Dokumenti sekret: “Pushkatimi i të atit në prill ‘45, Luanin e demoralizoi mjaft, por…”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dëshmia e rrallë/ “Në shkurtin e vitit 1945, në burgun e Tiranës, erdhi Nexhmije Hoxha, e cila sapo ishte martuar me Enverin dhe i solli Bahriut, llokumet e dasmës”! Rrëfimi / “Koci Xoxe i tha; Fahrije, po të ishte për mua dhe Bedriun, Bahriu nuk duhej të ishte arrestuar fare dhe jo më të pushkatohej, por ne zbatuam urdhrin e Partisë”.

Nga DASHNOR KALOÇI

Vijon nga numri i kaluar
Në pjesën e parë të këtij shkrimi, të botuar në numrin e kaluar, u njohëm me një jetëshkrim të Bahri Omarit, duke filluar nga origjina e tij, diplomimi në kryeqendrën e perandorisë otomane në Stamboll, (në degën e Administratës Publike) kthimi në Shqipëri në vitin 1912, ku ai do të emërohej si nëpunës në administratën shtetërore të krahinës së Kurveleshit dhe më pas si nënprefekt i Himarës, emigrimi në SHBA-ës ku iu besua drejtimi i gazetës “Dielli”, kthimi në Shqipëri dhe zgjedhja si deputet në Parlamentin e parë shqiptarë në prillin e 1921-it, pjesëmarrja në “Revolucionin e Qershorit”, përkrah Fan Nolit, emigrimi i gjatë si antizogist në Itali, kthimi në Shqipëri në ’39-ën, ku së bashku me Mit’hat Frashërin, ishte një nga themeluesit e ‘Ballit Kombëtar’, e deri te angazhimi në politikë, si ministër i Punëve të Jashtme në kabinetin e Rexhep Mitrovicës (shkurt-maj 1944), gjë e cila do të bëhej shkak, që ai, të arrestohej në nëntorin e ’44-ës dhe pas disa muajsh hetuesie, të dënohej me vdekje në ‘Gjyqin Special’ në marsin e vitit 1945. Për më shumë rreth kësaj, do njihemi në vijim të këtij shkrimi, ku përveç rrethanave se si u dënua me vdekje Bahri Omari, bisedat e gruas së tij, Fahrijes, me vëllanë e saj, Enverin dhe kryetarin e Gjyqit Special, gjeneral-lejtnant Koci Xoxe, e Prokurorin, Bedri Spahiu, me qëllim për t’ja falur jetën Bahriut, dhe përse kunati i tij, Enver Hoxha, insistoi që të mos i falej jeta, do njihemi edhe me një dokument arkivor të vitit 1960, ku ndodhet karakteristika e degës së kuadrit të Profesor Luan Omarit, ku flitet edhe për babanë e tij, Bahriun, si dhe për qëndrimin e Luanit, kur i’a pushkatuan të atin, në prillin e vitit 1945.
Nexhmije Hoxha, i çoi Bahri Omarit në burg, llokumet e dasmës…!
Gjatë asaj kohe që Bahri Omari ishte në burgun e Tiranës, (dhjetor 1944-mars 1945) atë e vizitonin herë pas here dhe familja e tij, bashkëshortja, Fahrija, me djalin, Fatosin (Luani në atë kohë ishte në radhët partizane), dhe në një nga ditët e para të janarit të vitit 1945-së, bashkë me Fahrijen, shkoi për ta takuar edhe nusja e kunatit të tij,(Enverit), Nexhmije Xhunglini, e cila sipas zakonit gjirokastrit, po i dërgonte kunatit të bashkëshortit të