Nga Lorenc Vangjeli
Në Kosovë situata duket mjaft e rëndë me veriun e Mitrovicës të tensioniar ku një ditë pas arrestimit të një eskponenti kriminal të serbëve lokal që morën pjesë edhe në dhunën ndaj KFOR, vjen “rrëmbimin ” e tre efektivëve të policisë kosovare nga forcat serbe. Kjo gjendje duket kritike kur vetë KFOR apo faktori ndërkombëtar për këtë incident janë shumë të tërhequr. A e konsideroni veriun e Kosovës ende vatër të nxehtë që tenton të ndezë “zjarre” edhe më të mëdha?
Veriu i Kosovës është padyshim pika më e nxehtë e tensionit në Ballkan. Situata aty ngjan shpërthyese dhe sikur nga çasti në çast përshkallëzimi i saj do të shkojë nivele të paimagjinueshme e gati të pakthyeshme. Distancimi i palëve, aktet e forcës dhe perspektiva e zymtë për normalitet, shtuar këtu para së gjithash, edhe konfliktin e mbajtur të ngrirë dhe historinë tragjike të luftës me Serbinë, duket sikur krijojnë recetën perfekte të një konflikti, i cili nuk dihet si fillon dhe po ashtu nuk dihet sesi do të mbarojë. Fatmirësisht ky është vetëm një perceptim. Eshtë forma dhe jo përmbajtja. Situata aty është si një gotë që sado që të mbushet, do t’i mungojë gjithmonë pika e fundit që do të derdhte gotën. Dhe kjo për asnjë arsye tjetër më të rëndësishme sesa garancia ndërkombëtare, NATO e Perëndimi, që konflikti të mos ndodhë në asnjë rrethanë. Gjithashtu, sado e çuditshme të duket, asnjë nga palët nuk dëshiron të shkojë në ekstrem. Madje serbët më shumë. Sado të provokojnë, sado që të vringëllijnë armë e të afrojnë forca në kufi, sado retorikë luftarake të përdorin, ata nuk do të shkojnë kurrë në luftë. Serbët e bënë luftën e tyre në 99-ën dhe e humbën atë. Dhe do të humbasin çdo lloj aventure që do të planifikonin në këtë kufi të skajshëm të NATO-s. Po kështu, edhe Republika e Kosovës, atdhe i një populli që kurrë nuk ka nisur i pari një agresion, nuk ka asnjë interes që të përshkallëzojë situatën. Forca që duket se ballafaqohet në kufi përpara ndërkombëtarëve, në thelb është drejtuar ndaj hallesh lokale, qoftë në Prishtinë, qoftë në Beograd. Nuk ka asgjë që do të shkaktonte më shumë makth dhe dhembje koke në Uashington dhe në Bruksel, në kohën kur në skajin tjetër të Evropës, në kufirin më lindor të saj në Ukrainë ka një luftë dy botëshe, sesa një konflikt i mundshëm në veriun e Kosovës. Dhe këtë më mirë se kushdo, e dinë në Prishtinë dhe Beograd. Rrëmbimi i tre policëve të Republikës së Kosovës brenda kufirit, në vetvete është një akt simbolik lufte, por në thelb është një akt i dëshpëruar i Beogradit që në llogari të fundit, do të kthehet padyshim në disfavor të tij. Serbët bënë një llogari të gabuar dhe me shumë gjasa dhanë edhe një dëshmi të qartë të së vërtetës së pandryshuar se kush është agresori dhe kush viktima, kush është i gabuari dhe kush ka të drejtë në moskalimin e konfliktit të ngrirë mes dy vendeve që përtej detajeve, ka vetëm një zgjidhje të mundshme: njohjen reciproke të realitetit të ri gjeopolitik në rajon. Atij realiteti që e sheh Republikën e Kosovës si një realitet të pakthyeshëm. Faktori politik shqiptar në këtë histori ka mundësi ta vonojë procesin, madje ndoshta edhe ta deformojë atë, por edhe ai vetë është totalisht i pafuqishëm që ta pengojë për gjithmonë. Ky është rasti klasik për të pranuar si të vërtetë aksiomën se në këtë botë, të ligat nuk vijnë vetëm për të bërë keq. Dhe se turbullirat dhe paqartësitë më të mëdha, sjellin edhe kthjellimet më të mëdha. Ku është hija më e fortë, aty duhet kërkuar dhe drita më e fortë.
