Kurti: Kemi shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë për tre policët e rrëmbyer. Kurti deklaroi veprimin e Serbisë ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik. “Rasti i ndjeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj policisë që po lufton krimin, dhe qëllim për përshkallëzim dhe destabilizim ku ne tashmë kemi propozuar planin pesë pikësh për de-përshkallëzim dhe normalizim”, tha Kurti.
Qeveria e Kosovës bëri të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se “synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë”. “Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vijnë nga Serbia, sidomos ato transportuese”, u shpreh ai. Ekipet e Radios Evropa e Lirë në Jarinë dhe Merdare raportojnë se automjete me targa të Serbisë janë duke hyrë në Kosovë pa pengesë, me kontrolle të shtuara. Në kufirin në Merdare, në territorin e Serbisë janë duke pritur rreth 60 kamionë për të hyrë në Kosovë. “Masa tona nuk janë ekonomike apo tregtare, por janë masa të sigurisë”, deklaroi Kurti. Kryeministri këto komente i bëri gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, e cila u mbajt pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë autoritetet e institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe financave të Kosovës, pasi një ditë më parë, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit. Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë, për të cilët Prishtina pohon se janë rrëmbyer nga forcat policore të Serbisë, Kurti i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar për të dënuar veprimet e Serbisë, dhe tha se është “i habitur nga heshtja e tyre”. “Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës që po lufton krimin dhe intencë për eskalim dhe destabilizim në kohën kur ne tashmë kemi propozuar planin 5-pikësh për de-përshkallëzim dhe stabilizim”, tha kryeministri Kurti. Kryeministri hodhi poshtë pretendimet e Serbisë, e cila tha se se policët e Kosovës kishin kaluar kufirin dhe ishin futur në territor të saj. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar një ditë më parë se asnjë ushtar dhe asnjë polic nga Serbia nuk ka hyrë përtej kufirit me Kosovën. Ai tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit. “Në vendin e ngjarjes kanë qenë KFOR-i, ka qenë Policia e Kosovës dhe aty janë gjetur edhe gjurmët e çizmeve e këpucëve të huaja [që po shkonin] në drejtim të Serbisë, por janë gjetur edhe pragat lidhëse plastike. Pra si është e mundur që ata pretendojnë se janë arrestuar në Serbi, kur lidhëset e tyre të plastikës si pranga janë pikërisht në këtë vendin ku po themi ne, një kilometër, 300 metra dhe 670 metra larg kufirit me Serbinë e në brendi të territorit të Kosovës”, u kundërpërgjigj Kurti. Sipas tij, dy formacione të armatosura të Serbisë – Njësia Anti-Terroriste dhe një njësi speciale e quajtur Kobra – kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe kanë rrëmbyer policët kosovarë. Kryeministri tha se me këtë do të duhej të merrej KFOR-i. “Ajo çfarë mua më habit është fakti që as të nesërmen, me këtë të vërtetë që ne po e shpërfaqim para jush, nuk del zyrtarisht KFOR-i. Cili është kuptimi që të nesërmen e një ngjarjeje që nuk ishte në mbrëmje, por në mesditë, KFOR-i nuk del me shpjegim zyrtar se ku është ky vend? Ky vend është qartazi në Republikën e Kosovës”, tha ai. Sveçla në këtë konferencë i quajti “akte kriminale” veprimet e Serbisë, duke thënë se “rrëmbimi i policëve është një incident jashtëzakonisht i rëndë”. “Ky akt kriminal duhet të dënohet ashpërsisht nga faktori ndërkombëtar, sepse përfaqëson një shkelje të rëndë dhe shfaq edhe njëherë fytyrën e vërtetë të Serbisë”, tha Sveçla duke bërë thirrje “urgjente për lirimin e policëve”. Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës. Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur. Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë. Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët. Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.
Tirana zyrtare kërkon lirimin e policëve nga serbët
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të lirohet tre policët e kosovës që janë rrëmbyer nga serbët. Nga ana tjetër Sali Berisha ka akuzuar Ramën se po bën lojën e Aleksandër Vuçiç. Në Kuvend janë përplasur të majtët me të djathtët.
Kryeministri Edi Rama reagoi dje për rrëmbimin e 3 policëve në zonën kufitare të Kosovës, duke I kërkuar Serbisë rikthimin e tyre të menjhëershëm në shtëpi dhe ulje të tensionit. Kryeministri shprehet se situata nuk mund të krahasohet me arrestimin e Millenkoviç, person me precedent penal. Gjithashtu Rama shtoi se efektivët e Kosovës duhet të kthehen sa më parë në shtëpi. “Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës. 2. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi! 3. Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre. Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri! 5. De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë”, është shprehur kryeministri Edi Rama. Qëndrimet kreu I qeverisë I mbajti pas shumë kritikash që erdhën në vend gjatë ditës së mërkurë se përse nuk po reagonte. Vetë Rama u shpreh se po priste një raport zyrtar të KFOR-it, për këtë incident të rëndë, ndërsa dje u shpreh qartësisht që pala serbe duhet të bënte një hap pas dhe të lironte efektivët e ndaluar.
