Nga Leonard Veizi
Çe gjeti Belindin??? Për Këlliçin e kam fjalën. Ngriti dy gishtat e mesit lart, një fotograf i bëri një shkrepje aparati me blic dhe e nxori poster fushate.
Madje e publikoi dhe në bollborderat e Bashkisë me diçiturën “Duart e Belos, kështu i drejtohen korrupsionit në Tiranë”.
Kush është Beloja???… A, Belindi.
Dhe meqenëse është publike tanimë, padyshim që duket sikur me këtë veprim të ngurtësuar në një foto plot ngjyra, na ka sharë të gjithëve.
Në mos e ka bërë vërtet një gjë të tillë dhe ne nuk e kemi kuptuar ende thellësisht.
Fushata qenka futur në analet e banalitetet.
Sipas kësaj logjike i bie që Këlliçi, apo Belo në rastin konkret, të ketë sharë me prag shtëpie si ata që janë kundër tij po aq dhe ata që i mbajnë krahun e do i japin votën. Se për djall janë dy gishta. Një i dorës së majtë dhe një tjetër i të djathtës.
Të mesit, sigurisht. Nuk ka përjashtime. Dhe këtu mirë bën tek e fundit…, mbetet gjithpërfshirës.
Megjithëse brez i ri, Belindi ndoshta ende nuk e ka kuptuar që në ditët e sotme pakush lexon. Qoftë dhe një diçiturë.
Se jemi në kohën e imazhit. Dhe imazhi flet më shumë. Një foto sa 1000 fjalë. Dhe dy gishtat e mesit të ngritur përpjetë, – “made in europë”, se ne si shqiptarë e kemi të thyer në 45 gradë atë gisht, – duket sikur na thotë të gjithëve, vendas e turistë të huaj që kalojnë aty pranë: ua lërofsha.
Heu bre… u lirua kështu.
Belindin e paskan këshilluar keq. Varet kush i fryn në vesh e kë dëgjon. Por nëse e ka bërë vetë, – nga pasioni, – padyshim që ka gabuar edhe më shumë madje.
Se në një vend publik ku shihet posteri nga të gjithë, fëmijët e vegjël, që ende nuk kanë rënë viktimë e mesazheve të koduara, do pyesin se çfarë simbolizon gishti i mesit përpjetë. Përkundër dy gishtave lart që simbolizojnë termin “Fitore”, me të cilën tanimë janë familjarizuar i madh e i vogël.
Ec e t’u japësh përgjigje.
Fushata i ka nxehur fort motorët. Është në kulmin e saj. Dhe në këto raste përdoren të gjitha mënyrat për ta mposhtur kundërshtarit. Ndoshta dhe duke i shkuar për shtat sentencës së famshme makiaveliste: Qëllimi justifikon mjetin.
Çdo kandidat e grupim politik, sot po luan fort me imazhin. Fjala vjen: Rama ka përdorur një tjetër teknologji në posterin e Rilindjes me ngjyrë viollcë.
Ai ka vendosur veten të qeshur e me ngjyra me një diciturë të stampuar “Vetëm përpara”. Ndërsa poshtë tij ndodhen në një foto bardh e zi, si të shtypur nga “forca e proletariatit” armiqtë e klasës Berisha e Meta, të vrenjtur e kokëulur ku më së shumti bie diçitura blu “Kurrë më mbrapa”.
Këlliçi erdhi më pas me argumentin e tij që duket si kundërpërgjigje ndaj fushatës së kryetarit socialist, posteri i të cilit gjithashtu ka krijuar jo pak debate e keqkuptime.
Ndoshta kjo është një tentativë e tij, jo vetëm për të rënë në sy, por dhe për të fituar atë që nuk mundi ta fitojë në karierën e tij si politikan prej disa vitesh, i atashuar në kampin opozitar, tanimë.
Dëshira për t’i vënë vetes një nofkë duke shkurtuar emrin nga Belind në Belo, duket se po e çon në një tjetër imitim të skajshëm, të asaj që kryetari aktual i Bashkisë Erion Veliaj, e mori krejt pa dashje e që u lakua gjerësisht si: “lali Eri”. Dhe kjo është të luftosh me armët e tjetrit.
Belindi ngriti dy gishtat e mesit përpjetë dhe e bëri poster fushate. Simboli zyrtar i Partisë Demokratike, që prej themelimit të saj janë pikërisht dy gishtat përpjetë, por të së njëjtës dorë që simbolizojnë fitoren. A mos ndoshta edhe këtu kemi të bëjmë me një “veprim të paramenduar” që pas 33 vitesh Partia Demokratike të përfaqësohet me një simbol të ri?
Mbetet për t’u parë.
Me sa duket, ideja që ka dashur të trasmetojë Belind Këlliçi i Partisë Demokratike, apo shkurt Belo i posterit, padyshim që në thelem ka qenë e mirë dhe luftarake: kundër korrupsionit. Por zbatimi i saj në praktikë është kthyer në një katastrofë imazherie.