Kosova është një nga shtetet me popullatën më pro-amerikane në botë, tregojnë sondazhet e disa instituteve ndërkombëtare. Por, viteve të fundit, politika kosovare në disa raste nuk i ka mbështetur kërkesat e zyrtarëve amerikanë.
Mosdëgjimi ka çuar në deklarata kritike nga SHBA-ja, e së voni edhe në ndëshkime. Javën e kaluar, Kosova është pezulluar nga një stërvitje e madhe ushtarake, e udhëhequr nga SHBA-ja në Evropë, për shkak të mospërfilljes së kërkesave amerikane për të shtensionuar situatën në veri – zonë e banuar me shumicë serbe.
SHBA-ja ka paralajmëruar edhe pasoja të tjera. Me anulim të vizitave të zyrtarëve, mosdhënie të vizave, anulim të programeve financiare dhe të trajnimeve të ndryshme, Kosova është përballur edhe më herët, por, sipas ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, “SHBA-ja nuk ka qenë kurrë kaq e zemëruar me Qeverinë e Kosovës”. Paralajmërimet dhe masat më serioze që SHBA-ja ka ndërmarrë në raport me Kosovën, ndër vite:
2023 – Kryetarët e veriut, një mospajtim i madh me Amerikën
Më 30 maj, 2023, SHBA-ja i ka vendosur sanksionin më serioz Kosovës, duke e pezulluar pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga “Defender Europe ‘23” – një stërvitje e madhe ushtarake e aleatëve të NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja.
Deri këtu ka ardhur pasi Qeveria e Kosovës, me gjithë thirrjet e SHBA-së, nuk ka pranuar t’i tërheqë kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Instalimi i tyre, me ndihmën e policisë, ka shkaktuar protesta të banorëve lokalë, të cilat janë përshkallëzuar edhe në dhunë.
Tridhjetë ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, dhe dhjetëra protestues janë plagosur gjatë përleshjeve në qytetin e Zveçanit, më 29 maj. Me ton tejet kritik në raport me Kosovën është shprehur edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili ka thënë se tensionet janë përshkallëzuar “në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”. Kurti i ka cilësuar deklaratat e Blinkenit, mes tjerash, si “naive”.
Kriza në veri ka sjellë në Prishtinë të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se SHBA-ja ka “sfida në raportet dypalëshe” me Kurtin. Ai ka theksuar se moskoordinimi me SHBA-në për çështjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri, “do të ketë pasoja për Kosovën”.
2022 – Targat, zyrtarëve kosovarë u është anuluar vizita në SHBA
Zyrtarët amerikanë, gjatë vitit 2022, janë munduar vazhdimisht që ta qetësonin situatën në veri të Kosovës, pasi Qeveria e Kurtit ka vendosur ta ndalonte qarkullimin e veturave me targa të lëshuara nga Serbia, të cilat i konsideron ilegale.
Vendimi ka rritur tensionet aq shumë, saqë grupe të serbëve lokalë kanë ngritur barrikada në rrugët kryesore në veri. Qeveria e Kosovës, përkundër sugjerimeve të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nuk ka pranuar ta shtyjë zbatimin e vendimit për targat për tre muaj të tjerë.
Lëkundja e raporteve SHBA-Kosovë ka kulmuar kur është bërë e ditur se SHBA-ja ua ka anuluar vizitat disa zyrtarëve të lartë kosovarë, përfshirë ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
2020 – Taksa që Haradinaj ia la në dorë kryeministrit Kurti
Taksa 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, që e la në fuqi Qeveria paraprake e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ishte sfida e parë që e ballafaqoi Albin Kurtin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zyrtarët amerikanë insistuan në heqjen e taksës, por Qeveria “Kurti I” refuzoi ta bënte një gjë të tillë dhe kjo çoi në sanksione ekonomike ndaj Kosovës. Korporata e Sfidave të Mileniumit pezulloi disa projekte në vlerë prej rreth 200 milionë dollarësh amerikanë. Taksa u hoq më vonë dhe programet rifilluan.