Reagimi në Kuvend i Berishës
Situata në Veri dhe drafti i propozuar nga kryeministri Edi Rama për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe kanë qenë tema e debateve në seancën e djeshme plenare. Nga foltorja e Kuvendit, kreu i PD-së së Rithemelimit ka bërë thirrje për mosndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës. Sali Berisha akuzoi kreun e qeverisë se po qëndron në anën e Vuçiçit, teksa shtoi se Shqipërisë nuk i takon të ndërhyjë aty nuk e kanë kërkuar. “Anuloi takimin me qeverinë e Kosovës sepse ajo nuk pranoi të diskutojë për draftin e tij të marrë në draftet e Vuçiç. Me një provokacion, e përkeqësoi me tej gjendjen e dialogut, Prishtinë-Beograd,” shtoi ish-kryeministri. Sipas Berishës, aksionet e fundit të kryeministrit Rama në lidhje me Kosovën, lidhen me hetimin penal për çështjen McGonigal. “Ai është i gatshëm të bëjë çdo gjë që të lehtësojë pozitën e tij të pashpresë. Një muaj më parë, dosja shqiptare McGonigal, tani është shkrirë në dosjen ruse sepse ky peshk i madh nuk binte kollaj në duart e Ramës, por dikush e solli.” Po ashtu, rrëmbimin e tre policëve të Kosovës, Berisha e cilësoi si akt terrorist teksa i bëri thirrje KFOR-it dhe komunitetit ndërkombëtar që të thonë fjalën e tyre.
Debatet në Kuvend
Qeveria në Tiranë ndryshoi qëndrim në lidhje me arrestimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Vetëm pak orë pasi Kryeministri Rama i quajti nxitje të konfliktit thirrjet që i vinin për të reaguar, ministrja e tij e Jashtme nuk priti hetimin e KFOR-it për të cilin fliste pak më herët Kryeministri. Kthesën ia la ta merrte Olta Xhaçka me një fjalim gjatë seancës plenare të Kuvendit, ku Rama vetë nuk u shfaq. “Është po ashtu e domosdoshme që Qeveria e Serbisë të lirojë pa humbur kohë të tre policët. Në të tilla raste, edhe të kalimit të kufirit dhe të hyrjes në një zonë e cila do të konsiderohej e Serbisë, nëse e tillë ka qenë ngjarja, sigurisht që nuk parashikon arrest, por do të parashikonte një kthim pas”, tha ajo. Kosova u imponua si temë debati nga opozita, me Sali Berishën që akuzoi Serbinë për sulm terrorist ndaj fqinjit jugor. “Rrëmbimi i ushtarëve të policëve të Kosovës përbën një akt terrorist, banditesk, një shkelje flagrante të rezolutës së OKB-së të pavarësisë së Kosovës”, deklaroi Berisha. Nga ana tjetër, ish-Kryeministri mendon se Edi Rama ka ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës për interesa të Presidentit Serb Aleksandër Vuçiç. “Paraqitja që ai i bëri projektit të Asosacionit ishte ndërhyrja më brutale në çështjen më delikate në punët e brendshme të Kosovës. Në një akt kombëtar, antishqiptar”, tha Berisha. Kundërpërgjigjen për këto akuza, ai e mori më vonë nga ministrja e Ramës, Olta Xhaçka. “Ata që bërtasin më shumë se ju digjet barku për Kosovën, janë ata që kanë bërë më pak, ose i kanë bërë më shumë dëm Kosovës”, u shpreh Xhaçka. Demokrati Oerd Bylykbashi i kërkoi llogari shefit të mazhorancës për qëndrimin ndaj Kosovës, në mbrojtje të të cilit u hodhën socialistët. “Ai duhet të ishte këtu dhe të jepte llogari për atë që i i ka propozuar të tjerëve dhe jo Kosovës, për ato veprime që janë ato sanksione më përpara se të tjerëve”, u shpreh Bylykbashi. “E duan Kosovën për debatin politik të ditës për ta përdorur Kosovën tonë të dashur si mish për top, për të gjuajtur kryeministrin dhe qeverinë”, tha Balla. Përfaqësuesit e qeverisë përsëritën edhe njëherë apelin ndaj qeverisë së Kurtit për të ndryshuar qasjen ndaj aleatëve ndërkombëtarë, duke nënvizuar edhe njëherë rrezikun e izolimit të Kosovës.