Françesko Nuti, komedia dramatike e një krijuesi surrealist

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Tashmë cilësohet si viktimë e krizës së kinemasë së tij komike. Ishte i suksesshëm po aq sa nuk ishte i tillë. Sepse gjatë karrierës pati një kulminacion dhe një rënie gjithashtu, të cilën nuk e përjetoi aspak mirë. Mirëpo tanimë ai është kthyer në një mit të kinemasë italiane. Sepse ishte i veçantë në atë që përcillte përmes imazheve filmike.
Bëhet fjalë për aktorin dhe regjisorin mjaft të njohur Françesko Nuti.
Nuk ishte kaq e lehtë të ndiqje një shou live në kabare, e për më tepër një produksion që mbante firmën e Nutit. Duhet të gjeje kodin për të zbërthyer mesazhet e dhëna përmes mizanskenave filmike. Ishte komik aq sa nuk ishte i tillë. Ishte dramatik edhe pse më shumë raste keqkuptohej. Sepse po aq ishte dhe surrealist.
Kinemaja e prodhuar nga ai ishte e veçantë. Personazhet e interpretuara prej tij ishin të çuditshëm. Karakteret e tjera dytësore, me të cilat performonte në të njëjtin shesh xhirimi, të habisnin me veprimet dhe fjalët e tyre. Në njëfarë mënyre dukej sikur askush nuk ishte në vendin e vet, ndërkohë që të gjithë mbështesnin fort njëri-tjetrin dhe vetë personazhin kryesor. Herë-herë kishte diçka që të jepte përshtypjen sikur nuk shkonte me linjën korrekte, por që në fakt ecte përsosmërisht si një mekanizëm ore zvicerane.
Françesko Nuti u njoh në Shqipërinë e pas viteve ‘80 të shekullit të kaluar me një nga filmat ikonë të tij: “Tutta colpa del paradiso” një prodhim i vitit 1985 që në shqip erdhi me titullin “Gjithë fajin e ka parajsa”, e ku në krah të tij interpretonte një tjetër ikonë e kinemasë italiane Ornela Muti. Në ditët në vazhdim, tek flitej për filmin e rrallë që u transmetua nga valët e Televizionit Shqiptar, e që kishte lënë jo pak mbresa, ata të cilët kishin arritur ta shihnin më parë të njëjtin film, por në stacionet italiane, – të cilat arrinin të kapeshin poshtë zhurmuesit me ndonjë grup të bërë vetë, – thonin të indinjuar se filmit i mungonte një pjesë sa romantike aq edhe sensuale, ku çifti Ornela e Françesko bëjnë dashuri në një fushë të hapur.
Padyshim, elementi censurë me gërshërë në dorë vepronte në TVSH po ashtu si prifti i një province siçiliane, urdhëronte teknikun e projektimit të priste pjesët e puthjeve erotike në filmat që transmetoheshin për publikun, pikërisht në një tjetër film ikonë të industrisë italiane të filmit: “Cinema Paradiso”.
Pas filmit të parë të Françesko Nutit, të gjitha filmat e tjerë të transmetuar, ku në qendër të skenave ishte aktori i jashtëzakonshëm italian, pëlqeheshin fort nga publiku shqiptar, që në vitet e errëta të diktaturës arrinte të shihte një dritë në fund të tunelit qoftë edhe përmes transmetimit të një filmi të koduar, ku herë-herë fantazia dhe realiteti dominonin mbi njëri-tjetrin, për ta bërë skenën sa qesharake aq edhe të trishtë.
“Madonna che silenzio c’è stasera”, një prodhim i vitit 1882 që në shqip erdhi nën titullin “O Zot ç’qetësi ka sot”, u transmetua shumë më vonë nga TVSH-ja dhe këtë herë pa censurë.
Në prodhimet e tij Nuti është shoqëruar gjithmonë nga aktore të bukura, magjepsëse dhe jashtëzakonisht sensuale. Tek filmi “Casablanca Casablanca” prodhim i vitit 1985, Françesko Nuti rekrutoi në kastin e aktorëve një tjetër yll të kinemasë italiane dhe interpretoi përkrah Xhuliana De Sio.
Në këtë mënyrë Françesko Nuti mund të konsiderohet si një nga aktorët, skenaristët dhe regjisorët më të fortë profesionalisht dhe cilësor të kinematografisë italiane.
Për Françesko Nutin thuhet se i ka qëndruar besnik një komedie delikate. Në jetëshkrimin e tij zyrtar, që e gjen të botuar në të gjithë shtypin italian, prej “Il messaggiero” e deri te “Rainews” shkruhet se “Nëpërmjet një kadence të theksuar dialektore dhe personazheve që luajnë në përpjekjen për të rifituar rolin dominues brenda çiftit, Nuti ka interpretuar komedi brilante me tone të paqarta surreale që kanë pasur sukses mahnitës”.
Me komedinë e tij romantike dhe të hidhur Françesko Nuti pati një ndikim të madh tek humoristët e brezave të mëpasëm.
Por kronikat e kohës bëjnë me dije se kriza që prek kinemanë italiane u bë shkak për dështimin profesional për Nutin, i cili vazhdon jetën e tij, në prag të dyzetave, mes tentativave për vetëvrasje dhe dëshirës gjithnjë e më të fortë për të punuar.
Francesko Nuti u nda nga jeta të hënën e 12 qershorit të vitit 2023. Në të njëjtën ditë kur nga kjo botë iku dhe Silvio Berluskoni, ky manjat i televizionit. Dhe po aq në po të njëjtën ditë, bota e kinemasë do të mbante zi edhe për aktorin tjetër të njohur amerikan 71-vjeçarin Treat Williams, i njohur nga filmi “Hair”, pas një aksidenti me motor.
Ndërsa vetë Françesko Nuti, ishte 68 vjeç. Prej vitit 2006 lajmet e trajtonin si gjysmë të sëmurë. Kishte pasur probleme me alkoolin. Me depresionin gjithashtu, kishte pasur dhe tentativa për vetëvrasje. Kishte rënë nga shkallët e shtëpisë ku kish pësuar hematoma dhe kishte qëndruar për ca kohë në koma. Jetonte në shtëpinë e të moshuarve “Villa Verde” në kryeqendrën e Italisë.
I lindur në Prato të Toskanës më 17 maj 1955, Françesko Nuti u nda nga jeta në një prej spitaleve të Romës.

