Mesnatën e së dielës është mbajtur mesha e Pashkëve në Kishën Katolike. Politika ka uruar dje gjithë besimtarët ku veç urimeve, kryetari i bashkisë Erion Veliaj ka premtuar rikonstruksionin e Kishës Katolike.
Dje janë kremtuar Pashkët Katolike. Mesha është mbajtur në orët e para të mëngjesit të së dielës. Pashkët janë festimi i ringjalljes së Krishtit tre ditë pas kryqëzimit tij. Kujtimi i ringjalljes së Krishtit është një mënyrë për të ripërtëritur shpresën e përditshme të fitores mbi mëkatin. Pashka është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike Romake dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit. Java para Pashkëve është quajtur Java e Shenjtë, dhe ajo përmban Tri Ditët e Pashkëve, që përfshijnë Të Enjten e Shenjtë, që përkujton Darkën e Fundit, Të Premten e Shenjtë, që përkujton kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit. Ndërsa janë kremutuar në mesnatë pas Pashkët, politika ka uruar gjatë ditës së dielë të gjithë besimtarët katolik. Kryeministri Edi Rama ka uruar nëpërmjet rrjeteve sociale. “Mirëmëngjes dhe me ditën e Ringjalljes së Krishtit, që celebron dashurinë e pafundme dhe sakrificën për njeriun, ju uroj gëzuar Pashkën Katolike”, shkruan Rama. Ndërkohë, që ish-kryeministri Berisha përveç këtij urimi ka dhe një lutje duke qenë se vendi është pranë zgjedhjeve lokale të 14 majit. “Të dashur miq, sonte besimtarët katolik shqiptar dhe të të gjithë botës festojnë Pashkën, ditën e ringjalljes të Krishtit Mbret. Pashka, dita e ringjalljes së Hyijt është për çdo njeri, për të gjithë besimtarët, ditë e besimit të madh tek Zoti, te mirësia dhe gjithëfuqia e tij. Vetishëm Pashka është ditë e shpresës së pashuar, e frymëzimit të njeriut nga vlerat hyjnore dhe njerëzore dhe një e ardhme më e mirë”, shkuan Sali Berisha. Më tej, një urim vjen dhe nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili po ashtu ka zgjedhur rrjetet sociale për të uruar besimtarët katolikë. “Të gjithë besimtarëve katolikë dhe ungjillorë ju uroj nga zemra, Pashkë të Bardha! Qofshi të gëzuar pranë familjeve e më të dashurve tuaj. Mesazhi i ringjalljes që kjo festë sjell, uroj të jetë ringjallje dhe e Shqipërisë sonë, në të gjitha aspektet”, shprehet Meta.
Urimi i Veliajt
Në ditën e Pashkës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, prej nga ku uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe dhe mirësi. “Dua t‘i falënderoj të gjithë, nga famulltari më modest tek pastori më periferik në qarkun e madh të Tiranës, që shërben me dinjitet, sepse detyrat duhet t’i ndajmë si përgjegjësi. Disa kanë detyrë të merren me institucionet civile, kopshte, shkollat, çerdhet, por unë besoj se më shumë se kurrë vendi ynë ka nevojë edhe për infrastrukturë shpirtërore, që s’e bën dot bashkia. Këtë duhet ta bëjnë patjetër imamët, priftërinjtë, misionarët dhe për këtë jam vërtet mirënjohës. Qyteti ynë nuk është perfekt, por falë këtij bashkëpunimi e kësaj harmonie është pak më i mirë se ç’ishte. Kur mendoj se kemi kaluar situata shumë të vështira, me pandemine dhe tërmetin, ndarja e barres e ka bërë qytetin më të njerëzishëm, më të dashur”, u shpreh Veliaj. Kryebashkiaku dha edhe lajmin e mirë të rikonstruksionit të Kishës Katolike tek Rruga e Kavajës, si dhe të Kishës së Shën Prokopit. “Po mbaron Kisha e Re te Rruga e Kavajës. Për ne që jemi rritur në Tiranë e kemi njohur si një palestër, sepse gjatë kohës së komunizmit, Maks Velo arriti të paktën ta mbronte Kishën, por ajo kurrë nuk përfundoi në tërësinë e saj dhe më vjen mirë që, edhe Këmbanorja, edhe Kisha, do jetë një bizhu për Rrugën e Kavajës. Kemi një lajm të mirë edhe për besimtarët ortodoksë, teksa afron Pashka e tyre. Ne do hedhim themelet për Kishën e Shën Prokopit. Për shumë njerëz që nuk e dinë, në fakt liqeni nuk ka qenë siç është sot, pemët nuk kanë qenë aty. Ka qenë një kodër e zhveshur që njihej si kodra e Shën Prokopit dhe kafja ose bar-bufeja e realizmit socialist në majë të Kodrës në fakt, ka qenë Kisha e Shën Prokopit. U bë një bar-bufe gjatë kohës së komunizmit, me pas u rikthye si Kishë, por ka ngelur ende në atë ndërtesën e stilit të realizmit socialist. Ajo do të shembet për te rikthyer kishën e Shën Prokopit”, deklaroi Veliaj. Ai vlerësoi faktin që në këtë pritje ishin të pranishëm përfaqësues dhe drejtues të të gjithë klerit, duke e cilësuar harmoninë fetare në vendin tonë si një prej gjërave më të shtrenjta.
Urimi i Kryetares së Kuvendit
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar besimtarët katolikë për Festën e Pashkëve. Ajo shprehet që paqja të përshkojë jetët e të gjithë shqiptarëve. “Ringjallja e Krishtit është mesazhi i fuqisë së jetës mbi vdekjen, i rrezes së dritës mbi tunelin e errësirës, i bekimit të dashurisë mbi mallkimin e urrejtjes, i paqes mbi luftën, i ngadhënjimit mbi mungesën e shpresës. Thirrja dymijëvjeçare “Paqe për ju” nuk është vetëm një mesazh fetar dhe as vetëm kristian, por një mesazh universal dhe njerëzor, për paqe, dashuri, pajtim e përdëllim! Thirrja e Pashkëve për paqe le të përshkojë jetët tona, familjet tona, vendet tona! Gëzuar Pashkët, gjithë besimtarëve katolikë!”, shkruan në urimin e saj Nikolla.
Urimi i Presidentit
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vizitoi dje Katedralen e Rrëshenit, me rastin e Pashkës Katolike. Gjatë vizitës, Begaj u prit nga Ipeshkvi i dioqezës së Rrëshenit, imzot Gjergj Meta. Përmes një prononcimi për mediet, Presidenti u shpreh se ishte kënaqësi e veçantë të ishte në Katedralen e Rrëshenit dhe përfitoi nga rasti të uronte të gjithë besimtarët katolikë “Gëzuar Pashkën”. “Qoftë kjo ditë një kohë ringjalljeje e shpresës, e paqes dhe harmonisë në të gjitha familjet tuaja, në shoqërinë tonë e në botën e trazuar ku jetojmë. Pikërisht sot është dita që duhet të risjellim në vëmendje se e mira mund të triumfojë ndaj së keqes, shpresa ndaj pesimizmit. Ne të gjithë duhet të punojmë që të kemi dritë përpara errësirës. Kënaqësi që jam sot këtu,” tha Begaj. I shoqëruar nga Imzot Gjergj Meta, Presidenti Begaj vizitoi gjithashtu shtëpinë e motrave vinçenciane.