Dokumentet arkivore me korespodencën e Ministrisë së Jashtme, me ambasadën franceze në Tiranë, ambasadorin Maxhun Peka në Paris dhe familjen Papavrami për largimin “arratisjen” e bujshëm të Jolanda dhe Robert Papavramit bashkë me djalin Tedi, vilolinistin tonë të famshëm. Letra “asryetuese” e Papavramëve: “Gabuam që qëndruam në Francë, por çdo gjë e bëmë vetëm për të ardhmen e Tedit. Shoku Enver, ka folur për gabimet e njerëzve dhe ai, ka falur gabime edhe më të mëdha, duke venë në provë, sinqertitetin e tyre”.
Nga DASHNOR KALOÇI
Në kuadrin e një izolimi të plotë që diktatori komunist, Enver Hoxha, i bëri Shqipërisë që nga fillimi i viteve ’60-të, pas prishjes me aleatin e tij të madh, Bashkimin Sovjetik (që i kishte qëndruar sa vasal aq dhe besnik), ai u kujdes që të ruante një “portë të hapur” me Perëndimin. Dhe kjo ishte Franca! Më shumë për nostalgji, pasi aty kishte kaluar disa vite të rinisë së tij, në periudhën e Monarkisë së Zogut, ku kishte tentuar të shkollohej por pa sukses, në universitetin e Montepljesë, apo dhe për arsyen e thjeshtë se, si familja e tij, ashtu dhe një pjesë e madhe e “shokëve të udhëheqjes”, bashkë më familjet e tyre, shkonin herë pas here në Paris, për “vizita mjekësore”, apo thjesht dhe për “transit”, gjatë udhëtimeve të tyre jashtë Shqipërisë.
Ndoshta dhe të dy këta “faktorë” që përmendëm më lart, e detyruan Enver Hoxhën, që të mbante marrëdhënie e raporte zyrtare korrekte me Francën, nga ku si rezultat, që nga fillimi i viteve ’70-të, (por dhe më parë), qeveria komuniste e Tiranës, dërgonte herë pas here, një numër jo të paktë studentësh e specialistësh, për të mësuar në universitetet e ndryshme të atij vendi. Në këtë kuadër, por duke përfituar edhe nga disa bursa që filloi të jepte qeveria franceze nga fillimi i viteve ’80-të, në Francë, u dërguan edhe disa nxënës për të studiuar, në shkollat e artit. Siç ishte një fëmijë i vogël, i quajtur Tedi Papavrami, virtuozitetin e të cilit, e zbuluan vetë pedagogët francezë, kur ishin në Tiranë.
Dhe në bazë të një marrëveshje, ata e morën Papavramin e vogël (bashkë me nënën e tij, për ta shoqëruar dhe kujdesur gjatë atyre viteve në Francë), për ta perfeksionuar në një nga shkollat më në zë të muzikës, që kishte Parisi. Por marrëveshjet në fjalë me Francën, për dërgimin e nxënësve dhe studentëve shqiptarë atje, nuk shkuan dhe aq “vaj”, siç ishte menduar nga Tirana zyrtare! Madje, pati dhe mjaft “probleme”! Kështu, diku nga fillimi i muajit mars të vitit 1986, në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, (me anë të një telegrami shifër sekret) mbërriti një njoftim i pazakontë. Ambasadori shqiptar në Paris, Maxhun Peka, bashkangjitur telegramit në fjalë, u dërgonte eprorëve të tij më të lartë, në Ministrinë e Jashtme, një letër që atij sapo ja kishin dërguar, Jolanda dhe Robert Papavrami, dy prindërit e violinistit të vogël.
Papavramët, në atë letër, i bënin me dije ambasadorit Peka, se ata kishin vendosur që të qëndronin përgjithnjë në Francë dhe se atë vendim, që për ta konsiderohej “shumë i shëmtuar ndaj atdheut dhe Shqipërisë”, ata e kishin ndërmarrë me koshiencë të plotë. Ashtu siç do të shohim, letra në fjalë e prindërve të Tedi Papavramit, në adresë të ambasadorit Maxhun Peka, është mjaft e shkurtër dhe tepër koncize, për mesazhin që ata kërkonin të përcillnin mjaftueshëm me anë të saj. Por ata i bënin me dije atij (ambasadorit Peka), se krahas saj, i kishin dërguar edhe një letër tjetër, në adresë të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, “shokut Ramiz Alia”.