Politikisht qeveria e Kosovës, veçanërisht kryeministri Albin Kurti është në një pikë mjaft kritike ku faktori ndërkombëtar i kërkoi tërheqje të menjëhershme të policisë nga komunat me shumicë serbe, mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në këto zona dhe krijimin e asosacionit. Kurti nuk realizoi asnjë prej pikave dhe sot jemi një hap larg pragut të vendosjes së sanksoneve ndaj Kosovës nga SHBA dhe BE. Përse nuk po tërhiqet Kurti?
Zoti Albin Kurti është duke zhvilluar betejën e tij të jetës. E cila nuk është ajo që shihet, por ajo që mund të hamendësohet, jo ajo që zhvillohet në terren, por ajo që ndodh brenda kostumit të tij: Kurti kryeministër i sotëm është në betejë me Albinin e djeshëm opozitar. Atij i duhet të mposhtë të djeshmen e tij politike si një politikan refraktar dhe konfliktues me detyrimin e zyrtarit që di të negociojë dhe të bëjë kompromise.
Edhe pse “sulmet ” janë drejtuar thuajse të gjitha ndaj Kurtit, a është normale që kjo të ndodhë vetëm ndaj Kosovës dhe për palën serbe nuk ka masa, aq më tepër që ndaj saj nuk flitet as për sanksione? Kujtojmë që esktremistët serbë lokalë të veriut por edhe të tjerë të ardhur nga Beogradi ushtruan dhunë të rëndë edhe ndaj forcave të KFOR.
Pavarësisht se flitet shumë për të drejtën, ajo nuk është gjithmonë një arsye dhe argument përfundimtar në gjeopolitikë. Dhe gjeopolitika ka ndryshuar. Lufta në Ukrainë ka krijuar ekuilibra të rinj, në të cilat, një nevojë më e madhe deformon dhe forcën e të drejtës dhe e bën atë më të dobët. Zoti Vuçiç, drejtpërdrejt dhe në mënyrë indirekte, duket se ka një orientim të dyfishtë ndaj Rusisë dhe interesave të saj në rajon. Edhe pse vendi i tij është i vetmi në Evropë që nuk i është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare ndaj zotit Putin, ai ka marrë një rol, sado modest, në luftën kundër Rusisë në Ukrainë. Armatime dhe municione të epokës sovjetike, po nisen nga Serbia në Ukrainë dhe kjo natyrisht që ndodh me kërkesën dhe lejen e Perëndimit. Mes shkopit dhe karotës, kësaj here është radha e karotës për Beogradin.
Jemi edhe para një situate tjetër ku mes Kurtit dhe Ramës ka një përplasje të dukshme. Rama anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive dhe akuzoi Kurtin se me qëndrimet e deritanishme “po e djeg Kosovën “. Cfarë mendoni se mund të ndodhë. A mund të themi se Kurti i ka “ditët e numëruara ” në krye të qeverisë teksa ka sfiduar miqtë e Kosovës, kryesisht SHBA-në?