saj, llokumet e dasmës, për ta qerasur. Sa më sipër, bëhet e ditur sipas dëshmive publike, që na ka dhënë Xhemal Alimehmeti (ish-eksponent e Rinisë së ‘Ballit Kombëtar’) i cili asokohe, ka qenë në një qeli me Omarin dhe të tjerë miq të ngushtë të tij, ish-ministra e qeveritarë të lartë që nga kabineti i Ismail Qemalit, e deri tek ai i Ibrahim bej Biçakut, nën pushtimin e gjerman, eksponentë të ‘Ballit Kombëtar’ dhe ‘Legalitetit’, si: Fejzi Alizoti, Terenc Toçi, Aqif Përmeti, Gustav Mirdash, Koço Kota, Hilmi Leka, Reshit Merlika, Beqir Valteri, Javer Hurshiti, Dik Cami, Ismail Golemi, Zef Kadarja, Tahsim Bishqemi, Shyqëri Borshi, Daut Çarçani, Kolë Tromara, Qemal Vrioni, Mihal Sherko, Rrok Gera, Tefik Mborja, Sokrat Dodëbiba, Mihal Zallari, Ndoc Naraçi, etj. Lidhur me këtë, në mes të tjerash, Xhemal Alimehmeti, kujtonte: “Në burgun e vjetër të Tiranës tek rruga “Mine Peza”, kisha dhe Bahri Omarin e Kol Tromarën, që të dy personalitete dhe njerëz me reputacion të madh në politikën shqiptare, që nga fillimi i viteve 1920. Mbaj mënd se, diku nga shkurti i vitit 1945, Bahriut, i erdhi në takim gruaja e tij (që ishte motra e Enver Hoxhës), të cilën e shoqëronte Nexhmija, që sapo ishte martuar me Enverin. Tek dhoma e takimeve, gruaja e Bariut, i prezantoi atij Nexhmijen, duke i thënë se, ishte nusja e Enverit dhe nga çanta që kishte me vete, nxori disa dhurata të vogla të cilat, çifti i sapomartuar, sipas zakoneve gjirokastrite, ja kishte bërë dhurata Bahriut. Bahriu, nuk deshi që t’i merrte ato, por shoku i tij, Kolë Tromara, (të cilin e respektonte jashtë mase), insistoi që ai, nuk duhet t’jua kthente mbrapsht ato”. Kështu e kujtonte atë skenë të asaj ngjarje të pazakontë, të ndodhur në burgun e vjetër të Tiranës, (në fillimin e shkurtit të vitit 1945), Xhemal Alimehmeti, ish-eksponentë kryesor i Rinisë Nacionaliste të ‘Ballit Kombëtar’, gjatë periudhës së Luftës Antifashiste, i cili ishte një nga të burgosurit politik që ndodheshin të arrestuar aty.
Koci Xoxe: Fahrije, për mua, Bahriu nuk duhet të ishte arrestuar fare…!
Pasi Fahrija shkroi letrën në adresë të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, ku u lutej për faljen e jetës së burrit të saj dhe e dërgoi menjëherë në postë, ajo nuk u mjaftua me aq. Pas kësaj, ajo shkoi menjëherë tek shtëpia e gjeneral-lejtnant Koci Xoxes, (Kryetarit të Gjyqit Special), që ishte ngjitur me Enverin dhe i lutet atij, që të shikonte mundësinë, për t’ia falur jetën Bahriut. Pasi e dëgjoi deri në fund, jo pa habi, Koci i tha: “Fahrije, kush të ka dërguar këtu tek unë”?! Ajo ia tregoi se, atë e kishte dërguar Enveri, duke i thënë se; nuk kishte se çfarë të bënte për Bahriun, prandaj atë gjë, ajo mund ta bisedonte më mirë me Kocin ose Bedri