Kur lypësi që kërkon “dy lek” të grabit peshkun e pjatës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Kur një mik më tregoi se si dëshmitar i një ngjarjeje që e kishte lënë të shokuar, sepse një lyps ordiner që kishte arritur të hynte në ambientet e një restorant luksi i kishte rrëmbyer peshkun nga pjata një turisti spanjoll, reagimi im i parë ishte një qeshje shpërthyese. Tek e fundit nuk kisha si të mos qeshja. Se nuk flitej për një tragjedi, po për një komedi të zezë. Të të marrin peshkun nga pjata është për të qarë e për të qeshur bashkë. Jo se mbeti pa ngrënë i shkreti turist, por me siguri do t’i këtë mbetur dhe ndonjë halë në fyt. Dhe me trafikun që kemi ne, ec e të të vijë ndihma e shpejtë ambulatore.

Pastaj i thirra mendjes dhe në të qeshur e sipër i thashë dëshmitarit rrëfyes: e tmerrshme. Por pak më vonë më kapi inati.

Si ore i pakan marrë turistit spanjoll peshkun nga pjata?! Është njëlloj si të të thotë tjetri që i morën bukën nga goja.

Nisa të bëj një lloj analize me veten:

Një lyps arrin dhe i merr peshkun nga pjata një turisti spanjoll. Bravo! Edhe trim, edhe guximtar, edhe… i shpejtë si era, aq sa s’pati burrë ta kapte.

Nuk po na ecën hiç me këta spanjollët. Ca vite më parë, një tjetër familje spanjolle në Himarë, në vend të hante peshkun desh i hëngri peshku ata, për më tepër kur bossi i restorantit ku kishin drekuar i ndiqte turistët me thikë në dorë, e u hipi mbi kofanon e makinës. Dhe pse? Se i kishin refuzuar peshkun e pjekur në zgarë.

Kjo do të thotë se sa do që mundohemi të sjellim turistë, e të sillemi mirë me ta, sërish na dalin probleme. Ndonjëherë me dashje, ndonjëherë edhe krejt pa dashje.

-Unë dua të bëhem i mirë si ty o babi, por ja që gabimet bëhen edhe pa dashje, – u ngrit rrëmbimthi Miri nga sedilja e Skodës së shoferit Stefi Petro tek filmi: “Në shtëpinë tonë”. Dhe Stefi që s’kish zemër ta rrihte, ia kthen: Po mirë, për gabimet pa dashje nuk e kemi fjalën.

Domethënë, e paskemi të vështirë që turistëve që thyejnë këmbën e vijnë në Shqipëri, t’u marrim paratë urtë e butë. Njëri prej tyre do na e lërë dopio-gjashtën në dorë se s’bën. Dhe pastaj do fillojë përsëri ahengu i reklamës negative: Po çfarë kërkoni në Shqipëri a derëbardhë? S’ka turist që ha peshk nga ajo anë.

Po pse i duhet peshku një lypësi? Kjo është dhe çudia më e madhe.

Në logjikën e asaj që shohim përditë, një lyps fatkeq e me probleme fizike, nuk shkon të grabisë. Ai thjesht lyp, për të nxjerrë aq pak gjë sa të shtyjë ditën. Por kur mendja të ka shkuar për peshk, këtu ndryshon muhabeti. Se fjala vjen: përse nuk të shkoi mendja për qofte, aq sa për të mbushur zorrën? Por drejt e te peshku.

Unë e kam një përgjigje për pyetjen, por nuk e di sa i bie në kokë. Dhe sipas meje: Pa diskutim, endacaku që lyp e grabit, fillimisht ka siguruar paratë e rakisë për babain që e pret te Bregu i Lumit, mirëpo i duhet dhe mezja. Se babai përtac e pijedashës vet jeton si pasha, por kalamajtë i  ka hequr nga shkolla dhe i ka nxjerrë në rrugë që t’i sigurojë një jetë të bollshme e të shëndetshme. Me raki edhe me meze.

