Vehap Shita, apologjeti i kulturës shqiptare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga: Bujar Meholli

Emri i tij haset në dhjetëra shkrime nëpër faqet e gazetave dhe revistave ikonike, të tilla si “Fjala”, “Jeta e Re”, “Rilindja”, “Theatri”, “Nëntori”, “Knjizhevne Novine”, etj… Korpusi i shkrimeve është i dendur, merr trajtat e angazhimit maksimal intelektual në të mirë të shkrimit shqip, gjegjësisht instalimit të mendimit kritik autentik, çfarë e kërkonte Faik Konica. Vehap Shita është njeriu që luftoi me pendë, siç edhe tregon në intervistën e Oral History Kosovo: “Kanë ardhë më kanë marrë policia në shpi a e dini për çka, më kanë lyp armë. Ka ardhë shefi i policisë në derë, unë: “Urdhëroni?”, “A jeni ju Vehap Shita” “Po”, “A keni armë?” “Jo” thash, “unë kom qenë partizan, kur më kanë burgos m’i kanë marrë krejt. Edhe përnime m’i kishin marrë krejt, masnej s’i kom marrë se nuk kom ditë m’i përdorë asnjonën. Më kujtohet një here jom rrzu bashkë me pushkë. (Qeshë) Thash unë e kom këtë armë dhe e nxora lapsin, kjo asht arma ime, me shkru di.” Gjatë gjithë jetës u angazhua për një hapësirë publike shqiptare ku të triumfojë liria e shprehjes në konditat e artikulimit adekuat të gjuhës, mendimit kritik e qasjes objektive ndaj problemeve të ndryshme kulturo-artistike e politike, gamës së gjerë të përkthimit letrar e eseistik, vrojtimit të hollë të postulateve eseistike-letrare. Para se të flasim në plan më konkret për aktivitetin intelektual, je të japim një profil të shkurtër si kartë njohjeje me këtë emër të shquar të publicistikës shqiptare.

Vehap Shita lindi në qytetin e Gjakovës. “Unë kom lind dikun në dimën të vitit 1923, në një familje zejtare. Babanë e kom pas rrobaqepës, por me të vërtetë prejardhja është intelektuale sepse gjyshi ka qenë hoxhë, ka qenë haxhi. Atëherë ajo pjesë ka qenë intelektuale për atë kohë, kështu që edhe babai im ka qenë i interesuar për shkollimin tonë”, tregon ai. (Citimet janë marrë nga intervistat e Oral History Kosovo). Si i ri, me ideale progresiste, i guximshëm, Vehap Shita do të rreshtohet armik i fashizmit, rrjedhimisht do të bëhet pjesë e lëvizjes nacionalçlirimtare në luftë; alla “Hemingway”, Shita do t’i përkushtohet më pas fuqishëm domenit kulturor si eseist, kritik filmi e teatri. Tutje shprehet: “Ministria e Arsimit e asaj kohe në krye me Ernest Koliqin bëri një politikë shumë të mirë për sa i përket organizimit të mësimit, shkollave. Në Prizren u hap gjimnazi, në Mitrovicë shkolla teknike, në Pejë shkolla bujqësore, në Prishtinë shkolla normale, pra u mbuluan të gjitha degët kryesore që duhet”, duke vazhduar: “Në ’42-shën u bona njoni prej aktivistëve të shquar të Lëvizjes. Kështu që më ra të marrë pjesë vetë tash në demonstratë kundër regjimit fashist të atëhershëm e kundër okupatorit. Shiqoni, ajo edhe pse ka qenë Lëvizje Nacional Shqiptare e udhëhequr prej komunistëve, e komunistë kishte pak shqiptarë, kështu që… Mirëpo me kohë u zhvillu ajo lëvizje, edhe në demonstratën në Prishtinë që u majt diku në shkurt të ’43-shit, unë mora pjesë në demonstratë edhe fola, mas kësaj demonstrate rashë edhe në burg”, rrëfen njeriu që ishte ndër themeluesit e Buletinit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, në Prishtinë. Regjisori, njëherit dhe bashkëpunëtori i Shitës, Bekim Lumi në portretizimin si intelektual dhe kritik teatri, e cilëson Shitën si figurë poliedrike e të gjithanshme, ani pse jo i “imponueshëm” aq sa duhet nëpër medie, autorin e dy librave të rëndësishëm me vështrime dhe kritikë studimore për teatrin dhe letërsinë “Kur ndizen dritat” e “Gjurmëve të letërsisë”. “Ai ka dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në kritikën e teatrit dhe filmit, kronikan i mprehtë dhe besnik, kritik i pakompromis, i qëndrueshëm në vokacionin mbi teatrin dhe filmin, për më se 50 vjet aktiv ai ka kodifiku dhe përmbledh në mënyrë shembullore krijimtarinë artistike të një brezi të tërë artistësh të cilët kanë vepru me rritjen dhe zhvillimin e teatrit. Ishte fanatik i përsosur i gjuhës shqipe, me njohje të thella të leksikografisë dhe me mprehtësi të çuditshme e përkushtim djaloshar, me energji e pasion të madh, besonte idealisht se do të jetonte gjatë për të punu, shkru e përkthy ma tutje për teatrin, letërsinë e kulturën tonë”. (Nga intervista në emisionin “Mbasditja n’Rrokum” – Kush ishte Vehap Shita?)