Spahiun’. Ndërkaq Koci, tepër i habitur për ato çka po dëgjonte nga motra e “Komandantit”, pa e mbaruar mirë fjalën ajo, e ndërpreu, duke i thënë: “Fahrije, po të ishte për mua dhe Bedriun, Bahriu nuk duhej të ishte arrestuar fare dhe jo më të pushkatohej. Por ne kemi zbatuar urdhrat e Partisë dhe ti je lodhur kot që ke ardhur tek unë”. Këtë gjë, pra takimin e Fahrijes me Koci Xoxen dhe gjithë bisedën në mes tyre, na e ka konfirmuar publikisht në fillimin e viteve ’90-të, (autorit të këtij shkrimi), edhe bashkëshortja e Koci Xoxes, Sofia, gjatë një takimi që kemi pasur me të, në prani të dy djemve të saj, Gencit dhe Fatosit, tek shtëpia e tyre, afër “Rrugës së Kavajës”. Lidhur me përpjekjet e tratativat për t’i shpëtuar jetën burrit të saj, Bahriut, familja Omari, nuk e konfirmon versionin që Fahrija, të ketë shkuar tek i vëllai Enveri, për ta shpëtuar atë nga plumbi, por, sipas dëshmisë që na ka dhënë znj. Donika Omari (bashkëshortja e Prof. Luan Omarit), për atë gjë, Fahrija, ka shkuar vetëm tek Bedri Spahiu. Po kështu, sipas familjes Omari, Fahrijen, e ka nxitur avokati i saj, Suat Asllani, (ish-avokati i Qemal Stafës në gjyqin e marsit 1939), që ajo t’i dërgonte një letër Misionit Anglo-amerikan dhe ajo i’a dërgoj atë letër, por nuk dihet nëse mori përgjigje prej tyre!
Bedri Spahiu: “Enveri më tha se; po nuk vrava Bahriun, s’vras dot të tjerët”!
Lidhur me pushkatimin e Bahri Omarit, në fillimin e viteve ’90-të, është prononcuar publikisht (në gazetën “Republika” në vitin 1993) edhe ish-prokurori i Gjyqit Special, Bedri Spahiu, i cili nga viti 1955, kur u godit nga Enver Hoxha, e kaloi jetën në burgjet politike dhe në internim, deri në vitin 1991. Lidhur me dënimin dhe pushkatimin e Bahri Omarit, në mes të tjerash, ai ka shkruar: “E di nga shumë vetë se, unë si prokuror i atij gjyqi, jam akuzuar se kam pushkatuar edhe Bahri Omarin, por e vërteta qëndron kështu. Unë e pranoj se edhe njëmijë herë të tjera po të ngjallej Bahri Omari, po të isha prokuror, njëmijë herë do ta pushkatoja, madje me kënaqësinë më të madhe, edhe pa urdhrin e Enver Hoxhës, por për hir të së vërtetës, unë i thashë Enverit se; Bahriun nuk mund ta pushkatonte, pasi ai ishte burri i motrës së tij dhe se e kishte strehuar në shtëpinë e tij, në kohën kur Enveri ishte në Tiranë. ‘Bedri’, – më tha Enveri: unë po nuk pushkatova Bahriun, nuk vras do të tjerët”!
Fjalët e fundit të Bahri Omarit, para pushkatimit
