Ekonomistët argumentojnë se kthimi i mjekëve me përvojë (dhe të tjerë të kualifikuar profesionistë) mund të sjellë një stimul pozitiv zhvillimi për vendet e origjinës, duke prezantuar ide, teknikat dhe aftësitë e kapitalit të fituar jashtë vendit. Në këtë mënyrë “kthimi i trurit” kompenson ikjen e mëparshme të trurit, pohojnë autorët e studimit.
Megjithatë, sipas të dhënave të studimit të fundit të profesorëve Ilir Gëdëshi, Russell King dhe Amarildo Çeka, vetëm 15% e mjekëve shqiptarë që punojnë jashtë vendit, duan të kthehen në vendin e tyre, 31.6% thonë se janë të pavendosur dhe, më shqetësuesja, 52.8% deklarojnë se nuk duan të kthehen në Shqipëri.
Teorikisht, kthimi i mjekëve me trajnimin, përvojën dhe njohuritë e specializuara të fituara nga të jetuarit dhe të punuarit në nivel të avancuar mund të rrisnin standardin e njohurive mjekësore në Shqipëri.
Më shumë se gjysma e mjekëve shqiptarë jashtë shtetit nuk duan të kthehen. Arsyet janë të ndryshme. Sipas të intervistuarve, disa thonë se janë të integruar mirë në shoqërinë pritëse, rreth 18%, pasi kanë bërë përparim të mirë në karrierë atje, gjë që nuk janë të sigurt nëse do ta bënin nëse kthehen në Shqipëri.
Shumë kanë krijuar tashmë një familje, disa me një bashkëshort të huaj dhe me fëmijë në sistemet arsimore në vendet pritëse. Sjellja e fëmijëve në Shqipëri dhe përfshirja e tyre në sistemin arsimor shqiptar shihet si një opsion thellësisht problematik.
Mjekët shohin përparim në jetën e tyre personale dhe nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë për të ardhura më të larta, cilësisë më të mirë të jetës, rrethe të reja miqësore dhe një jetë të pasur kulturore.
Të tjerë theksojnë se, pavarësisht ndryshimeve të pranuara në Shqipëri, infrastruktura mjekësore dhe kushtet e punës nuk janë ende të përshtatshme për ta. Megjithatë, të tjerë tregojnë për nivele të larta korrupsioni, padrejtësie sociale dhe pasiguri fizike.
Konkluzionet e përmbledhura tregojnë se, shpresa për një të ardhme të mirë në Shqipëri është e pavend. Pothuajse një e treta e të anketuarve nuk hezitojnë të angazhohen dhe janë të pavendosur nëse do të qëndrojnë jashtë vendit, apo do të kthehen në një moment në Shqipëri.
‘Sigurisht që kam menduar të kthehem. Në fakt, mendoj për këtë gjatë gjithë kohës. Pas të gjithave, Shqipëria është vendi im, pavarësisht situatës atje, është vendi im. Për momentin duket e vështirë të bëhesh pjesë e atij sistemi.
Kam shokë të cilët janë mjekë në Shqipëri, kështu që jam mjaft i informuar për sistemin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri dhe e di sa problematike është situata. Megjithatë, në të ardhmen, nuk do ta përjashtoja mundësinë e kthimit, thotë Luani, mjek në Itali.
Intervista e Luanit lë të kuptohet se kthimi i mjekëve varet nga ekzistenca e disa parakushteve në vendlindje.
Grupi i mjekëve “të pavendosur” renditi disa parakushte që do të duhej të plotësoheshin për kthimin e tyre nëse ndodh. Dy grupet kryesore të faktorëve ishin socio-politikë, duke përfshirë korrupsionin dhe nevojën për reforma dhe investime në sistemin shëndetësor, në vend të faktorëve ekonomikë, pra të të ardhurave.
“Në Shqipëri nuk keni nevojë që paga të jetë aq e lartë sa në Francë. Mund të kthehesha për ndoshta gjysmën e pagës sime në Franceë. Por shumë kushte të tjera, që nuk lidhen vetëm me vendin e punës, mungojnë.
