh bashkëudhëtarin e saj besnik. Atë që nuk zgjodhi ta linte pas krahëve, por ta merrte në Shqipëri dhe të krijonte një familje. Atë që nuk hoqi dorë prej saj edhe nën represionin komunist, kur u detyrua të mendonte për jetën e tij. Dragush Gjerko është emri rreth së cilit Lubës i rrotullohet jeta, kësaj gruaje të regjur e të mbytur në lot, që evokon mbi skenë sekuenca makabre të së shkuarës.

Gjerko s’ishte veçse një bashkëshort e familjar i devotshëm, që punonte në fabrikë në një nga fshatrat e thella të Veriut, pa e ditur se një gjyq kolektiv e priste, paradoksalisht për ndikim dhe shfaqje të huaja borgjeze e revizioniste. Ai gjithashtu nuk e dinte se do të merrej në një mbrëmje të vonë, krah Lubës, për t’u dërguar në një nga qelitë e Hetuesisë dhe për t’u torturuar deri në pikën e një ulërime therëse. E si të ishte në dijeni, kur dashurinë e kishte parë të mëkuar nga dëlirësia e larg komplotit e paranojave së një shteti të tërë kriminal?

Lexo edhe :  Laura Antoneli dhe Eduixh Fenek, dy seks-simbolet që u keqpërdorën në komeditë erotike

Shpejt do të kthjellohej në burgun famëkeq të Spaçit – mes të vdekurish në botën e të gjallëve – se terrori i regjimit komunist është çka të shemb themelet. Jo dashuria. Se dashuria i jepte frymë edhe përmes letrash dhe se e ushqente si asnjë gjellë e gatuar. Në të njëjtat konkluzione do të dilte edhe Luba, ndërsa mundohej për të siguruar lejen e vizitës. Terrori i regjimit komunist të shemb themelet dhe PIKË. Të kruspullos gjymtyrët e të bën të njohësh edhe kafshërinë në trupa njerëzish mbi ty.

Dragushi ndërroi jetë e la pas vetes Lubën, fare fillikat. Pa një atdhe për t’u rikthyer, duke u kacafytur me të sajin fat të zi, sepse do t’i lëshoheshin të njëjtat akuza, ato të agjentes së huaj. Por Dragushi ndërroi jetë dhe mbajti me të qeshura edhe një grusht njerëzish të panjerëzishëm. Ishte një prej tyre – gardian burgu – që do ta njihte autorin Ylljet Aliçka me këtë histori tragjike.

Ai e ftoi për një shëtitje në qytetin e Matit, asokohe kur shkrimtari ishte mësues i zonës, me premtimin se do t’i tregonte një histori që do ta shkrinte së qeshuri; historinë e Lubës dhe Dragushës, dy të rinjve të shkërmoqur nga zemra kriminale e diktaturës.

Ylljetit nuk i qeshi asnjë pore në lëkurë, megjithatë, një reagim pati. Ylljeti solli për publikun e gjerë shfaqjen teatrale “Luba”, si dhe nxiti një pyetje që ndoshta përgjigje konkrete nuk kanë. Për dritën, dashurinë, errësirën e komunizmin.

*Shfaqja teatrore “Luba” vjen në skenën e Eksperimentalit nga autori Ylljet Aliçka, regjisori Armand Bora, koreografja Veroniki Chatzopoulou, kompozitori Enis Mullaj e aktorët Xhoana Karaj, Kristian Koroveshi, Igli Fusha, Livion Aliaj, Klaudio Gega dhe Eno Basha.

Të fundit

Olta Xhaçka thellon avantazhin ndaj Blerina Gjylametit në Tiranë! Ja renditja

Vijon numërimi i votave preferenciale në Tiranë. Ish-ministrja Olta Xhaçka ka kaluar kolegen e saj, Blerina Gjylameti me 55...

Ja çfarë fiton një shtet kur merr çmimin e parë në Eurovision

Kur një vend fiton Eurovisionin, nuk është thjesht një trofe i bukur që zbukuron zyrat e televizionit kombëtar. Fitorja sjell një sërë avantazhesh të...

Elisa Spiropali: Papa i Ri, ura dashurie dhe dialogu në kohë trazirash

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar përmes një mesazhi në rrjete sociale me rastin e fillimit të Pontifikatit të Shenjtërisë së...

Pse ka më shumë vota të numëruara se sa vota në total? Shpjegon Celibashi

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi ishte këtë të diel në një lidhje direkte për Euronews Albania ku u pyet nga gazetarja Greta...

Joe Biden diagnostikohet me sëmundjen e rëndë!

Ish-presidenti Joe Biden diagnostikohet me kancer në prostatë. Një deklaratë nga zyra e tij tha se Biden, i cili u largua nga Shtëpia e Bardhë...

Lajme të tjera

Web TV