Më datën 14 prill të vitit 1945, vetëm një ditë pas letrës që Fahrije Omari, kishte dërguar në adresë të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar dhe bisedës që kishte bërë me Koci Xoxen, një makinë ushtarake e rrethuar me shumë roje partizane, në orët e pasdites, mori rrugën për në drejtim të anës veri-lindore të kryeqytetit, diku në një vend që quhet Kodra e Priftit, që ishte paracaktuar për ekzekutimin e 17 të dënuarve me vdekje nga Gjyqi Special. Sipas ligjit, aty në ato momente, duhej të ishte prezent edhe prokurori, i cili duhej të ndiqte deri në fund zbatimin e vendimit të gjykatës. Pasi të 17 të dënuarve, i’u kërkua fjala e fundit dhe komandanti i togës së pushkatimit u kërkoj atyre që të ktheheshin me shpinë, pasi do jepte komandën, zjarr, vetëm njëri prej tyre s’pranoi të kthehej. Ai ishte Bahri Omari, i cili i’u tha: “Mos ktheni shpinat nga tytat e armëve, ashtu vriten vetëm armiqtë, ne s’jemi armiq dhe këtë do ta vërtetojë historia”! Këto ishin fjalët e fundit që tha Bahri Omari para vdekjes, të cilat i ka shkruar në kujtimet e tij, vetë ish-prokurori, gjeneral-major, Bedri Spahiu, që mori pjesë në ekzekutimin e atyre 17 të dënuarve më vdekje, atë pasdite të 14 prillit të vitit 1945.
Dokumenti arkivor me karakteristikën e Profesor Luan Omarit
Plot 51 vjet më parë, më 10 tetor të vitit 1972, kur u themelua Akademia e Shkencave e Republikës Popullore të Shqipërisë (pas kryetarit, Prof. Aleks Buda dhe nënkryetarit Prof. Kol Popa), Profesor Luan Omari, u emërua sekretar i përgjithshëm i saj. Emërimi i tyre në krye të Akademisë së Shkencave, ishte kompetencë e nomenklaturë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, apo më saktë, e vetë Enver Hoxhës dhe nisur nga ky fakt, ata do të kalonin paraprakisht në një “filtër” të hollë, duke “shoshitur” gjithçka nga jeta e tyre. Një nga dokumentet kryesorë që futej në “dosjen e kuadrit’ dhe merrej për bazë për karrierën e tyre të mëvonshme, ishte dhe ai me karakteristikën personale, ku përshkruhej shkurt dhe me detaje, si ana biografike, ashtu dhe ajo shoqërore, sjelljet në punë, përgatitja profesionale, veset, etj. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, në karakteristikën për Prof. Luan Omarin, e cila është bërë nga ana e Universitetit Shtetëror të Tiranës në vitin 1960, (me firmën e rektorit, Zija Këlliçi dhe dekanit Deko Rusi), ka shumë absurditete…!
Si p.sh., ku thuhet se: “Pushkatimi i të atit (Prill 1945), shkaktoi te Luani, një ndjenjë impresioni dhe e demoralizoi mjaftë: ai mendoi se, trajtimi i tij, nuk do të ishte i njëjtë (nuk do të shikohej me sy të mirë), por në qershorin e atij viti (1945), kur u caktua në punë si anëtar i kolegjiumit të gazetës “Bashkimi”, e ndryshoi mendimin dhe filloj t’i ngrihet morali, duke e konsideruar këtë, një provë besimi, që ka kundrejt tij Partia dhe Pushteti”. Sa më sipër, vërtet ato sot duken si absurditete, dhe aq më shumë kur këtë gjëra thuheshin për një ish-partizan, e djalin e motrës së Enver Hoxhës, por në atë kohë, ishin më se normale për atë regjim.

