Zgjedhjet e 14 majit/ Të gjithë do të dalin të fituar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Më 14 majt të gjithë palët kryesore politike do të dalin të fituar, pavarësisht se kush do të jetë rezultati përfundimtar. Rama, Berisha, Meta dhe Alibeaj do të vijojnë të jenë në drejtimin e partive duke lexuar testit lokal si “fitore të tyren”.

Nga Sebi Alla

Zgjedhjet lokale të 14 majit nuk do të jenë dramatike për askënd. Rama do të fitojë, Berisha do të fitojë, Meta do të fitojë, Alibeaj do të fitojë dhe në fund do të dalin të gjithë të lumtur. Do të fitojnë edhe përfaqësitë diplomatike në vend. Për ca kohë ambasadorët e tyre do marrin rolin e protagonistit, të cilëve u pëlqen që ta bëjnë për më shumë se tre dekada në vendin e “eksperimenteve të mëdha sociale”. Padyshim që këtë lumturi politike nuk do e ndjejnë qytetarët që vijojnë të ankohen për papunësinë, pagat e ulëta, varfërinë, mungesën e shërbimeve dhe mbi të gjitha të drejtësinë. Janë vetëm një palë zgjedhje lokale që këtë radhë më shumë se kurrë konsiderohen si mirëfilltas politike. Në fund, e gjithë maja politike do të dalë e fituar, madje edhe ata që humbin. Nëse Partia Socialiste merr mbi 60 për qind të bashkive, sidomos bashkitë e mëdha, do e konsiderojë arritjen e radhës, duke çimentuar edhe më shumë si pushtetin lokal ashtu edhe atë qëndror. Gjasat janë që PS të sigurojë 40 nga 61 bashkitë e vendit. Me këtë triumf në duar, Rama do vijojë për një kohë të gjatë të “kërcejë” me muzikën e përzgjedhur prej tij në këtë fushatë. Ajo këngë do të jetë edhe hit veror për aq kohë sa tallavaja është melodi e mirë për shumë veshë. Gjithçka tjetër brenda partisë nuk do të lëvizë dhe Rama as që do ketë merakun se mund të rritet ndonjë “bar i keq” si rival për t’i marrë drejtimin. Fitorja do i atribuohet kryetarit Edi Rama. Po edhe nëse humb në ndonjë bashki të madhe, sërish Rama do të dalë i fituar, sepse mund të nisë një fushatë tjetër në “rifreskimin e qeverisë” dhe gatimit të ushqimit mit se: “vetë kryeministri punon, por persona pranë tij nuk e perligjin besimin, madje disa prej tyre meritojnë edhe të kapërcejne derën e SPAK-ut”. Një fabul e mirë jo vetëm për të mbyllur pa asnjë dëm dy vitet që i kanë mbetur nga ky mandat, por edhe të pretendojë për vijimin e pushtetit në zgjedhjet e vitit 2025. Në kampin tjetër, dyshja Berish-Meta do të dali e fituar edhe nëse ata humbin kur të certifikohet zyrtarisht rezultati i zgjedhjeve. Që të dy planin duket se e kanë gati. Në fillim shpresojnë të marrin të paktën një nga tre bashkitë në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Elbasan. Nëse për Tiranën gjasat janë minimale, për Durrësin dhe Elbasanin ka një lloj shprese, kjo duket edhe nga fakti që edhe vetë PS pavarësisht optimizmit druhet në këto zona. Marrja e një prej këtyre tre bashkive do të konsiderohej fitore e madhe për politikanët e vjetër në qeverisje Berisha-Meta. Gjithashtu vota për këshillat bashkiakë ku partitë opozitare në tërësi mund të marrin më shumë se PS, do lexohet si “ndryshim rrënjësor” nga të dy. Çuditërisht, edhe nëse humbasin shumë bashki si Berisha edhe Meta do të shfaqet si fitimtarë. Berisha do të mbahet fillimisht me akuzat se vota u tjetërsua, duke pritur me shumë interes edhe raportin e OSBE-ODIHR që mund të rendisë shkelje të ndryshme. Ish-kryeministri e ka treguar në disa raste që “problematikat e vogla” i kthen në kauza të mëdha dhe kjo ngjit në elektorat. Fituesi më i madh, pa fituar asgjë, do të jetë ish-presidenti Ilir Meta. I vetëdijshëm se partia e tij LSI, e cila ndryshoi emrin në Partia e Lirisë u tret aq shumë pas zgjedhjeve të vitit 2021 sa ishte gati në shuarje, kërkoi një rizgjim dhe frymëmarrjes artificiale ja dha duke thirrur mjekun kardiolog, Sali Berisha. Kryetari i Partisë së Lirisë do të mbahet me këshillat bashkiakë, sepse në këto zgjedhje Meta me partinë e tij nuk ka një njësi matëse nëse humb apo fiton. Ai ia ka lënë në dorë gjithçka aleatit të tij Sali Berisha, ndonëse vetë merr shumë pasi këshillat bashkiakë në disa njësi lokale janë burim votash për të ardhmen e aq më shumë interesi, në një vend ku gjithçka ka një çmim, madje edhe morali ka nisur të jetë “mall tregu”. Nëse rezultati i zgjedhjeve të 14 majit do të jetë humbje dërrmuese për koalicionin “Bashkë Fitojmë”, sërish si Berisha ashtu edhe Meta nuk do të rrezikojnë thuajse asgjë. Vështirësia e tyre do të jetë vetëm nëse nga brenda strukturave të partisë do lindë pakënaqësia. Tek Partia e Lirisë kjo as që mendohet, ndërsa brenda PD-së së drejtuar nga Berisha mund të ngjizet ideja për ndryshim rrënjësor, jo se nuk duan Berishën, por duan pushtetin, të cilin kanë kaq shumë kohë që e presin. Në këto zgjedhje, edhe “kryehumbësi” i madh, kreu de jure i PD-së zyrtare, i komanduari Enkelejd Alibeaj do e quajë fitore humbjen. Së pari ai shpreson që duke i mbledhur aty këtu në çdo bashki do të ketë një rezultat të mirë në këshillat bashkiakë. Edhe nëse kjo ndodh apo nuk ndodh, vetë Alibeaj ka vetëm një skenar për të vënë në zbatim: “Do të kërkojë reformimin dhe riformatimin e PD-së”. Një lëvizje strategjike që ai shpreson se do e mbajë gjatë në politikë. Arsyeja kryesore që nuk do të preket është “cërtifikata e pronësisë” së vulës dhe logos së madhe të PD-së. Duke i marrë të gjithë sëbashku, në çdo skenar elita politike do të dalë e fituar. Për aq kohë sa kryetarokracia gjeti vend në Shqipëri, gjasat janë që asgjë të mos ndryshojë pas zgjedhjeve të 14 majit. Blloku politik edhe humbjen do e quajë fitore, shtuar këtu në këtë “festë” edhe ambasadorët që pas zgjedhjeve do të kenë shumë punë për tu krekosur në “zgjidhjen e halleve të mëdha” që yshten dhe shuhen nga klasa politike e jona por që vetë këta të huaj i mbajnë duke ushqyet stabilokracinë dhe lënë pas demokracinë. Ideja ndër qytetarë që të paktën në kampin opzitar zgjedhjet e 14 majit mund të sjellin koncept të ri do të mbesë dëshirë që nuk do të realizohet.

