Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë publike “auditin e brendshëm” të PD-së, duke akuzuar Lulzim Bashën se ka përfituar nga fonde të dyshimta ruse.
Reagon Basha dhe i kujton Berishës se donacionet vinin nga “listën e të ftuarve në listën e tij familjare”. Palët përplasen në prag të fushatës ku në zgjedhje shkojnë jo vetëm të ndarë por edhe me sulme ndaj njëri-tjetrit.
Financimet ruse kanë destabilizuar situatën në Partinë Demokratike. Partia Socialiste akuzon PD se është financuar nga paratë ruse, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha bën përgjegjës Bashën dhe Ramën se ka marrë para nga donatorët rus. I shpejtë ishte reagimi i Bashës i cili me “kode” i la të kuptohej Berishës se finacimi për lobim në SHBA nuk ka ardhur nga para ruse, por nga “lista e të ftuarve të familjarëve të Berishës”. Risjellja e kësaj çështje në nisje të fushatës elektorale duket se po thellon edhe më shumë përçarjen në PD që tashmë ka marrë vetëm një drejtim; ndarjen në dy dhe më shumë pjesë. Kreu “de facto” i PD-së, Sali Berisha, në një konferencë për mediat pas raportit të auditit mbi financimin rus në Partinë Demokratike, deklaroi se “PD-ja nuk ka në arkën e saj një qindarkë të vetme të hyrë apo të dalë për 500 mijë dollarë të paguar nga Biniatta Trade, një kompani e zbulimit rus në Skoci”. Ai tha se këtë e di edhe prokuroria, pasi sipas tij ka vënë nën akuzë Lulzim Bashën. “Ky është konkluzioni i raportit tonë. Këtë e ka ditur prokuroria, e ka dosja e prokurorisë, por prokuroria, e cila e vuri nën akuzë Lulzim Bashën për larje parash, e mbylli dosjen dhe mori peng Bashën. Ka një zhvillim dhe zhvillimi është aktakuza e organeve amerikane të drejtësisë, në të cilën Edi Rama ka kontraktuar McGonigal për hetimin e lobistit Nick Muzin, në të cilën Edi Rama nëpërmjet këshilltarit të tij privat, Dorian Duçka ka dërguar dy dëshmitarë nga Europa, nuk specifikohet vendi, për të dëshmuar para FBI-së lidhur me financimin rus të PD-së. Çfarë kemi të bëjmë këtu? Këtu kemi të bëjmë me një vepër krimi shumë të rëndë të Edi Ramës”, tha Berisha. Ish- kryministri shkon edhe më tej me skenarin e tij duke ia ngarkuar të gjithë këtë barrë edhe kryeministrit Edi Rama. Ai tha se SPAK është organi më i kapur në Europë. “Domethënë, Edi Rama, këshilltari i tij Duçka, kontraktuan McGonigal dhe e furnizuan atë, e paguan de facto, se paratë Agron Nezës ia ka dhënë Dorian Duçka. A përbën kjo një detyrim hetimor për prokurorinë? E padiskutueshme. Edi Rama del se fsheh krimin. Ai automatikisht vendoset nën hetim. Dorian Duçka vendoset automatikisht nën hetim. Duhet të tregohen se kush janë dëshmitarët dhe të dëshmojnë të vërtetën pranë prokurorisë. Lulzim Basha duhet të ballafaqohet me të gjithë provat e reja që sjellin Duçka, dëshmitarët dhe Rama në kuadrin qoftë të larjes së parave, qoftë të financimit rus. A hap SKAP-i partisë çështje për këtë çështje? Ai është organi më i kapur në Europë sot”, shtoi Berisha.
Reagimi i Bashës
Lulzim Basha u pyet lidhur me auditimin e publikuar nga Rithemelimi ditën e djeshme dhe burimin e parave ruse. Ai tha se këtë përgjigje duhet ta japë Sali Berisha, të cilin e akuzon edhe si përçarës të Partisë Demokratike. “Le të pyesë listën e të ftuarve në listën e tij familjare”, tha Basha, i cili theksoi se do të bëjë fushatë në të gjithë Shqipërinë për zgjedhjet vendore të 14 majit. Në shtator të vitit 2022 Basha reagoi pas deklaratës së zyrtarit të SHBA se Rusia ka financar këtë parti politike me 500 mijë dollarë në vitin 2017. Ish-kryedemokrati Basha u shpreh se PD “nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus”. “Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus. Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja. Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaron Lulzim Basha në Tëitter. Në një lajm të publikuar në mediat amerikane u tha se Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014. Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, sipas një zyrtari të lartë amerikan. Sipas zyrtarit që foli me median, ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit. Raporti ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”. “Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”. Kështu tha burimi i qeverisë amerikane.
Raporti i auditimit
Ish-kryeministri Sali është shprehur se auditë të pavarur kanë paraqitur raportin ndaj akuzave se PD ka pranuar financime ruse. Berisha theksoi se raporti është i plotë dhe serioz pasi janë analizuar të gjitha veprimtaritë financiare dhe buxhetore të PD-së. “Me të drejtë keni pritur raportin e auditit ndaj akuzave për PD-në se ka pranuar financime ruse. Ky raport tani është i plotë. Auditë të pavarur kanë paraqitur një raport serioz pasi kanë analizuar të gjithë veprimtarinë financiare, buxhetore të PD-së-, tha Berisha. Më tej Ledina Mandia, kryetarja e komisionit, deklaroi se grupi i Auditimit ishte ngarkuar për të bërë verifikimin në lidhje me përdorimin e parave ruse për lobim, akuza që janë dëgjuar në media. “Grupi i Auditit ka filluar punën e tij duke draftuar një rregullore, duke përcaktuar dhe rregulla sa i përket mbledhjes së dokumentacionit, pasi në PD nuk kishte asnjë dokumentacion për të lehtësuar punën. Është vlerësuar dhe marrja e auditëve të pavarur ligjorë. Korrespodenca më pas ka vijuar me prokurorinë, Gjykatën e Tiranës dhe KQZ-në, të cilët kanë vendosur në dispozicion dosjet e plota dhe po ashtu dhe pasqyrat financiare e raportet përkatëse të depozituara në KQZ. Në PD nuk ka ekzistuar një rregullore e brendshme dhe nuk ka ekzistuar një bord financiar, referuar detyrimeve statutore”, tha Mandia.