Të fundit

Ekspertët e sigurisë paralajmerojnë: NATO nuk eshtë gati për nje luftë

NATO nuk është gati për një luftë brutale në Arktik me Vladimir Putin, kanë paralajmëruar analistët. Pavarësisht stërvitjeve masive të...

Meloni me ‘mision sekret’ në SHBA: Do të takojë Trump, por nuk dihet pse

Mision sekret për Giorgia Melonin në SHBA. Kryeministrja italiane u nis drejt Shteteve të Bashkuara për të takuar presidentin e zgjedhur Donald Trump. Një takim...

SHBA, funerali shtetëror gjashtëditor i ish-presidentit Jimmy Carter

Gjashtë ditët e funeralit për ish-Presidentin Jimmy Carter filluan të shtunën në Xhorxhia. Jimmy Carter vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare. Ceremonitë e transmetuara drejtpërdrejt...

“Në fillim jam trembur…”, Eno Popi tregon raportin e veçantë me të bijën

Prej vitesh, Eno Popi jeton mes Kanadasë dhe Shqipërisë. Bashkëshortja dhe e bija 6-vjeçare jetojnë atje, ndërsa Eno, për shkak të punës së tij,...

Përfshihen nga flakët dy banesa në Pogradec

Dy banesa janë përfshirë nga flakët. Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 4 në Pogradec. Dy banesat janë përfshirë nga zjarri pasi mësohet se...

Lajme të tjera

Web TV