Një burrë i fortë në politikë, si rregull, vlen sa shuma e kundërshtarëve të tij. Albin Kurti, kryeministër i Republikës së Kosovës është përjashtimi fatkeq i këtij rregulli. Kundërshtarët e tij ende të dobët në Prishtinë, i ka shkëmbyer me një listë mbresëlënëse kritikësh vetjakë nga Parisi në Berlin e nga Uashingtoni në Bruksel. Kryeministri Kurti e ka vënë vetën si shkak të parë dhe Kosovën si pasojë më pas, në një spirale pakënaqësie me dy bashkësponsorizuesit e planit franko-gjerman, Macron e Scholz, emisarët amerikanë për rajonin dhe gjithë atë pjesë të Perëndimit që po ndjekin veprimet e tij me habi e kundërshti. Me habi sepse nuk gjejnë arsye në aktet e tij dhe kundërshti sepse nuk i pranojnë ato. Edi Rama nuk bën përjashtim nga lista e gjatë e politikanëve që Kurti nuk i pëlqen. Ai Ramën e sfidoi direkt edhe në zgjedhjet e 2021-shit dhe tenton të bëjë të njëjtën gjë duke dashur të ketë “primatin” e shqiptarit më të rëndësishëm të Ballkanit. Edhe ironia e fundit që kaloi kufirin, si monedha që shpërblente inisiativën shqiptare për të shkruar draftin për asosacionin, ishte në stilin e Ramës dhe në garë më Ramën për ta mundur atë në fushë batutash. Por meqë edhe kopja perfekte nuk kushton më shumë se 20 qindarka, origjinali nga Prishtina vlente po kaq në këto ditë dramatike. Fakti që mbetet është që marrëdhëniet e Republikës së Kosovës dhe komunitetit euroatlantik janë në krizë dhe se Shqipëria nuk ka as sovranitetin e plotë që të mos jetë me Perëndimin dhe as luksin cinik që të jetë e barazlarguar nga palët. Tentativat qesharake për të gjetur lidhje mes Ramës e Vucicit, njëlloj si dëshirat e liga për të gjetur marrëdhënie si në raportin e beut me çirakun apo edhe më shumë se kaq, teoritë me heronj e tradhtarë, përfshi këtu edhe vetë Kurtin, janë produkt i një kuzhine që gatuan menynë e vetme qe njeh Tirana: marrëzinë në luftën e brendshme politike. Nuk mund të pritet më shumë. Nuk ka faj kasapi kur këshillon menu vegjetariane, por klientët që vazhdojnë ta dëgjojnë! Kriza e marrëdhënieve më shumë se personale të Ramës dhe Kurtit është e dukshme dhe ato janë krisur gati në pikën e moskthimit. Ato nuk mund të riparohen me aksione personale sepse Rama nuk ka udhë kthimi pas, i detyruar nga statusi i vendit që drejton, kurse Kurti sepse është lloji i politikanit që nuk di të bëjë pas. Duke tentuar të shpjegojë arsyet e anulimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Gjakovë, më shume se ajo që tha, Rama trembi me atë çfarë pothuajse e tha: ekzistencën e një plani sanksionimi për Kosovën. Një plan që vetëm mund të hamendësohet sa i rëndë mund të jetë, por që është rezultat direkt i qëndrimit të ngurtë të Kurtit. Në Perëndim mund të shkelin syrin e të mbyllin një sy, edhe pse mbajnë shënime për gjithçka, por në Perëndim nuk falin politikanët e paparashikueshëm dhe të pakontrollueshëm. Sidomos kur ata ngrihen kundër prioriteteve dhe hierarkisë së problemeve që ata kanë për të zgjidhur. Për ta thënë sërish: Një konflikt i mundshëm, qoftë dhe me përmasat më modeste të mundshme në Ballkan, do te ishte makthi më i keq në Perëndimin e përfshirë në një luftë reale në kufijtë më lindorë te kontinentit. Në të gjithë korrin kundër tij Kurti mund te dallojë vetëm zërin e Sali Berishës që i qëndron në mbështetje. Edhe pse me të gjitha gjasat Kurti e di se mbrojtja nga Berisha i vjen si efekt anësor i urrejtjes proverbiale që ka Berisha me Ramën, duhet të kuptojë se në politikë e sidomos në gjeopolitikë, nuk ka gjë më të pasigurt sesa dashuritë ideologjike. Dhe se nuk ka gjë më të pamjaftueshme dhe që nuk shërben as të pranohet si ngushëllim ajo që në Tiranë e thonë me naivitet: sa kohë kemi Saliun, nuk na duhet as Scholz e as Macron