Franca dhe Gjermania kërkojnë zgjedhje të reja, Kurti “zbutet” me SHBA-në

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Situata në veri të Kosovës edhe pse disi më e qetë, sërish mbetet mjaft kritike dhe nga momenti në moment mund të përshkallëzojë në dhunë. Ditën e djeshme, Gjermania dhe Franca kanë propozuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat me shumicë serbe. Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti, i vendosur nën kritika të forta ndërkombëtare ka zbutur tonet me SHBA-të, çka u duk edhe pas takimit me ambasadorin amerikan në Prishtinë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës. “Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgjedhje. Ai tha gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë – presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Osmani dhe Vuçiçi kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau. Situata në veri të Kosovës u tensionua qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë. Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb. Osmani shkroi në Tëitter se me liderët e Gjermanisë dhe Francës diskutoi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe “përpjekjet tona të përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet”. Duke iu drejtuar gazetarëve në Kishinau në margjinat e samitit të Komitetit Politik Evropian, Vuçiç tha se ulja e tensioneve në veri të Kosovës dhe vendosja e garancive për shmangien e veprimeve të njëanshme ishin temat kryesore gjatë takimeve të tij me Macronin dhe Scholzin. Vuçiçi e theksoi edhe rëndësinë që ka themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë për të. Ai shtoi se nevojitet një zgjidhje e qëndrueshme kompromisi. “Ne duhet të bindim njerëzit në Ballkan se kompromisi nuk është një gjë e keqe. Nuk është e lehtë, të gjithë janë të radikalizuar dhe askush nuk dëshiron të dëgjojë ide normale”, tha Vuçiç. Takimet u zhvilluan në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau, ku po merr pjesë edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell. “Theksova se është me rëndësi prioritare që institucionet në Prishtinë ta ndalojnë dhunën dhe t’i kthehen dialogut”, tha Vuçiçi, pas takimit me Borrellin. Zyra e Presidencës së Kosovës njoftoi se me Borrellin është takuar edhe Osmani. Lideri serb po ashtu u shpreh se delegacioni i Kosovës nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb në Moldavi. “Nuk u miratua nga liderët e tjerë. Serbia gjithmonë dëshiron bisedime dhe mua më duket se tani është më e qartë se kush është përgjegjës për dhunën në Kosovë”, u tha Vuçiq gazetarëve. Pala kosovare nuk e ka konfirmuar se ka refuzuar takimin. I pyetur se kur e pret një takim dypalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Vuçiç tha se nuk e di. Më 29 maj, nga përleshjet midis protestuesve serbë që kundërshtojnë kryetarët dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan – 30 ushtarë mbetën të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues. NATO-ja ka thënë se është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg. Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese janë tashmë në rrugë për në Kosovë./REL

Të fundit

Vlorë, bashkia “fal” tokat për pallate

Në këshillin Bashkiak të Vlorës ka dështuar tentativa e tretë që dy firma private të përfitonin tokë shtetërore nëpërmjet...

Zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ do të vendosë kamera në vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, ka bërë me dije se vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat e vendvotimit për zgjedhjet parlamentare të 9...

FMN ngre alarmin për pensionet në vend/ Skema e tanishme duhet reformuar!

Fondi Monetar Ndërkombëtar ngriti alarmin për skemën e pensioneve në Shqipëri, nisur nga fenomeni nëndeklarimit të pagave. Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli shprehet në...

Protesta e 8 shkurtit/ Berisha mbledh drejtuesit politikë të PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me drejtuesit politikë, koordinatorët dhe kryetarët e degëve të PD-së, ku në qendër të diskutimeve...

Lamtumira e Anastasit/ Rama e Mitsotakis takim ‘kokë më kokë’ pas ceremonisë

Pas përfundimit të funeralit të Kryepiskopit Anastas, pati një takim kokë më kokë midis Kyriakos Mitsotakis dhe Edi Ramës. Pas përfundimit të funeralit të Kryepiskopit...

Lajme të tjera

Web TV