Ku i shpjegonin me detaje, arsyet e vërteta që i kishin çuar ata, të ndërmerrnin atë vendim, për të qëndruar përgjithnjë në Francë. Në letrën e dërguar ambasadorit Peka, (letra dërguar Ramiz Alisë, nuk është në dosjen përkatëse prej nga janë marrë këto dokumente), shihet qartë se, Robert dhe Jolanda Papavrami janë kujdesur, jo vetëm për t’i shfajësuar, si ambasadorin dhe personelin e ambasadës, me të cilin kishin lidhje dhe marrëdhënie tepër korrekte, por, edhe për të “mos u armiqësuar” me regjimin komunist të Tiranës, nga i cili çdo gjë mund të pritej?!
Letra në fjalë, me tone të zbutura dhe deri diku edhe në formë lutje, duket se ka pasur vetëm një qëllim; atë të mos prekjes së gjyshërve të Tedit, që banonin në Tiranë. Pra, që veprimi i tyre, të mos u sillte pasoja, Teodor Papavramit, mjekut të famshëm (në atë kohë ishte me punë në Spitalin Ushtarak në Tiranë), që jetonte me bashkëshorten e tij, diku në fillim të Rrugës së Dibrës, ne një shtëpi private të vogël, por mjaft të bukur. Por, duket se, Robert dhe Jolanda Papavrami, “i kishin bërë hesapet pa hanxhinë”! Pasi, pikërisht aty ku ishte dhe pika më e dobët e tyre, aty u hakmor regjimi komunist i Tiranës. Kështu, pas kësaj ngjarje, dy bashkëshortët Papavrami, u hoqën nga shtëpia e tyre dhe u internuan diku në mes malesh, në një fshat të humbur, të Shqipërisë së Mesme. Ku dhe ndërruan jetë pas pak kohësh, duke u lënë kështu një brengë të madhe, Robertit dhe Jolandës, të cilët do ta vuanin gjatë atë. “Çështja Papavrami” në mesin e viteve ’80-të, bëri bujë të madhe dhe me të u morën e u angazhuan jo vetëm titullarët më të lartë të Ministrisë së Jashtme, si ministri Reiz Malile, e zëvendësit e tij, por deri tek kreu i shtetit, Ramiz Alia, ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, etj.
Kjo gjë, konfirmohet edhe nga dosja në fjalë (ka rreth 200 faqe), ku titullari kryesor i Ministrisë së Jashtme, Reiz Malile, dërgonte me dhjetëra telegrame shifër sekrete, duke udhëzuar me detaje titullarët e ambasadës shqiptare në Paris, për të ndjekur këmba-këmbës familjen “dezertore” Papavrami, kudo ata fshiheshin?! Nga “dosja Papavrami” kemi përzgjedhur dhe po publikojmë disa dokumente, që i botojmë të plota dhe me faksimilet përkatëse, ekzkluzivisht për gazetën FJALA.
DOKUMENTI ME SHKRESËN ZYRTARE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTËME TË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË, DËRGUARA AMBASADËS FRANCEZE NË TIRANË, LIDHUR ME PROBLEMIN NE TEDI PAPAVRAMIT DHE FAMILJES SË TIJ
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
MINISTRIA E PUNEVE TE JASHTME
Nr. 368
Ministria e Punëve të Jashtme, e Republikës Popullore Socialiste e Shqipërisë, i paraqet komplimenet e saj, Amabasadës së Republikës Franceze në Tiranë dhe ka nderin të parashtrojë sa vijon:
Amabasada franceze në Tiranë, me notën e saj Nr. 142/CERC të datës 21 prill 1981, drejtuar Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtëme, njoftonte se: “artisti francez Z. Alain Marion, që ka dhënë një seri koncertesh në Tiranë, ka tërhequr vëmëndjen e autoriteteve franceze, mbi talentin e jashtëzakonshëm, të violinistit të ri, Tedi Papavrami, që ai kishte dëgjuar në Liceun e Arteve në Tiranë” dhe se Drejtoria e përgjithëshme e Çështjeve Kulturore, e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, “me kënaqësi u propozon autoriteteve shqiptare, për këtë djalosh, një bursë studimi në fushën e muzikës”. Në notë thuhej gjithashtu se; duke marrë parasysh moshën e tij të vogël. “duhet parashikuar, që ai të shoqërohet nga një anëtar i familjes së tij”. Autoritetet shqiptare, vlersuan miqësisht këtë gjest të Ministrisë së Punëve të Jashtme franceze dhe pranuan me kënaqësi, propozimin e saj.
