Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet në shkollën e mesme “Asim Vokshi”, e cila po rikonstruktohet nga e para.
Veliaj e cilësoi si një projekt të vështirë, për faktin se ndodhet në një nga zonat kryesore të Tiranës.
“Vendi është ideal pavarësisht se është i ngushtë. E di që tani që janë debatet e fushatës, ankohen për oborrin e pallateve.
Mjafton të shkosh te ‘Asim Vokshi’ e shikon që autorët e prishjes së oborreve të pallateve, nuk janë ndërtimet e reja apo kullat, që kanë respektuar distancën, por gjithë babëzia dhe xhungla që u krijua në vitet ’90, në 3-4 administrata të atyre që sot çirren për oborret. Mjafton të shikojnë kur janë ndërtuar këto të ‘Asim Vokshit’ apo edhe të pallateve që u ndërtuan në kohën e administratës përpara, që as nuk respektoi distancat.
Po të shikosh çfarë është ndërtuar me rregull dhe çfarë është ndërtuar me estetikë i përket administratës së Edi Ramës dhe administratës tonë. Çfarë është ndërtuar rrumpallë, janë këto që bërtasin për oborret e pallateve, kanë firmën e tyre”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se “Asim Vokshi” është një nga 7 shkollat e lotit të fundit, duke e çuar në 50 numrin total të shkollave të rindërtuara në Tiranë.
“7 shkolla janë marrë përsipër nga PNUD dhe BE, si pjesë e projektit të rindërtimit pas tërmetit, duke e çuar në 50 numrin total të shkollave, të rindërtuara në Tiranë. Kjo shkollë vërtet duket sikur është ndërtesa ekzistuese, por në 70% të saj është komplet e re. Do të thotë që kolonat janë përforcuar.
Potenciali i shkollës ‘Asim Vokshi’ është i jashtëzakonshëm. 750 talente që i shtohen ekonomisë së Tiranës me këtë shkollë, janë të pazëvendësueshëm. Sot ka shumë hotele që po marrin staf nga Turqia, nga Filipinet, nga India, ndërkohë që këtu kemi burimin kryesor të stafeve dhe talenteve për turizmin, për legjislacionin e BE dhe për ata që do jenë menaxherë të këtyre hapësirave hoteliere.
Për Njësinë 2 kjo shkollë është një bizhu. Mund të themi që “Rruga e Elbasanit”, që është rruga kryesore e Njësisë 2, sot është stolisur si një varg me këto perlat e arsimit. Me të mbaruar me stolitë në anën e majtë, do kalojmë me stolitë në anën e djathtë. Do duhet që rektoratit dhe dekanëve të këtyre fakulteteve t’u japim një dorë”, tha Veliaj.
Për emrat e shkollave dhe rrugëve, Veliaj komentoi deklaratat e opozitës kur tha se nuk kanë asnjë ide zhvillimi për Tiranën dhe merren me gjëra të kota, për të kapur një votë këtu apo një votë atje.
“Për të gjithë ata që më kanë pyetur këto kohë a do ndërrohen emrat ‘Asim Vokshi’ apo ‘Avni Rustemi’ kam një përgjigje: është shterpërsia e atyre që nuk kanë asnjë ide për Tiranën, që në vitin 2023 diskutojnë për ndërrimin e emrave të partizanëve dhe heronjve apo të rilindasve.
Do të thotë se nuk kanë asnjë ide tjetër për zhvillim dhe të gjithë retorikën e kanë vetëm në këtë turbofolkun e emrave për të kapur një votë këtu, një votë atje. Gjykoj që është e gabuar që në 2023-in të futemi në këtë debat dhe të diskutojmë gjëra që historia i ka ndarë njëherë e mirë. Kush ishte në anën e duhur të historisë, kush ishte anti-fashist, ku ishte kontributi i secilit edhe për Rilindjen, edhe për pjesën pas Pavarësisë, edhe për Çlirimin, edhe për shtet-formimin.
Ndaj, këto i konsideroj muhabete të lodhura dhe të një kohe të vjeter, që nuk vjen më në Tiranë. Jo vetëm do gëzojmë shkollën ‘Asim Vokshi’, por do kemi edhe një emër të nderuar që vërtet i ka dhënë Tiranës kaq shumë talente dhe kaq shumë dashuri”, tha Veliaj.