Lexo edhe :  Aktiviteti i tepërt fizik çon në fertilitet? Ja ç’thonë studiuesit

LUAN BAHRI OMARI
Datë – lindja, 16 qershor 1925
Vend – lindja, Tiranë
Vend – banimi, Lagjja “Partizani”, rruga “Kongresi i Përmetit”, Nr.
63 Tiranë
Origjina shoqërore, Nëpunës i lartë
Profesioni, Jurist
Gjendja organizative, A. P.

K A R A K T E R I S T I K E

Rrjedh nga një familje borgjeze. I ati i tij, Bahri Omari, prej vitit 1925, deri në verën e 1939-ës, ka qenë në Itali (instaluar në qytetin Bari).
Në vitin 1927, n’Itali shkon dhe Luani dhe mëma e tij. Gjatë okupacionit të Italisë Fashiste në Shqipëri, Bahriu, ka patur funksione të rëndësishme: me krijimin e ‘Ballit Kombëtar’, ai bëhet eksponent e flaktë i tij.
Me okupacionin gjerman, nga shkurti deri në majin e vitit 1944, ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme të Qeverisë së kuislinge të Rexhep Mitrovicës. Për këtë aktivitet fashist, në dëm të popullit shqiptar, Bahriu u arrestua në nga pushteti jonë popullor dhe u dënua me vdekje dhe u ekzekutua si armik i popullit.
Luani ka patur me ‘Ballin’ dhe kanë qenë në burg, dy djem të hallës, Isa dhe Hivzi Kokalarin.
Shoku Luan, qysh në gushtin e vitit 1942, ka filluar të punojë në favor të Lëvizjes Nac.çl. duke u aktivizuar në një grup agjitacioni të rinisë, që formohet në atë kohë nga shoku Nako Spiro, dhe në fillim të vitit 1943, hyn në redaksinë e “Kushtrimi i lirisë”.
Në marsin e vitit 1944, bëhet anëtar i Komitetit të Rinisë Antifashiste të Tiranës. Kur do të bëhej Kongresi I-rë i Rinisë Antifashiste Shqiptare, ishte caktuar delegat i rinisë së Tiranës, por, nuk shkoi me pretekstin e sëmundjes së mëmës. Më vonë është penduar, duke e konsideruar këtë një gabim të pafalshëm.
Pushkatimi i të atit (Prill 1945), shkaktoi te Luani, një ndjenjë impresioni dhe e demoralizoi mjaftë: ai mendoi se, trajtimi i tij, nuk do të ishte i njëjtë (nuk do të shikohej me sy të mirë), por në qershorin e atij viti (1945), kur u caktua në punë si anëtar i kolegjumit të gazetës “Bashkimi”, e ndryshoi mendimin dhe filloj t’i ngrihet morali, duke e konsideruar këtë, një provë besimi, që ka kundrejt tij Partia dhe Pushteti.
Shoku Luan, për qëndrimin e tij të mirë u dërgua nga ana e Qeverisë sonë, të kryej studimet e larta nga fundi i Janarit të vitit 1947 e, deri në Korrik 1948, në Institutin e Drejtësisë të Beogradit.
Me prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, për të plotësuar studimet u dërgua në Sofje (Bullgari), dhe në Marsin e vitit 1951, u diplomua si jurist.
Porsa u kthye në Shqipëri në prillin e atij viti, e deri në gushtin e vitit 1955, ka punuar në Ministrinë e Drejtësisë, me përgjegjësi të ndryshme, si Shef seksioni, e kryetar dege.
Me fillimin e vitit akademik, 1955-1956, emërohet si Zv. Drejtor i Institutit të Lartë Juridik dhe me krijimin e Universitetit, emërohet dekan i Fakultetit të Drejtësisë.
Në detyrë është i kujdesshëm dhe me ndërgjegje e kryen punën vazhdimisht. Tregohet në nivelin e duhur, lidhur me organizimin, forcimin dhe drejtimin e fakultetit.
Shoku Luan, jep edhe mësim dhe si i tillë, bënë një përgatitje të mirë të leksioneve dhe i zhvillon mirë me studentët.
Me punën, është i lidhur dhe i disiplinuar.
Për ngritjen e tij tekniko-profesionale, bën përpjekje të vazhdueshme. Nuk mban ndonjë dekoracion.

D E K A N I R E K T O R I
(Deko Rusi) (Zija Këlliçi)

Të fundit

Socialistët e Spanjës fitojnë votën katalanase, ja çfarë ndodhi me partitë pro-pavarësisë

Socialistët e kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez kanë fituar zgjedhjet rajonale të Katalonjës pasi partitë pro-pavarësisë humbën terren. Partia Socialiste Katalane...

Çfarë përmban ushqimi që hani? Tabela periodike e ushqimeve ju tregon

Një projekt ndërkombëtar dëshiron të bëjë të njohura të gjitha përbërjet organike të pranishme në ushqimin që hamë. Për të përmirësuar shëndetin dhe sigurinë...

Kur ta pranoni dhimbjen tuaj, do të mësoni të kujdeseni për veten

Lotët shpesh përjetohen si armiq, diçka për t’u mbajtur ose fshehur, të shoqëruara me dhimbje. Megjithatë, janë shprehje e një emocioni, dhe është e...

13 maj 1917/ Tre fëmijë raportojnë shfaqjen e Zonjës së Fatimas, në Portugali

Mrekullia e Diellit e njohur gjithashtu si mrekullia e Fátimës, është një seri ngjarjesh që raportohet se kanë ndodhur mrekullisht më 13 tetor 1917,...

Origjina e Kamo’oalewa, ” pothuajse-hëna” e Tokës është zbuluar

Unë studioj një udhëtim të ri, në Kamo'oalewa, i cili filloi nga krateri hënor Giordano Bruno. Do të ishte konfirmim që asteroidi është një...

Lajme të tjera

Web TV