2020 – Taksa, kërcënimi i ashpër i administratës Trump
Mosreflektimi i Qeverisë së Kosovës për heqje të taksës çoi në shpeshtimin e kritikave dhe kërcënimeve për Kosovën. Senatori amerikan, David Perdue, bëri thirrje për tërheqje të trupave amerikane nga Kosova, nëse ajo nuk e heq taksën për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Deklaratën e tij e mbështeti edhe djali i presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump, Donald Trump Junior, duke theksuar se “është koha që t’i kthejmë trupat [amerikane] në shtëpi”. Ky paralajmërim, megjithatë, nuk u materializua.
2019 – Taksa la Kosovën jashtë programeve të “George Marshall”
Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti nuk është e vetmja që nuk i ka dëgjuar këshillat amerikane dhe që është përballur me pasoja.
Në vitin 2019, ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka konfirmuar anulimin e ftesave për 14 pjesëmarrës nga Kosova në tetë programe të Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë “George Marshall”, me seli në Gjermani.
Deri te ky vendim ka ardhur pasi Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, nuk i ka dëgjuar rekomandimet e SHBA-së për të hequr taksën 100 për qind mbi produktet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
2019 – Taksa, gjenerali amerikan, Timothy Orr, ka anuluar vizitën në Kosovë
“Zemra ime do t’i takojë çdoherë Kosovës. Kjo është shtëpia ime e dytë”, ka deklaruar gjenerali amerikan i Gardës Nacionale të Ajovës, Timothy Orr, gjatë një vizite në Kosovë, më 2018.
Por, ky mendim për Kosovën mund t’i jetë lëkundur kur në shkurt të vitit 2019, Qeveria amerikane ka anuluar vizitën e gjeneralit Orr në Kosovë, si rezultat i vendimit të Qeverisë së Kosovës për mosheqjen e taksës 100 për qind mbi produktet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Në njoftimin për anulim të vizitës është paralajmëruar, po ashtu, se SHBA-ja mund t’i anulojë programet trajnuese, edukative dhe vizitat ushtarake në Kosovë, në rast se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, nuk reflekton ndaj kërkesës amerikane për heqjen e taksës.
2018 – Taksa, kryeministri Haradinaj mbeti në shtëpi
Vizita që atëbotë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka planifikuar për në SHBA, është anuluar, për shkak se nuk i është dhënë në kohë viza nga Ambasada amerikane në Prishtinë.
Njëherë, mosdhënia e vizës është mohuar nga vetë Haradinaj, por më vonë vetë Haradinaj e ka konfirmuar se arsye e mosudhëtimit ka qenë pikërisht viza. Edhe deri këtu ka ardhur për shkak të taksës mbi produktet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës.
2018 – Demarkacioni me Malin e Zi dhe injorimi i sugjerimeve amerikane
Për disa vite rresht, çështja e demarkimit të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi ka nxitur tensione në Prishtinë. Protestat e dhunshme në rrugë, gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe kritikat amerikane për Qeverinë e Kosovës kanë qenë pothuajse përditshmëri nga viti 2015 deri në muajin mars të vitit 2018.
Në këtë periudhë, kryeministra të Kosovës kanë qenë Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Më 2016, atëbotë zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë vizitës në Prishtinë, ka kërkuar ratifikimin e demarkacionit. Këshilla e tij nuk është dëgjuar, pasi ratifikimi është bërë dy vjet më pas.
2017 – Përpjekja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale
Në pjesën e dytë të vitit 2017, mbi 40 deputetë të Kuvendit të Kosovës u bënë bashkë për të nisur një iniciativë për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, që ishin themeluar me votim në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2015.
Mundësia e shfuqizimit të asaj që njihet si Gjykatë Speciale shkonte krejtësisht në kundërshtim më mbështetjen që SHBA-ja i kishte dhënë themelimit të saj. Atëbotë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar Gjykatën Speciale – e cila heton krimet e dyshuara të luftës të kryera nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – si “të padrejtë për Kosovën”.
Ambasadori i atëhershëm amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ka thënë se shfuqizimi i Speciales do të ishte “thikë pas shpine” për SHBA-në dhe ka paralajmëruar sanksione për deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj. Pasoja ka paralajmëruar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit përmes disa reagimeve. Në fund, shfuqizimi i Speciales nuk ka ndodhur.REL