Jam mësuar me këtë fakt se, në vendin ku jetoj aktualisht jeta shoqërore është shumë më e rëndësishme, po ashtu edhe ajo sociale dhe kulturore.
Që të kthehem, të gjitha këto duhet të ekzistojnë, por nuk shoh që kjo të ndodhë në 5-10 vitet e ardhshme. Ndoshta do të kthehem kur të dal në pension, do të blej një shtëpi buzë detit dhe do të shijoj Shqipërinë time”- pohon Lindita, mjeke në Francë.
Ekspertët vunë në dukje se do të ishte e dobishme të krijohej një bazë të dhënash e mjekëve shqiptarë si në Shqipëri dhe veçanërisht jashtë vendit, për të lehtësuar bashkëpunimin dhe për të tërhequr (në rast nevoje) në një afat të shkurtër, ose më të gjatë, të ekspertizës në fusha të specializuara.
Mjekët e Diasporës mund të na ndihmojnë
Përgjithësisht mjekët e larguar nga vendi nuk kanë dëshirë të kthehen në Shqipëri, por vendi ynë mund të rrisë përfitimet nga nxitja e bashkëpunimit e mjekëve të diasporës me institucionet shëndetësore në Shqipëri.
Sipas sondazhit online, mundësi konkrete bashkëpunimi kanë pasur vetëm 11.5% e mjekëve jashtë vendit. Kur bashkëpunimi ka ndodhur, ka qenë sporadik dhe kryesisht e iniciuar nga mjekët emigrantë.
Format e bashkëpunimi përfshin konsulenca mjekësore, studime dhe punime të përbashkëta shkencore, pjesëmarrje në konferenca dhe seminare, leksione, të ftuar, praktika mjekësore dhe intervista në media (kjo e fundit sidomos gjatë periudhës së Covid-19).
E megjithatë, pothuajse 60% e të anketuarve thonë se “dëshirojnë të bashkëpunojnë” me kujdesin shëndetësor, institucionet dhe nismat shkencore në Shqipëri dhe vetëm 23% thonë “jo”, teksa 17% nuk japin përgjigje për këtë pyetje.
Problemi shihet te vullneti reciprok, që mungon nga pala shqiptare. “Unë nuk do të kërkoja asnjë kompensim monetar. Do të isha i lumtur nëse lind ndonjë mundësi bashkëpunimi”, thotë Mirlinda, mjeke e larguar në SHBA.
“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, por nuk jemi të sigurt nëse ekziston i njëjti vullnet në Shqipëri. E vizitoj Shqipërinë të paktën dy herë në vit, kam babain, të afërmit dhe miqtë atje. Unë njoh kolegë që punojnë në kardiologji, por nuk kam dëgjuar për ndonjë nismë”, – pohoi Albani, mjek i larguar në Zvicër.
Albani e sheh bashkëpunimin jo vetëm të njëanshëm, përkundrazi, ai e sheh bashkëpunimin si një shkëmbim përvojash nga të dyja palët. “Ndoshta kolegët shqiptarë mund vijnë në klinikat tona në Zvicër dhe të ndjekin kurse trajnimi ose specializimi.
Nga ana tjetër, ne gjithashtu mund të zhvillojmë përvojat tona. Këtu mjekët dhe kolegët janë të gatshëm për të shkuar dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë, ata që nuk kanë burime financiare për trajtimin dhe kanë nevojë.
Nëse ka infrastruktura të përshtatshme në Shqipëri ka kirurgë dhe kardiologë që mund të vijnë disa herë në vit për operacione dhe për të bashkëpunuar me kolegë nga Shqipëria.
Një mjek shqiptar me famë ndërkombëtare në Zvicër ka krijuar një skemë bashkëpunimi dhe viziton shpesh Prishtinën. Kohët e fundit, ai ka kryer një lloj operacioni të rrallë atje.
Ky është një shembull, një nga format e mundshme të bashkëpunimit.” pohon Albani./ MONITOR