DOKUMENTI ME SHKRESËN ZYRTARE TË MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTËME TË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË, REIZ MALILE, DËRGUARA AMBASADËS FRANCEZE NË TIRANË, LIDHUR ME PROBLEMIN NE TEDI PAPAVRAMIT DHE FAMILJES SË TIJ
AMBASADES SE REPUBLIKES FRANCEZE
T I R A N E
Në vitin 1982, Tedi Papavrami, në një moshë fare të njomë, i mitur, i shoqëruar nga nëna e tij, u dërgua në Paris për të studjuar në Konservatorin e Lartë Kombëtar të Muzikës së Parisit. Deri në shkurt 1986, gjithshka shkoi në rregull. Personeli mësimor francez, ka treguar një kujdes të posaçëm për të. Duke marrë parasysh, angazhimin e palës franceze të shprehur në notën e lartpërmëndur, autoritetet shqiptare, edukimin e Tedit ia kishin besuar palës franceze. Bile dhe kur kërkohej që Tedi të jepte koncerte brenda në Francë, ose në shtetet të ndryshme të Evropës, nga autoritetet shqiptare, është dhënë përgjigjie që për këtë të vendosnin profesorët francezë. Nga fundi i shkurtit 1986, ambasada shqiptare, humbi kontaktin me Tedi Papavramin dhe prindërit e tij. Interesimi i ambasadës, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme franceze, për të hyrë në kontakt me ta, nuk dha rezultate. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, i lutet Amabasadës Franceze, t’i bëj të ditur gjendjen e Tedi Papavramit dhe familjes së tij dhe kërkon që, ashtu si deri në fund të shkurtit, ai, nën kujdesin e Ambasadës Shqiptare në Francë dhe të nënës së tij, të vazhdojë normalisht studimet, në Konservatorin e Lartë Kombëtar të Muzikës së Parisit, në përputhje me marrëveshjen që ekziston midis palës franceze dhe palës shqiptare, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, i paraqet Ambasadës së Republikës Franceze në Tiranë, sigurimet e konsideratës së saj më të lartë.
Reiz Malile 3.4.’86
Tiranë, më 4 prill 1986
DOKUMENTI ME RELACIONIN E MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTËME, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, KU E NJOFTOJNË PËR NOTËN E PROTESTËS DËRGUAR AMBASADËS FRANCEZE NË TIRANË, LIDHUR ME PROBLEMIN E FAMILJES PAPAVRAMI
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
MINISTRIA E PUNEVE TE JASHTME
Nr.1279
Tiranë, më 9 prill 1986
Lënda: Dërgohet kopje e notës dorzuar Ambasadës franceze lidhur me familjen Papavrami.
Bashkëngjitur ju dërgojmë, në frengjisht, kopjen e notës që i dorëzuam më 5 prill 1985, ambasadorit francez, lidhur me familjen Papavrami. Në këtë takim, ambasadorit francez iu kërkua që përmbajtjen e kësaj note t’ia bënte të ditur qeverisë franceze.
ZEVENDESMINISTRI
(Sokrat Plaka)
Konc. Dakt. K. Hysenaj 9.4.1986
DOKUMENTI ME RELACIONIN E MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME REIZ MALILE, DËRGUAR MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME NË TIRANË, LIDHUR ME PROBLEMIN E FAMILJES PAPAVRAMI
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
MINISTRIA E PUNEVE TE JASHTME
DREJTORIA E DYTE
Tiranë, më 29.5.1986
Nr. 1842/1
L ë n d a: Mbi një letër të avokatëve, të familjes Papavrami
MINISTRISE SE PUNEVE TE BRENDESHME
T I R A N E
Bashkëlidhur, ju dërgojmë një fotokopje të letrës së avokatëve të familjes Papavrami, drejtuar ambasadorit tonë në Paris, si dhe përkthimin e saj në shqip. Siç del nga përmbajtja, francezët kërkojnë që problemin, ta fusin në kanalet e avokatëve dhe ta largojnë vëmëndjen nga fakti që, Tedi dhe nëna e tij, shkuan në Francë për studime, në bazë të një kërkese zyrtare të palës franceze. Lidhur me këto angazhuam ambasadën tonë në Paris që në ndonjë takim me funksionarët të Ministrisë së Punëve të Jashtme t’u bëjnë të qartë që ne u kemi kërkuar atyre zyrtarisht që të na japin shpjegimet për këtë çështje dhe se presim përgjigjie vetëm nga ana e tyre dhe jo nga avokatët, me të cilët ne nuk kemi të bëjmë. Udhëzuam gjithashtu, që të evitojë kontaktet direkte me avokatët.