Lexo edhe :  Unë isha atje, kur votuan 500 emigrantë të dehur, në mënyrë kolektive dhe të ‘detyruar’

-Vathe… Vathe mi dreq.  Po fol mi budallaqe fol se po hongra ploncin dul dhe risku jot, – ia pat Fadil Hasa në rolin e Borzilokut tek një skeç i estradës së Durrësit.

Ja kështu bëhet hesapi. Dëndesh me raki, merr dhe ca proteina dhe… dhe pastaj rreshtohen kalamajtë: Falkao, Garinxha, Tajsoni, Romario, Izaura, Bebeto…

-A ka mo?

-Është dhe babi, – thotë Met Bega si babai i 7 fëmijëve tek filmi “Dhe ashtu dhe kështu”, duke zbrit i fundit shkallët me karrocën nëpër duar.

A po fajet babai i ka, padyshim! Se nuk i mjafton konserva e peshkut, por do dhe peshk të egër nga thellësia e detit, që të pijë dhe ca më shumë raki, sa mezi të çohet të nesërmen në mëngjes.

Kështu është kur rritet mirëqenia. Rritet dhe niveli i kërkesës.

Këta lypsa po terrorizojnë Tiranën sot por dhe qytetet e tjera, sidomos ato bregdetare. Ata të dalin përpara kudo, te hotelet me 5 yje, por dhe te varrezat, te restorantet e luksit por dhe nëpër spitale. Ulesh në lokal, më përpara se kamerieri për të të marrë porosinë të vjen lypësi me të kërku bakshishin. Duhet me e mbush xhepin plot me monedha që të kënaqësh oreksin e gjithë lypsave që të dalin çdo ditë përpara. Dhe nuk është se qëndrojnë tek cepi i rrugës me ndonjë karton të varur në qafë, ata të ngatërrohen nëpër këmbë dhe po s’e pate mendjen apo bën sikur nuk e ke, të tërheqin për mënge që ti tek e fundit të reagosh, ose t’i shash, ose… t’i dorovitësh.

Ata e njohin mirë një shqiptar nga një të huaj. Kanë instinkte të papara. Ndaj shqiptarëve u kërkojnë lek, turistëve të huaj euro e dollarë.

Deri këtu mban muhabeti, se nga këta gjen kudo në botë. Por kur vjen puna te grabitja… se rasti i peshkut nuk është i pari, sigurisht. E kështu siç e kanë nisur do na lënë pa turistë fare. Se nuk të vjen njeri në një vend ku në çdo hap që hedh të fanepset një lyps që të kërkon një “dhjeçkë”.

Kështu që u duhet thënë: kërkoni ndonjë lek se nuk u ndalon njeri, por mos grabisni. Se do na braktisin edhe ata pak turistë që nga reklama u është mbushur mendja se Shqipëria është parajsë. Dhe po ikën ata jo vetëm do qajnë peshkun, por do qajnë dhe qoftet, se do përfundojnë tek korja e bukës me gjizë e kripë të pajodizuar.

Të fundit

4 këshilla nga pediatrit për të rritur fëmijë të shëndetshëm

Kur çiftet bëhen me fëmijë, e humbasin paksa mendjen, pasi kjo është një eksperiencë e re për ta dhe...

Berisha paraqitet në SPAK për zbatimin e masës“detyrim paraqitje”mbështetësit në protestë

Ish-kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha paraqitet sot në SPAK. Ai do të zbatojë masën “Detyrim paraqitje” të vendosur nga gjykata. Ndërkohë PD...

Nga Musk te Rubio, Pam Bondi e Robert F. Kennedy Jr, ja ekipi i Trump për mandatin e dytë

Presidenti i zgjedhur i SHBA Donald Trump ka zgjedhur t’u besojë postet kyçe në administratën e tij të dytë atyre që ishin ndër mbështetësit e tij...

Meloni do të jetë e vetmja lidere evropiane që do ta përjetojë “live” inaugurimin e Trump

Georgia Meloni është e vetmja kryeministre europiane, e cila do të jetë “e pranishme” sot në Uashington, në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të...

I moshuari i ve flakën dyshekut, 8 viktima në një azil në Serbi

Tetë persona humbën jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu një shtëpi për të moshuarit në periferi të kryeqytetit serb. Shtatë persona të tjerë...

Lajme të tjera

Web TV