Përpjekjet e Shitës janë të prirura çdoherë kah krijimi i vetëdijes kombëtare, vrojtimi i çështjeve artistike nga prizmi kritik origjinal, bazuar mbi objektivat e gjykimit të drejtë të aksh veprës letrare, koncertit, shfaqjes, interpretimit/këndimit e kështu. Jemi pikërisht në vitet e arta të kulturës shqiptare ku emra të shumtë shfaqen në skenën kulturore duke dhënë kontributin real qoftë me krijimet artistike, përkthimet, esetë socio-politike, etj. Abdullah Karjagdiu, Teki Dervishi, Esad Mekuli, Hasan Mekuli, Tajar Hatipi, Hivzi Sulejmani, janë vetëm disa nga emrat e aradhës së gjatë të intelektualëve progresistë shqiptarë që preokupim e kishin pikërisht krijimin e një kulture të fortë shqiptare, që absorbon stile e teknika shkrimi, pra varion në lloje të ndryshme brenda korpusit të gjuhës shqipe dhe imanencës së saj krijuese. Po të shfletohen faqet e gazetës “Rilindja” apo revistës “Fjala”, do të hasësh në larushi personalitetesh letrare e shkrimesh të kategorive të ndryshme brenda dhe jashtë territorit shqiptar – emrat më eminentë të filozofisë, psikologjisë, letërsisë së përbotshme, mund t’i lexosh në shqip me përkujdesje të veçantë, fluiditet gjuhësor, besnikëri e përpikëri. Vërtet, gjithë ajo punë që është bërë nga këta intelektualë shënjon trungun e kulturës sonë, vazhdimësi e kontributit të çmuar të rilindësve që kulmon me “shpërthimin” intelektual që arriti zenithin e tij por vite më vonë sikur e humbi shkëlqimin, u shndërrua, apo më mirë u shpërfytyrua në një skenë të mugët, pa nerv, pa jetë, me plot allishverishe dhe jo më me në qendër qëllimin e iluminizmit shqiptar kolektiv, por përfitimin e llojeve të ndryshme nga kultura dhe intelektualizmi duke e shitur dhe blerë atë.

Lexo edhe :  Na ishte dikur/ Më 5 prill 1939 lindi Leka Zogu I, Leka i I-rë

Lista e shkrimtarëve eminentë që “folën e shkruan” shqip nga penda e Shitës është e gjatë. Përfshinë emra të shquar si Krleža e shumë të tjerë… por kontributi i tij kulturor manifesohet gjithashtu me sërë shkrimesh autoriale, artikujsh e vështrimesh për çështje të ndryshme sociale, politike, e artistike, brenda kuadrit të kulturës shqipe. Në një shkrim për “Akordet muzikore të Kosovës”, Vehap Shita, trajton problemin e institucionalizimit dhe ngritjes së nivelit artistik për t’u paraqitur edhe jashtë “mureve” të Jugosllavisë. “Nëse ky element i prezentimit para botës, ka atë rëndësi që i japim, atëherë prezentimi i këtillë i “Akordeve muzikore të Kosovës” vetëm si me të vërtet kosovare mund të ketë atë efekt dhe atë rëndësi që do të dëshironim ta ketë edhe kur është fjala për prezentimin tonë përpara botës, këtu në Jugosllavi dhe jashtë saj. Personalisht nuk e quaj më të vlershëm një krijim artistik nëse e bëjmë për prezentim përpara dikujt tjetër. Jemi për atë të vërtetën e njohur se çdo popull dhe çdo kulturë e pasuron thesarin e përgjithshëm kultural botëror, që është pronë e pakufizuar e mbarë botës, pa marrë parasysh kufijtë”, shkruan në “Fjalën” e vitit 1971. Toni është polemik, synon hapjen e debatit konstruktiv mbi një çështje kruciale sa i përket “Akordeve” dhe aktivitetit të tyre brenda e jashtë vendit dhe gjithashtu institucionalizimin e tyre. “Institucionalizimi – vazhdon Shita – i “Akordeve” doemos është faktor me shumë rëndësi që do të ndihmojë në sistemin e punës dhe intensifikimin e përpjekjeve për zgjidhje sa më të mira në kohë më të shpejtë. Por s’është shtegu i vetëm. Shkollimi dhe aftësimi i kuadrove është punë e përbashkët e atyre që profesionalisht janë të detyruar të kujdesen për këtë si dhe mbarë shoqërinë që është e interesuar për pasurimin e jetës kulturale-artistike të ambientit të vet”, thekson ai.