M I N I S T R I
(Reiz Malile)
LETRA E PRINDËRVE TË TEDI PAPAVRAMIT, ROBERT DHE JOLANDA, DËRGUAR AMBASADORIT SHQIPTAR NË PARIS, MAXHUN PEKA, LIDHUR ME PROBLEMIN E TYRE, TË CILËT, KISHIN VENDOSUR PËR TË MOS U KTHYER NË SHQIPËRI
I nderuar shoku Maxhun
Kanë kaluar disa muaj që neve presim përgjigjiem tuaj, por deri tani nuk kemi marrë asgjë. Si ju kemi shpjeguar, në letrën që ju kemi dërguar në Qershor, unë u operova njëherë dhe pas dy javësh, pata një bllokim të mënjehershëm e të plotë, duke u detyruar që të rioperohesha urgjentisht. Kështu u detyrova që të rri edhe disa jAvë të tjera në spital. Tani, kam rreth dy muaj që kam dale, por me plagë të pambyllura dhe nën observacionin e mjekut, për çdo javë. Jemi gjithnjë e më shumë në pritje edhe të një përgjigjie nga ana juaj, që ne besonim që do të vinte mënjeherë, qoftë negative, mbasi me kalimin e kohës, gjithnjë e më thellë, i ndjejmë dhe i përfytyrojmë përmasat e gabimit të pashëmbullut, që kemi bërë. Çdo gjë ne e shkruajtëm, me shumë përgjegjësi e me shumë sinqeritet dhe siç do të na keni gjykuar edhe vetë, mbi të gjitha, praktika, do provoi bindjen dhe forcën tonë.
Qëllimi i vetëm është, me la fajin (aq sa mund të lahet sigurisht), vetëm të gjendej mënyra që Tedit, të mos i dëmtohej karriera e tij, që kaq shumë shqetësime ju solli të gjithëve.
Vërtet mbas gjithë këtij veprimi që bëmë, të shtyrë vetëm nga dashuria e sëmurë për fëminë tone, si violinist, për të arritur një karrierë botërore, të ëndërruar dhe ekzagjeruar me vite, neve, kemi humbur gjithë e çdo lloj besimi, përpara jush dhe të gjithëve. Keni plotësisht të drejtë, që të mos na besoni më, por të jeni të bindur se, ju dhe gjithë shokët, tashmë në gatishmërinë tonë dhe besnikërinë ndaj jush. Të na besoni, shokë, që pikërisht neve që gabuam një herë kaq rëndë, pikërisht neve, që njohim kaq mirë ndjenjën e temrrshme të humbjes së gjërave ma të shtrenjta, pikërisht neve, nuk gabojmë se dyti kurrë ma. Tedi, ka ba shumë koncerte gjatë kësaj kohe në Kanada, Zvicër, këtu etj., gjithnjë si shqiptar. Këto ditë, do shkojë në Greqi, sipas një ftese, për të kontraktuar disa koncerte, më shumë nga malli për Shqipërinë, me shpresë mos shef TV Shqiptar dhe ndigjon Radio-Tiranën. Shumën e parave, për borxhin e violionës, akoma nuk e kemi gati, mbasi kemi pasur shumë shpenzime, për sëmundjen.
Heshtja juaj, mund të kuptohet edhe si një braktisje përfundimtare nga ana juaj, por ne, nuk duam të besojmë akoma këtë, sidomos, po të mbështetemi në ato që u thanë në takim.
Jemi të shqetësuar për prindërit tanë, që i dënuan kaq rëndë. Mbështetur në sugjerimin tuaj, Tedi, u shkroj menjeherë një letër, por s’morri përgjigjie, provoj të fliste në telefon, por herën e pare, një i panjohur ju përgjigj, ndërsa herët e tjera, centralistja thoshte se, vazhdimisht nuk përgjigjet numri. Ne gabuam shumë rëndë, pa diskutim, por vetë sh. Enver, ka folur për gabimet e njerëzve dhe vetë ai, ka falur gabime edhe më të mëdha njerzve, duke venë në prove, sinqertitetin e tyre. Duke shpresuar në një përgjigjie tuajën. Ju urojmë shëndet juve dhe gjithë shokëve. Dhe punë të mbarë.
Me shumë respekt
Robert dhe Jolanda Papavrami
10 Tetor 1986