Të fundit

Inteligjenca artificiale na ndihmon të interpretojmë tingujt e kafshëve

Cilido qoftë mendimi juaj për atë që përgjithësisht (dhe shpesh në mënyrë të pahijshme) quhet "inteligjencë artificiale", nuk ka...

Makina që drejton vetë vendos rekord botëror të shpejtësisë!

Një moment historik i ri për lëvizshmërinë autonome është arritur në Qendrën Hapësinore Kennedy: Maserati MC20 Coupé , i pajisur me një shofer AI të zhvilluar nga Universiteti Politeknik i...

Një monografi për artisten Safete Toska, “fisnikja tironse” e këngës qytetare

Nën zërin e mrekullueshëm të këngëtares Safete Toska në sfond, u promovua në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit monografia Safete Toska – Fisnikja...

I kemi parë në filmat e Disney/ Makinat fluturuese tashmë janë një realitet!

E keni parë në veprim në sagën Back to the Future dhe Blade Runner , por edhe në Total Recall , Harry Potter dhe madje edhe në një film të vjetër të...

SHBA tërheq trupat?! Makthi i Evropës mund të bëhet realitet

Politikanët evropianë besojnë se SHBA mund të tërheqë rreth 20,000 trupa amerikane nga rajoni, numri që ish-presidenti Joseph Biden përforcoi forcat evropiane në fillim...

Lajme të tjera

Web TV