Përkitazi me analizën që i bën aktivitetit të “Akordeve”, le të shohim një vështrim tjetër të Vehap Shitës me titull “Letërsia dhe revolucioni” ku bën analizë objektive me qëllim shqyrtimin e revolucionit të artit në shoqëri që, sipas tij, pasuron dhe krijon kulturën e letërsinë e re. “Me revolucion janë të lidhura shumë probleme e botëkuptime që e kanë transformuar njeriun dhe realitetin tonë pikërisht në këto tridhjetë vitet më të stuhishme dhe vendimtare për formimin e personalitetit dhe fizionomisë së njeriut tonë si qenie individuale dhe pjesë të një bashkësie, kolektiviteti, shoqëror dhe nacional.” Shita në këtë reagim i jep prioritet Luftës Nacionalçlirimtare dhe revolucionit social ngase letërsia e kësaj periudhe evokon shtypjen dhe skllavërinë, kryengritjet dhe ngadhënjimin e popullit. “Kemi në krijime të tilla momente të sprovimit të ndershmërisë, atdhedashurisë, patriotizmit, trimërisë dhe vetëmohimit të pashoq në luftë dhe në punë për një jetë të lirë, të barabartë, për një vend të lirë në truallin e vet, në kuadrin dhe në konstelacionet e zhvillimit të përgjithshëm shoqëror, kultural e arsimor”. Shita revolucionin e koncepton si vazhdimësi kontinuitive, pra, arti/letërsia s’duhet të zhytet në letargji, përkundrazi duhet të marr zemër e hov krijues nga populli, të burojë, të shkruhet aty, të ngjizet me idealet e larta humaniste të cilat i koncepton artisti i angazhuar për të mirën e përgjithshme, le të jetë demaskues si Migjeni, tallës e ironik si Konica apo i prerë dhe i ashpër si Fan S. Noli – intelektuali, gjegjësisht letërsia e prodhon revolucionin e nevojshëm për ndërrim të hierarkive dhe gjendjes socio-politike, mjaft të jenë, siç shprehet: “reflekse të gjalla të luftës e të përpjekjeve të njeriut tonë në këtë luftë e revolucion.”

Vehap Shita është prototipi i intelektualit të angazhuar për kulturën shqipe dhe progresin e saj, ndaj marr përsipër ta quaj apologjet të kulturës sonë. Dha kontribut të madh gjer në moshë të thyer, mbi 90-vjeçare, përktheu dhjetëra vepra e autorë të huaj nga serbo-kroatishtja, po ashtu përktheu I. Kadarenë e A. Pashkun, mes të tjerëve, në këtë gjuhë; veprimtaria e tij përfshin gamë të gjerë aktivitetesh – nga kritika letrare, teatrore e filmike, esetë e vështrimet mbi problematika arti, kulture e politike. Përherë me buzë në gaz, me sens të pashoq humori, punëtor i madh, energjik, ëndërrimtar e pasionant, Vehap Shita i përket aradhës së intelektualëve klasikë shqiptarë që dhanë shumë e nuk u kursyen asnjëherë kur qe në pyetje kombi ynë dhe kultura, gjegjësisht, progresi i saj dhe komunikimi aktiv me botën.

 

 

 

 

 

 

Të fundit

Butaforia politike e Berishës

Nga Artur Ajazi Prej 2 javësh, kryetari PD-së Sali Berisha, po “shpjegon në detaje programin e asaj force politike”. Kur...

Vota e diasporës/ Celibashi: Ja kur do të nisë shpërndarja e fletëve

Kryekomisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi thotë se emigrantëve, zarfi me fletën e votimit do t’u shkojë në banesë. Celibashi u shpreh se postieri do...

Kur ngatërrojmë Europën me BE dhe samitet me reformat!

Nga Lutfi Dervishi Por atëherë përse gjithë kjo histeri? Sepse jemi në fushatë.  Në një akt solemn, qeveria ka shpallur 15 dhe 16 majin ditë pushimi,...

Media britanike jehonë ishullit të Sazanit: Një parajsë për adhuruesit e natyrës!

E përditshmja britanike “Express” i ka kushtuar një artikull ishullit të Sazanit, duke e cilësuar një parajsë për adhuruesit e natyrës. por edhe një ishull...

Fletët e votimit për diasporën/ Nis përgatitja e zarfave

Komisioni qendror i zgjedhjeve po bën gati fletët e votimit për diasporën, që do t’u nisen shqiptarëve jashtë vendit për të marrë pjesë në...

Lajme të tjera

Web TV